Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ndikon teknologjia te mendja?

Si ndikon teknologjia te mendja?

Njerëzit kanë gjithnjë nevojë të mësojnë—në shkollë, në punë a për ndonjë arsye tjetër, dhe teknologjia mund t’u vijë në ndihmë. Kurrë në histori, njerëzimi nuk ka pasur kaq shumë informacione në dispozicion, pa dalë nga dera e shtëpisë e madje pa lëvizur vendit fare.

Mirëpo, shumë veta që e përdorin gjerësisht teknologjinë, kanë kuptuar se . . .

  • e kanë të vështirë të përqendrohen kur lexojnë.

  • bëjnë disa punë njëherësh.

  • mërziten shumë shpejt kur janë vetëm.

Ç’DUHET TË DISH

LEXIMI

Disa i hedhin një sy shpejt e shpejt një materiali, sikur «e skanojnë», në vend që të ndjekin me durim linjën e mendimit të autorit.

Ky lexim i përciptë të mjafton kur të duhet një përgjigje e shpejtë. Ama mund të të pengojë ta kuptosh mirë një material që duhet shqyrtuar pak më thellë.

PËR TË MENDUAR: Sa je në gjendje të lexosh pjesë të gjata me paragrafë? Si të ndihmon kjo të përmirësosh aftësinë për të mësuar?—PROVERBAT 18:15.

PËRQENDRIMI

Disa njerëz mendojnë se teknologjia u jep mundësi të bëjnë dy punë njëherësh, si për shembull t’u dërgojnë mesazhe miqve ndërsa studiojnë. Por, kur janë të shpërqendruar, mund të mos bëjnë asnjë nga gjërat mirë, veçanërisht kur të dyja kërkojnë përqendrim.

Përqendrimi kërkon vetëdisiplinë, ama ia vlen. «Bën më pak gabime dhe ke më pak stres,—thotë një adoleshente me emrin Greis.—Kam mësuar se është më mirë të përqendrohesh vetëm te një gjë dhe t’i shmangësh shpërqendrimet që vijnë kur bën disa gjëra njëkohësisht.»

PËR TË MENDUAR: A e ke më të vështirë të kuptosh e të kujtosh atë që ke studiuar kur bën disa gjëra njëherësh?—PROVERBAT 17:24.

VETMIA

Disa njerëz nuk ndihen rehat kur janë vetëm në një ambient të qetë, prandaj përdorin teknologjinë për të mbushur boshllëkun. «Mërzitem brenda 15 minutash nëse nuk kontrolloj telefonin, tabletin ose nuk ndez televizorin»,—pranon një grua me emrin Olivia.

Sidoqoftë, momentet e vetmisë janë një mundësi e mirë për të menduar thellë—një pjesë thelbësore e të mësuarit, jo vetëm për të rinjtë, por edhe për të rriturit.

PËR TË MENDUAR: Arrin ta përdorësh vetminë në avantazhin tënd?—1 TIMOTEUT 4:15.

Ç’MUND TË BËSH

SHQYRTO SI PO E PËRDOR TEKNOLOGJINË

Në cilat mënyra mund ta përdorësh teknologjinë që të stimulosh aftësinë për të menduar thellë? Në cilat mënyra mund të të pengojë teknologjia të përqendrohesh e të mësosh?

PARIM NGA BIBLA: «Ruaje mençurinë praktike dhe aftësinë për të menduar mirë.»—PROVERBAT 3:21.