Si t’ia them çfarë ndiej?

Si t’ia them çfarë ndiej?

Të rinjtë pyesin . . .

Si t’ia them çfarë ndiej?

«Do të doja një përgjigje për pyetjen: ‘Kush duhet ta thotë i pari se ka rënë në dashuri, djali apo vajza?’»​—Laura. *

E KE takuar këtë djalë kohët e fundit ose ndoshta ke njëfarë kohe që e njeh. Do të doje që për ty të ishte më shumë se një shok. Je e bindur se edhe ai mendon po njësoj, vetëm se është i ndrojtur ose i vjen zor të ta thotë. Atëherë, ndoshta pyet: ‘Mos do të ishte më mirë po t’ia thosha unë e para?’ *

Para se të vazhdojmë më tej, le të shqyrtojmë çfarë mendojnë njerëzit përreth teje, domethënë familjarët e tu dhe fqinjët. Për shembull, mos ndoshta sipas zakonit të vendit, e kanë prindërit për detyrë të ta gjejnë bashkëshortin? * Qartë, mbase ti mendon se të njihesh me dikë dhe të martohesh me të janë gjëra që të përkasin vetëm ty. Megjithatë, të krishterët përpiqen të mos bëjnë veprime që mund t’i fyejnë të tjerët. Gjithashtu, duan t’i marrin parasysh ndjenjat e familjarëve dhe të të afërmve.

Por, sot në shumë vende është më se normale që njerëzit ta zgjedhin vetë me kë duan të njihen, para se të vendosin të martohen. A do të ishte e gabuar që një vajzë t’ia shprehte e para ndjenjat një djali? Edhe këtu, mund të na duhet të shqyrtojmë se çfarë mendojnë për këtë familjarët dhe fqinjët. A do t’i trondiste ose a do t’i fyente shumë veta ky veprim?

Ç’thotë tjetër Bibla për pyetjen nëse është e përshtatshme që një vajzë të marrë iniciativën? Në kohët biblike, një grua që quhej Ruthë iu afrua një burri me emrin Boaz, duke pasur si synim martesën. Perëndia Jehova e bekoi Ruthën ndërsa veproi kështu. (Rutha 3:1-13) Sigurisht, ajo nuk ishte adoleshente. Ishte një vejushë, kështu që me siguri ishte në moshën e duhur për t’u martuar. Nuk ishte as mendjelehtë, as flirtuese me Boazin. Rutha ndoqi hap pas hapi ligjet e Perëndisë për martesën.​—Ligji i përtërirë 25:5-10.

Ti mund të jesh në moshën e duhur për ta menduar martesën, dhe ndoshta të pëlqen një djalë. Prapëseprapë, t’ia hapësh zemrën dikujt, që mund të mos ndiejë të njëjtën gjë për ty, është çështje delikate dhe e rrezikshme. Është sikur ta marrësh zemrën tënde dhe t’ia vësh në dorë një tjetri. A do ta mbajë ai me përkujdesje apo do ta hedhë përtokë? Mënyra më e mirë për të mos u ndier e turpëruar më kot ose për të mos shkatërruar veten emocionalisht, është të ndjekësh parimet biblike.

Tregohu e matur

Është shumë e lehtë të fillosh të ëndërrosh me sy hapur. Ndoshta arrin deri aty sa të mendosh për ditën e dasmës dhe për jetën më pas. Mirëpo, ndonëse këto ëndërrime mund të jenë të këndshme, s’janë veçse iluzione. Ato mund të të ngjallin dëshira shumë të forta në një kohë kur s’ke mundësi për t’i plotësuar. Siç thotë Bibla: «Pritja e zgjatur e ligështon zemrën.» (Fjalët e urta 13:12) Veç kësaj, këto ëndërrime mund të ta shtrembërojnë gjykimin. Kurse te Fjalët e urta 14:15 thuhet: «Njeriu i matur tregon kujdes të veçantë për hapat e tij.» Të tregohesh e matur do të thotë të jesh mendjehollë dhe me gjykim të shëndoshë. Por, si mund të tregohesh e matur në çështjet e dashurisë?

