Kalo te përmbajtja

Salla Mbretërie për një milion Dëshmitarë

Salla Mbretërie për një milion Dëshmitarë

Në vitet 1999-2015 Dëshmitarët e Jehovait ndërtuan më shumë se 5.000 Salla Mbretërie në Amerikën Qendrore * dhe në Meksikë. Për një milion Dëshmitarët dhe të tjerët që marrin pjesë në mbledhjet tona në këtë rajon, nevojiten më shumë se 700 Salla të tjera Mbretërie.

Në të kaluarën, kongregacionet në këtë pjesë të botës e kishin të vështirë të ndërtonin vende adhurimi. Për shembull, në Meksikë shumica e Dëshmitarëve i mbanin mbledhjet në shtëpitë e tyre. Pse? Një arsye ishte se për shumë vite ligji nuk lejonte që organizatat fetare të kishin prona. Por, ky ligj ndryshoi në vitet 90 dhe Dëshmitarët e Jehovait filluan të ndërtonin shumë Salla Mbretërie. Gjithsesi, shpesh duheshin muaj për të ndërtuar një sallë.

Përshpejtohet ndërtimi

Ndërtimi u përshpejtua më 1999, kur Grupet e Ndërtimit të Sallave të Mbretërisë filluan të zbatonin një program të ri për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë në vende me të ardhura të kufizuara, përfshirë Meksikën dhe shtatë shtetet e Amerikës Qendrore. Që nga 2010-a zyra e degës që gjendet në Meksikë ka mbikëqyrur punën e ndërtimit në të gjithë rajonin.

Shërbëtorët e ndërtimit përballen me sfida të veçanta kur ndërtojnë Salla Mbretërie në zonat e izoluara. Për shembull, në Panama, shërbëtorëve të ndërtimit u duhej të lundronin me varkë gjatë bregdetit për afro tre orë që të arrinin në kantier. Në shtetin meksikan të Çiapas grupit të ndërtimit iu desh të përdorte një avion të vogël që të çonte materiale ndërtimi në një kantier të largët.

Rezultatet pozitive

Shpesh edhe ata që nuk janë Dëshmitarë mezi presin të shohin një Sallë Mbretërie të re në lagjen e tyre. Për shembull, një burrë nga Hondurasi tha se, para se Dëshmitarët të ndërtonin një Sallë Mbretërie në zonën e tij, të tjerë kishin dashur ta përdornin tokën për të ndërtuar një klub nate. Por, ai nuk donte. Kur Dëshmitarët e Jehovait i thanë se po planifikonin të ndërtonin një Sallë Mbretërie, ai tha plot entuziazëm: «Ah, sa mirë!»

Në shumë vende, njerëzve u ka bërë përshtypje papërtueshmëria e punëtorëve. Një burrë nga Guatemala u shpreh: «Zakonisht, në kulturën tonë gratë i sheh të punojnë vetëm në kuzhinë. Por këtu gratë bëjnë të njëjtën punë si burrat. Habitem kur shoh gra që ndërtojnë armatura hekuri dhe suvatojnë mure. Është mbresëlënëse!» Madje disa fqinj janë motivuar t’u blejnë punëtorëve të ndërtimit ushqime e pije freskuese.

Shumë njerëz vlerësojnë edhe mënyrën si janë ndërtuar Sallat tona të Mbretërisë. Në Nikaragua, një inxhinier i tha kryebashkiakut të një qyteti se, Salla e Mbretërisë vendëse ishte një ndërtesë e bukur, e bërë nga materiale cilësore. Në fakt, ai pohoi se ishte ndërtesa më cilësore në të gjithë qytetin!

Patjetër, edhe vetë Dëshmitarët e Jehovait janë shumë të kënaqur që kanë vende të përshtatshme adhurimi. Ata kanë vënë re se, pasi ndërtohet një Sallë Mbretërie, ka më shumë gjasa që studentët e Biblës t’i ndjekin mbledhjet. Dëshmitarët në një kongregacion në Meksikë që u dhanë një dorë shërbëtorëve të ndërtimit të një Salle Mbretërie, e përmblodhën mirënjohjen e tyre me këto fjalë: «Falënderojmë Jehovain që patëm privilegjin të ndërtonim një Sallë Mbretërie që i sjell lavdi e nder emrit të tij.»

^ par. 2 Sipas Enciklopedisë së Përgjithshme të Oksfordit në shqip, Amerika Qendrore përfshin republikat e Guatemalës, Salvadorit, Hondurasit, Nikaraguas, Kosta Rikës, Panamasë dhe Belizesë.