Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Del në dritë një thesar biblik

Del në dritë një thesar biblik

Del në dritë një thesar biblik

SHEKUJ më parë, materialet për shkrim nuk gjendeshin aq kollaj sa në ditët e sotme. Pergamenat dhe materialet e tjera bëheshin të ripërdorshme duke gërvishtur ose duke larë bojën e teksteve që nuk duheshin më. Madje kanë gërvishtur edhe shkrime të Biblës nga pergamenat, që pastaj i kanë përdorur përsëri për të dokumentuar informacione të tjera.

Një nga këto pergamena të rëndësishme të Biblës është Kodiku Efraemi Syri rescriptus. Fjala rescriptus do të thotë «i shkruar sipër». Ky kodik është me vlerë të jashtëzakonshme, sepse është një nga kopjet më të vjetra ekzistuese të pjesëve nga Shkrimet e Krishtere Greke. Si i tillë, renditet ndër burimet më të mira për të vërtetuar saktësinë e këtyre shkrimeve nga Fjala e Perëndisë.

Teksti biblik që ishte shkruar në fillim në këtë kodik të shekullit të pestë, ishte fshirë në shekullin e 12-të të e.s., dhe në të njëjtën pergamenë ishin shkruar përkthimet në greqisht të 38 predikimeve të studiuesit sirian Efraem. Në fund të shekullit të 17-të, ekspertët zbuluan se në këto pergamena më parë ishin shkruar shkrime biblike. Në vitet më pas, u bë njëfarë përparimi për të dalluar shkrimet fillestare në këtë dorëshkrim. Megjithatë, doli se leximi i të gjithë pjesës ishte tepër i vështirë, për shkak se boja ishte zbehur ose fshirë, shumë faqe ishin tepër të vjetëruara dhe tekstet ishin shkruar njëri mbi tjetrin. Mbi dorëshkrim u përdorën substanca kimike në përpjekje për t’i bërë më të dukshme dhe më të lexueshme shkrimet biblike, por pa shumë sukses. Prandaj, shumë studiues arritën në përfundimin se leximi i të gjithë tekstit të fshirë ishte i pamundur.

Në fillim të viteve 1840, Konstantin fon Tishendorfi, një gjuhëtar i talentuar gjerman, i hyri studimit të këtij kodiku. Tishendorfit iu deshën dy vjet për ta lexuar dorëshkrimin. Po si ka mundësi që ai ia doli mbanë kur të tjerët kishin dështuar?

Tishendorfi kishte një kuptueshmëri të mirë të shkrimit me germa unciale në greqisht—që bëhet me germa të mëdha e të ndara. * Duke pasur një shikim të mprehtë, ai zbuloi se thjesht duke e mbajtur pergamenën në dritë mund të dallonte tekstin fillestar. Për të arritur të njëjtën gjë në ditët e sotme, studiuesit përdorin mjete optike, si rrezet infra të kuqe, rrezet ultravjollcë dhe dritën e polarizuar.

Tishendorfi e botoi atë që lexoi nga Kodiku Efraemi në vitet 1843 dhe 1845. Me këtë bëri emër si një udhëheqës në paleografinë e greqishtes.

Kodiku Efraemi është rreth 30 centimetra me 25 centimetra dhe përbën një nga shembujt më të hershëm të dorëshkrimeve vetëm me një kolonë në çdo faqe. Nga 209 faqet e mbijetuara, 145 janë pjesë nga të gjithë librat e Shkrimeve të Krishtere Greke me përjashtim të 2 Selanikasve dhe 2 Gjonit. Faqet e tjetra përmbajnë një përkthim në greqisht të disa pjesëve të Shkrimeve Hebraike.

Sot, ky Kodik ruhet në Bibliotekën Kombëtare në Paris, Francë. Se nga vinte ky dorëshkrim nuk dihet, megjithëse Tishendorfi mendonte se vinte nga Egjipti. Studiuesit e futin Kodikun Efraemi në grupin prej katër dorëshkrimesh të rëndësishme unciale të Shkrimeve Greke. Në këtë grup përfshihen edhe dorëshkrimi Sinaitik, Aleksandrin dhe Vatikan 1209, që datojnë nga shekulli i katërt dhe i pestë i e.s.

Mesazhi i Shkrimeve të Shenjta është ruajtur në mënyrë të jashtëzakonshme për ne në shumë forma, përfshirë edhe me dorëshkrime të mbishkruara. Megjithëse në këtë rast një dorë që nuk e vlerësonte tekstin e Biblës u përpoq ta fshinte atë, mesazhi i saj mbijetoi. Kjo na siguron më shumë për fjalët e apostullit Pjetër: «Fjala e Jehovait qëndron përgjithmonë.»—1 Pjetrit 1:25.

[Shënimi]

^ par. 6 Tishendorfi u bë i njohur kur zbuloi në manastirin e Shën Katerinës në rrëzë të malit Sinai një përkthim në greqisht të Shkrimeve Hebraike​—ndër më të vjetrit që janë gjetur ndonjëherë. Ky dorëshkrim njihet si Kodiku Sinaitik.

[Diagrami dhe figura në faqen 16]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Kodiku Efraemi Syri rescriptus, një pergamenë e rëndësishme që u arrit të lexohej nga Tishendorfi (1815-1874)

TEKSTI BIBLIK I SHKRUAR FILLIMISHT

TEKSTI I MBISHKRUAR I PREDIKIMEVE NË GREQISHT

[Burimi]

© Bibliothèque nationale de France

[Figura në faqen 17]

Kodiku Sinaitik i zbuluar në manastirin e Shën Katerinës

[Figura në faqen 17]

Tishendorfi