Së pari, përpiqu ‘të veprosh me dituri’. (Fjalët e urta 13:16) Një vajzë tha: «S’mund ta duash vërtet një njeri po s’e pate njohur më parë.» Para se t’ia falësh zemrën dikujt, kushtoju vëmendje gjërave që ai bën dhe mënyrës se si flet. Vëzhgo si sillet me të tjerët. «Pyet për të shokët e tij ose të rritur që e njohin mirë»,​—sugjeron një djalë. A ‘flasin mirë’ për të pjesëtarët e kongregacionit? (Veprat 16:2) Veç kësaj, një vajzë me emrin Izabela thotë: «Do të ishte mirë të dilnit bashkë në grup dhe të njihje familjen e tij.» Daljet në grup të japin mundësi ta vëzhgosh pa qenë shumë nën presionin e ndjenjave.

Duhet kohë dhe durim për ta njohur dikë në këtë mënyrë. Por kjo do të të japë mundësinë të shohësh qëndrimet, cilësitë dhe tiparet e karakterit të tij, të cilat ose do të t’i bëjnë më të forta ndjenjat që ke, ose do të të bëjnë të ndryshosh mendje. Te Fjalët e urta 20:11 thuhet: «Një djalë njihet edhe prej veprimeve të tij, nëse veprat e tij janë të pastra e të drejta.» (BR) Po, herët a vonë veprimet e tij do ta tregojnë se si është nga brenda.

Prandaj, tregohu e mençur dhe mos u nxito t’ia shprehësh ndjenjat para kohe. Në qoftë se nxitohesh, dhe ai pastaj të përgjigjet pozitivisht, më vonë mund të zbulosh se nuk bën për ty si bashkëshort. * Meqë tashmë ia ke shprehur simpatinë, ndërprerja e kësaj lidhjeje mund ta lëndojë djalin, ndoshta shumë thellë.

Ç’përshtypje do të lësh?

Mund të ndodhë që edhe ky djalë të jetë duke të vëzhguar ty. A po e paraqet veten në një mënyrë që të dalin në pah cilësitë që i pëlqejnë Perëndisë? Izabela thotë: «Kam vënë re se shumë vajza nuk vishen siç duhet. Por, në qoftë se dëshiron që një djalë i pjekur frymësisht të të vërë re, duhet të vishesh me modesti.» Pavarësisht nga ajo që reklamon bota e modës, po të vishesh «me veshje të rregullta, me modesti dhe me mendje të shëndoshë», do të jesh shumë tërheqëse për një djalë të pjekur frymësisht.​—1 Timoteut 2:9.

Gjithashtu, Bibla i nxit të krishterët e rinj në moshë të jenë «shembull . . . në të folur». (1 Timoteut 4:12) Mënyra se si flet tregon shumë për ty. Ç’duhet të bësh nëse do të lindin mundësi që të bisedosh me këtë djalë? Mbase ai ndihet në siklet, në qoftë se është i ndrojtur. Një vajzë me emrin Abi thotë: «Ndoshta duhet ta fillosh ti bisedën dhe të shohësh si do të reagojë.»

Po si ta fillosh? Në qoftë se i tregon pa pushim për veten tënde, mund të nxjerrë përfundimin se je egoiste dhe e cekët. Bibla na këshillon ‘të shohim me interes personal jo vetëm çështjet tona, por me interes personal edhe ato të të tjerëve’. (Filipianëve 2:4) Po t’i bësh nja dy pyetje, të përshtatshme për të ose për gjërat që i interesojnë, ndoshta do të ndihet pak më i lirshëm.

Kur të bëni këto biseda, s’është koha për të përdorur një ‘gjuhë mashtruese’ ose ‘buzë gënjeshtare’, duke e lajkatuar. (Psalmi 120:2) Në qoftë se djali është i mençur, do ta kuptojë që këto shprehje nuk janë të sinqerta. Në të njëjtën kohë, mos i thuaj disa gjëra vetëm sepse mendon që atij do t’i pëlqejë t’i dëgjojë. Kjo vlen sidomos nëse bisedat tuaja bëhen më serioze, domethënë në qoftë se filloni të flitni për synimet frymore që keni personalisht. Ji gjithnjë vetvetja, tregohu e sinqertë, thuaj të vërtetën. Vetëm atëherë mund të kuptosh nëse jeta jote dhe jeta e tij po ecin në të njëjtin drejtim.

