Kalo te përmbajtja

Dega e Amerikës Qendrore mirëpret mijëra vizitorë

Dega e Amerikës Qendrore mirëpret mijëra vizitorë

Në vitin 2015, zyrën e degës të Amerikës Qendrore të Dëshmitarëve të Jehovait, në Meksikë, e vizituan gati 175.000 veta​—një mesatare prej 670 vetash për çdo ditë pune. Shumë prej vizitorëve ishin organizuar në grupe të mëdha dhe kishin udhëtuar për ditë të tëra me autobusë të marrë me qira. Disa e kishin planifikuar prej muajsh këtë udhëtim.

«Projekti Bethel»

Që të vizitonin zyrën e degës, e cila quhet Bethel, disave iu desh të bënin sakrifica. Për shembull, shumica e Dëshmitarëve në një kongregacion në shtetin meksikan të Verakruzit s’e paguanin dot udhëtimin prej 550 km me autobus. Prandaj bënë një plan që e quajtën «Projekti Bethel». U organizuan në grupe që të gatuanin ushqime dhe t’i shitnin. Gjithashtu u morën me riciklimin e shisheve plastike. Pas tre muajsh kishin mbledhur paratë e nevojshme për udhëtimin.

A u shpërblyen gjithë këto përpjekje? Me siguri që po. Për shembull, Lusio, një i ri i këtij kongregacioni, shkroi: «Vizita në Bethel më nxiti të vija synime që t’i shërbeja më shumë Jehovait dhe tani ndihmoj më tepër në kongregacion.» Elizabeta 18-vjeçare tha: «Në Bethel pashë dhe ndieva vërtet dashurinë e sinqertë që karakterizon ata që i shërbejnë Jehovait. Kjo më motivoi të bëja më shumë për Perëndinë, ndaj fillova të predikoja në kohë të plotë.»

Mijëra vizitorë në ditë

Me raste vijnë mijëra vizitorë në ditë. Personeli që organizon vizitat, punon pa u lodhur që t’i mirëpresë të gjithë. Lizi thotë: «Inkurajohemi kur vijnë kaq shumë veta. Më forcohet besimi kur shoh çmueshmërinë e vizitorëve dhe dëgjoj për sakrificat e tyre që të vizitojnë degën.»

Për t’i pritur mijëra vizitorët, mjaft veta shërbejnë edhe si ciceronë, përveç punës së tyre në Bethel. Ndonëse u duhet të punojnë më shumë, u pëlqen të mirëpresin vizitorët. Huani pohon: «Pasi shoqëroj një grup dhe shoh fytyrat e tyre të lumtura, e kuptoj se ia vlejnë përpjekjet.»

«Fëmijëve u pëlqen jashtë mase»

Edhe fëmijët kënaqen kur vijnë në Bethel. Norikoja, i cili punon në Repartin e Kompjuterëve, shprehet: «I pyes fëmijët e grupit nëse u pëlqen të shërbejnë në Bethel. Të gjithë përgjigjen ‘Po!’» Një prej gjërave të preferuara të fëmijëve është «Këndi i Danielit». Aty mund të bëjnë foto me personazhet vizatimore me përmasa reale të serisë Bëhu mik i Jehovait, me Danielin dhe Sarën. «Fëmijëve u pëlqen jashtë mase»,—thotë Norikoja.

Shumë fëmijë tregojnë se e vlerësojnë me gjithë zemër punën që bëhet në Bethel. Për shembull, Henri, një djalë i vogël nga Meksika, futi ca para në një kuti kursimesh që t’i dhuronte kur të vizitonte Bethelin. Në letrën që shoqëronte dhuratën, shkroi: «Ju lutem, përdorini këto para që të bëni më shumë botime. Faleminderit që punoni për Jehovain!»

Je i ftuar të na vizitosh

Dëshmitarët e Jehovait ju ftojnë t’i vizitoni falas zyrat dhe shtypshkronjat e tyre përreth botës. Gjatë vizitës do t’ju shoqërojë një ciceron. Nëse keni qejf të vizitoni një zyrë dege, ju ftojmë përzemërsisht të vini. Jemi të sigurt se do të kënaqeni shumë. Për këto vizita mund të gjeni më shumë informacion te PËR NE > ZYRAT DHE VIZITAT.