Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A të premton Perëndia pasuri?

A të premton Perëndia pasuri?

A të premton Perëndia pasuri?

‘Perëndia do që të jesh i pasur: të kesh disa makina dhe një biznes të begatë. Vetëm ki besim tek ai, hap portofolin dhe jepi gjithçka mundesh.’

KËTË mesazh përhapin disa grupe fetare në Brazil, sipas një gazete që botohet atje. Ky është një mesazh që shumë e marrin seriozisht. Në lidhje me një sondazh në Shtetet e Bashkuara që iu bë njerëzve që thonë se janë të krishterë, revista Time raporton: «Plot 61% besonin se Perëndia do që njerëzit të jenë të begatë. Dhe 31% . . . ishin dakord se po t’ia japësh Perëndisë paratë, ai do të të bekojë me më shumë para.»

Bindje të këtij lloji, që shpesh quhen teologjia e begatisë, po përhapen sidomos në vendet e Amerikës Latine, siç është Brazili, dhe njerëzit dynden nëpër kishat që premtojnë bekime materiale nga Perëndia. Por, a u premton vërtet Perëndia pasuri atyre që i shërbejnë? A ishin të pasur të gjithë shërbëtorët e Perëndisë në të kaluarën?

Është e vërtetë se në Shkrimet Hebraike shpesh lexojmë që bekimi i Perëndisë kishte lidhje begatinë materiale. Për shembull, te Ligji i përtërirë 8:18, thuhet: «Kujto Jehovain, Perëndinë tënd, sepse ai ta dha fuqinë që të bësh pasuri.» Kjo i siguronte izraelitët se po t’i bindeshin Perëndisë, ai do t’i bënte një komb të begatë.

Ç’të themi për shërbëtorët e Perëndisë individualisht? Jobi, një shërbëtor besnik, ishte tejet i pasur dhe pasi Satanai e katandisi të varfër, Jehovai ia riktheu «dyfish» pasurinë Jobit. (Jobi 1:3; 42:10) Edhe Abrahami ishte i pasur. Zanafilla 13:2 thotë se ai kishte «plot bagëti, argjend dhe ar». Kur ushtritë e bashkuara të katër mbretërve që ishin në lindje zunë rob Lotin, nipin e Abrahamit, ky i fundit «mobilizoi njerëzit e stërvitur, treqind e tetëmbëdhjetë skllevër të lindur në shtëpinë e tij». (Zanafilla 14:14) Nëse kishte 318 ‘njerëz të stërvitur’ që dinin t’i përdornin armët, familja e Abrahamit duhet të kenë qenë shumë e madhe. Fakti që ai arrinte të mbante një familje të tillë, tregon se ishte shumë i pasur, me kope e tufa të mëdha.

Po, shumë shërbëtorë besnikë të Perëndisë në të kaluarën—Abrahami, Isaku, Jakobi, Davidi, Solomoni e të tjerë—ishin të pasur. Por, a do të thotë kjo se Perëndia do ta bëjë të pasur këdo që i shërben? Nga ana tjetër, nëse dikush është i varfër, a do të thotë se nuk ka bekimin e Perëndisë? Artikulli vijues do të marrë në shqyrtim këto pyetje.