Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ai që ka një emër a reputacion të mirë, fiton besimin dhe respektin e të tjerëve

«Më mirë të bësh një emër të mirë, se pasuri të bollshme»

«Më mirë të bësh një emër të mirë, se pasuri të bollshme»

NJË emër a një reputacion i mirë është kaq i çmuar, sa në disa vende mbrohet ligjërisht. Këtu mund të përfshihet mbrojtja nga shpifjet (me gojë, me shkrim ose nëpërmjet formave të tjera të transmetimit). Kjo të sjell ndër mend një shprehje të lashtë: «Më mirë të bësh një emër të mirë, se pasuri të bollshme. Hiri [respekti nga të tjerët] është më i mirë edhe se argjendi dhe ari.» (Proverbat 22:1) Si mund të fitojmë një emër të mirë dhe respektin e të tjerëve? Bibla përmban sugjerime të shkëlqyera.

Për shembull, shqyrto ç’thotë ajo te Psalmi 15. Teksa i përgjigjej pyetjes «kush do të jetë mysafir në tendën [e Perëndisë]», psalmisti shkroi: «Ai që . . . praktikon drejtësinë, që thotë të vërtetën që ka në zemër, që nuk shpif . . . , që nuk i bën asnjë të keqe shokut, dhe nuk thotë asgjë poshtëruese për atë që ka mik. Në sytë e tij i përbuzshmi nuk pranohet. . . . Edhe sikur të jetë betuar për të keqen e vetes, ai nuk del nga fjala. . . . Dhe nuk merr ryshfet.» (Psalmi 15:​1-5) A nuk do ta respektoje një njeri që jeton sipas këtyre parimeve të bukura?

Një cilësi tjetër që e ndihmon dikë të fitojë respektin e të tjerëve, është përulësia. Te Proverbat 15:33 thuhet: «Para lavdisë është përulësia.» Mendo për këtë: një person i përulur e kupton ku mund të përmirësohet dhe përpiqet fort ta bëjë këtë. Gjithashtu është i gatshëm të kërkojë falje, nëse ka fyer dikë. (Jakovi 3:2) Një person krenar nuk është i tillë, përkundrazi, fyhet shpejt. Te Proverbat 16:18 thuhet: «Krenaria vjen para rrëzimit dhe fryma e fodullëkut para pengimit.»

Po nëse dikush hedh baltë mbi reputacionin tënd të mirë? A duhet të reagosh nxitimthi, për shembull, kur je në kulmin e zemërimit? Pyet veten: «Nëse përpiqem të mbroj reputacionin tim, mos vallë po e përhap më tej gënjeshtrën?» Ndonëse një veprim ligjor ndonjëherë mund të jetë me vend, Bibla jep këtë këshillë të mençur: «Mos dil me ngut për të ngritur një çështje ligjore.» Përkundrazi, «mbroje çështjen që ke me të afërmin tënd». (Proverbat 25:​8, 9) * Përveç kësaj, kur përpiqemi ta zgjidhim me qetësi çështjen me të tjerët, mund t’i kursejmë vetes paratë që do të harxhonim për procedurat e shtrenjta gjyqësore.

Bibla është shumë më tepër se një libër fetar. Ajo ofron drejtim të besueshëm në jetë. Kush i zbaton parimet e saj të mençura, zhvillon cilësi që meritojnë respekt të thellë dhe i kontribuojnë një emri të mirë.

^ par. 5 Parime të tjera për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve i gjejmë te Mateu 5:​23, 24; 18:​15-17.