Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

E lumtur dhe plot shpresë, ndonëse e varfër

E lumtur dhe plot shpresë, ndonëse e varfër

Letër nga Bolivia

E lumtur dhe plot shpresë, ndonëse e varfër

EDHE pse shërbej si misionare në një nga vendet në zhvillim, nuk arrij të mësohem dot me varfërinë dhe gjendjen e pashpresë të njerëzve. Dua të shoh çlirim të menjëhershëm nga vuajtjet për të gjithë. Por e di se vetëm Mbretëria e Perëndisë do t’i zgjidhë këto probleme. Megjithatë, shumë herë kam parë se njerëzit që zbatojnë Fjalën e Perëndisë, gjejnë lumturi, pavarësisht nga rrethanat e mjerueshme. Sabina është njëra prej tyre.

Vite më parë, Sabina, me dy vajzat e vogla në krahë, e përcolli burrin e saj për te një autobus i vjetër. Ai po shkonte në një vend tjetër në kërkim të një pune me rrogë më të mirë. Teksa ajo priste të kthehej, kalonin muaj, madje vite, por ai nuk u kthye kurrë në shtëpi. Që kur ka ikur ai, Sabinës i është dashur të luftojë çdo ditë për të plotësuar nevojat e saj dhe të vajzave, Milenës dhe Giljanës.

Për herë të parë, e takova Sabinën një pasdite ndërsa u shërbente me qetësi klientëve të padurueshëm në dyqanin e së motrës. Mund të shihja në sytë e lodhur të Sabinës se kishte punuar gjithë ditën. I thashë të studioja Biblën me të dhe vajzat e saj. «Kam qejf,—tha ajo,—por jam shumë e zënë. Megjithatë, dua që vajzat të studiojnë me ty.» Pranova. Teksa studimi me vajzat ecte mirë, arrita të njihja Sabinën dhe kuptova situatën e saj të vështirë.

Dita për Sabinën nis në orën 4 të mëngjesit. Ndërsa vajzat flenë, në atë banesë që gjithsej është një dhomë e vetme, Sabina ndez zjarrin dhe vë mbi të një tenxhere alumini të stërpërdorur. Ajo përgatit mbushjen me mish për empanadat që shet për të mbajtur familjen. Në mbrëmje, ka përgatitur brumin për këto lloj byreçkash të shijshme me mish.

Me kujdes, Sabina ngarkon në një karrocë të marrë hua të gjitha pajimet që i duhen gjatë ditës—një çadër dielli, një sobë me një vatër, një bombol gazi, një tryezë, stola, tenxhere dhe vaj, si edhe mishin, brumin e disa litra me pije frutash të bëra vetë.

Në orën 6 të mëngjesit, Sabina dhe dy vajzat janë gati për t’u nisur. Ato mbyllin derën me dry. Fytyrat e tyre nuk janë shprehëse; asnjëra nuk flet ose nuk qesh. Tërë energjitë e tyre janë të përqendruara te puna që i pret. Skena si kjo kam parë shumë herë mëngjeseve nga dritarja e shtëpisë sonë misionare. Po, Sabina është vetëm një nga gratë e shumta që nisen nga shtëpia para se të agojë, që të shesin ushqim dhe pije nëpër rrugët e Bolivisë.

Nga ora 6.30, teksa dielli del mbi mal, Sabina dhe vajzat mbërrijnë në qoshen e tyre të rrugës. Pa fjalë, ato shkarkojnë karrocën dhe montojnë kuzhinën portative. Empanada e parë prek vajin e nxehtë dhe nis të skuqet. Një aromë e këndshme fillon të përshkojë ajrin e ftohtë të mëngjesit, duke tërhequr me shpejtësi klientët e uritur.

«Sa?»—pyet Sabina klientin e parë. Pa ngritur sytë, një burrë me sytë e përgjumur ngre dy gishta dhe ajo i shërben dy empanada të nxehta ngjyrë të verdhë në të kafenjtë. Pastaj merr ato pak para nga klienti. Ky veprim do të përsëritet qindra herë gjatë ditës. Kur shesin empanadën e fundit, mbledhin gjërat dhe nisen për në shtëpi. Megjithëse Sabinës i dhembin këmbët nga puna e mëngjesit, ajo shkon në punën e saj të dytë te dyqani i së motrës.