Në qoftë se nuk u përgjigjet ndjenjave të tua

Po sikur, me gjithë këto përpjekje të matura, ai të mos tregojë ndonjë interes romantik? Ndoshta kanë kaluar disa javë ose disa muaj, e megjithatë ende nuk po tregon interes për ty. A duhet ta quash thjesht ndrojtje këtë? Ndoshta një pyetje që duhet t’i bësh vetes është: «Në qoftë se është vërtet kaq i ndrojtur, a është gati për martesë? Po të martohem me të, a do të arrijë ta udhëheqë familjen si kryefamiljar, apo do të presë që këtë ta bëj unë?» (1 Korintasve 11:3) Një pyetje tjetër: «A është vërtet i ndrojtur, apo thjesht nuk i pëlqej unë?» Vërtet që ky mendim i fundit do të shkaktonte dhembje. Por në qoftë se e pranon, mund t’ia kursesh vetes sikletin që do të ndiesh po t’ia shprehësh ndjenjat dikujt që s’ndien të njëjtën gjë për ty.

Mirëpo, ty mund të të duket sikur ai po të tregon interes. Mendon thjesht se është tepër i ngadalshëm për të ta shprehur këtë interes dhe se po ta nxitje pak, ai do të shprehej më shumë. Ndoshta. Por, në qoftë se vendos të shprehesh ti e para, duhet të kuptosh se kjo është e rrezikshme. Duhet ta mendosh mirë jo vetëm çfarë do të thuash, por edhe kur është koha e duhur për ta thënë.

Për shembull, mund të vendosësh se do të ishte më mirë në qoftë se thjesht do t’i bëje të qartë se të pëlqen kur ai të tregon vëmendje, jo t’i thuash e nxituar se «je dashuruar» me të. Ose mund të zgjedhësh çastin e duhur, kur jeni të qetë, e t’i thuash se do të doje ta njihje më mirë. Mos ki merak nëse të duket sikur fjalët e tua janë paksa të ngurta. Ndjenjat e sinqerta që të shtynë t’i thoshe këto fjalë mund të shprehin shumë më tepër se vetë fjalët. Mos harro edhe se nuk po i propozon të martoheni, por vetëm po shpreh dëshirën për t’u njohur më mirë. Sidoqoftë, kjo mund ta habitë djalin, prandaj lëri pak kohë që të ambientohet me atë që i the.

Në qoftë se tashmë e ke njohur këtë djalë dhe ke parë se është i dashur dhe i respektueshëm, s’ke pse t’i frikësohesh ndonjë reagimi të keq ose poshtërimi. Por, si duhet të reagosh, në qoftë se ai të përgjigjet me dashamirësi, por me vendosmëri, ‘Jo!’? Veç kësaj, si duhet të sillet një djalë në rrethana të tilla? Këto pyetje do të trajtohen në një artikull të ardhshëm.

[Shënimet]

^ par. 3 Disa emra janë ndryshuar.

^ par. 4 Ndonëse ky artikull u drejtohet vajzave, djemtë e rinj dhe të tjerë që po mendojnë për t’u njohur me dikë, do të përfitojnë po ashtu nga këshillat biblike.

^ par. 5 Martesat me mblesëri jo medoemos do të jenë të palumtura. Për shembull, në kohët biblike, Isaku dhe Rebeka u martuan me mblesëri, por Bibla thotë që Isaku «e dashuroi» Rebekën. (Zanafilla 24:67) Çfarë kuptojmë? Mos u nxito t’i hedhësh menjëherë poshtë zakonet e vendit, nëse këto nuk bien ndesh me ligjin e Perëndisë.​—Veprat 5:29.

^ par. 13 Kapitujt 28 deri në 31 të librit Të rinjtë pyesin: Përgjigje praktike, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, mund të të ndihmojnë të përcaktosh nëse dikush është i përshtatshëm për ty si bashkëshort.

[Figura në faqen 22]

Duke vëzhguar se si sillet, ndjenjat që ke për të mund të të ndryshojnë

[Figura në faqen 22]

Në qoftë se të pëlqen një djalë, fol me të rritur të pjekur që e njohin