Kalo te përmbajtja

Puna e përkthimit në Meksikë dhe në Amerikën Qendrore

Puna e përkthimit në Meksikë dhe në Amerikën Qendrore

Në Meksikë dhe në Amerikën Qendrore, rreth 290 përkthyes që jetojnë në gjashtë vende, përkthejnë botime biblike në mbi 60 gjuhë. Pse tërë këto përpjekje? Sepse kur njerëzit marrin literaturë biblike në një gjuhë që mund ta kuptojnë lehtë, ka më shumë gjasa që t’u preket zemra.​—1 Korintasve 14:9.

Për ta rritur cilësinë e përkthimit, disa përkthyes që punonin në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në qytetin e Meksikos, janë transferuar në zyra të cilat ndodhen në vendet ku fliten gjuhët përkatëse. Si ka ndihmuar kjo? Duke pasur më tepër kontakte me vendësit, përkthyesit e kanë më të lehtë të nxjerrin materiale që kuptohen kollaj.

Ç’mendojnë ata për këtë ndryshim? Federiko, një përkthyes i gjuhës nahuatle e Guerreros, thotë: «Për rreth dhjetë vjet në qytetin e Meksikos, gjeta vetëm një familje që fliste gjuhën time. Por tani, në qytezat që ndodhen pranë zyrës së përkthimit, gati të gjithë e flasin këtë gjuhë.»

Kerina, që përkthen në gjermanishten e veriut në shtetin meksikan të Çiuauas, shprehet: «Jetesa mes menonitëve më ka ndihmuar të jem e përditësuar me gjuhën që flasin. Jetojmë dhe punojmë në një qytet të vogël dhe kur hedh sytë jashtë dritares, mund të shoh njerëzit që do të kenë dobi nga puna e përkthimit që po bëjmë këtu.»

Nejfi, që tani jeton në zyrën e përkthimit në Meridë, Meksikë, thotë: «Kur drejtojmë studime biblike në gjuhën maja, vërejmë shprehjet që nuk i kuptojnë lehtë këta banorë. Prandaj, gjatë përkthimit kërkojmë mënyra për t’i shprehur sa më natyrshëm.»

Si nxjerrin dobi ata që marrin materialin e përkthyer? Të shqyrtojmë vetëm një shembull: për rreth 40 vjet, Elena që ka si gjuhë amtare gjuhën tlapaneke, shkonte rregullisht në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait. Por, ngaqë mbledhjet ishin në spanjisht, nuk kuptonte çfarë thuhej. «Thjesht kisha qejf të shkoja në mbledhje»,​—thotë ajo. Mirëpo, pasi studioi Biblën me ndihmën e broshurave në tlapaneke, dashuria e Elenës për Zotin u rrit aq sa ia kushtoi jetën dhe u pagëzua më 2013. Ajo shprehet: «Falënderoj Jehovain që më dha mundësi të kuptoj Biblën.»