Kur shkova në dyqan për të bërë për herë të parë studimin biblik me vajzat, në një cep ishin vendosur tashmë dy stola të gjatë. Që në fillim, Milena dhe Giljana, që atëherë ishin 9 dhe 7 vjeçe, mezi pritnin çdo herë të bënin studimin dhe përgatiteshin mirë. Pak nga pak, këto vajza të ndrojtura u hapën dhe më lejuan të afrohesha me to. Kjo ia ngrohu zemrën Sabinës. Shumë shpejt vendosi që edhe ajo të studionte Biblën me mua, megjithëse kishte një program rraskapitës.

Ndërsa njohuria e Sabinës rritej, po kështu rritej edhe dashuria e saj për Perëndinë Jehova. Ajo filloi të ndiente diçka të re—lumturi! Shitësja, dikur e lodhur dhe me fytyrë të trishtuar, tani dukej ndryshe. Qëndronte drejt, me kokën lart dhe sytë që i shndritnin. «Sabina është gjithmonë e qeshur,—tha e motra.—Kurrë nuk ka qenë kështu më parë.» Edhe të tjerët shihnin një ndryshim të madh te Sabina dhe te vajzat e saj. Ai boshllëk shpirtëror që kishte ndier prej kaq shumë kohësh, tani po mbushej.

Sabinës i pëlqente studimi, por programi i saj i ngjeshur e pengonte të ndiqte mbledhjet e krishtere. Si përfundim, ajo pranoi ftesën time për të vizituar Sallën e Mbretërisë. Që atëherë, nuk ka munguar kurrë. Në kongregacion gjeti miq të vërtetë. Gjithashtu, provoi se Jehovai u siguron vërtet gjërat e nevojshme atyre që e duan dhe që bëjnë sakrifica për t’i shërbyer.—Luka 12:22-24; 1 Timoteut 6:8.

Sabinës i pëlqenin shumë gjërat që mësonte dhe dëshironte t’i ndante me të tjerët. Por thoshte: «Dridhem sa herë më shkon ndër mend të predikoj në publik.» Ajo mendonte: «Si do të mund të mësoj dikë tjetër unë që jam një grua e ndrojtur dhe me pak shkollë?» Megjithatë, dashamirësia që i ishte treguar dhe përmirësimi i mrekullueshëm që kishte përjetuar në jetë, e nxitën të merrte këtë hap të rëndësishëm. Kuptoi edhe se vajzat e shihnin atë si shembull. Kështu, nisi t’u fliste të tjerëve për lajmin e mirë. Edhe vajzat u bashkuan tërë entuziazëm me të.

Sot, Sabina nuk është më thjesht një grua e varfër që rraskapitet ditë pas dite pa ndier gëzim. Gjendja e saj ekonomike nuk ka ndryshuar shumë. Ajo që ka ndryshuar, është këndvështrimi i saj për jetën. Tani, si një e krishterë e pagëzuar, ajo ndan me të tjerët lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë, që është e vetmja zgjidhje e përhershme për varfërinë dhe dëshpërimin në botë.—Mateu 6:10.

Është ora 5 e mëngjesit dhe Sabina është përsëri gati për t’u nisur nga banesa e saj. Por, këtë mëngjes nuk do të shesë empanada. Do të takohet me një grup të krishterësh që të predikojnë në rrugë. Duke përdorur një pjesë të kohës së saj çdo javë për të ndihmuar të tjerët, ka provuar edhe më shumë lumturi në jetë. Ajo mbyll derën dhe me një buzëqeshje të çiltër del në rrugë. Në vend që të shtyjë karrocën, mban një çantë. Në të ndodhet Bibla e saj dhe literatura biblike që do të përdorë për t’u shpërndarë të tjerëve një mesazh shprese. Me një buzëqeshje plot siguri, Sabina thotë: «As që e ëndërroja se do të mund t’u flitja të tjerëve për Biblën.» Pastaj shton: «Më pëlqen jashtë mase!»