Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

A e dini?

Pse Jezui në lutje iu drejtua Jehovait «Abba, o Atë»?

Fjala aramaike ʼabbaʼʹ mund të thotë «ati» ose «o Atë». Në të tria rastet që kjo fjalë del në Shkrime, është pjesë e lutjes dhe përdoret për Atin qiellor, Jehovain. Ç’domethënie kishte përdorimi i saj?

Një enciklopedi, The International Standard Bible Encyclopedia, thotë: «Në gjuhën e përditshme të kohës së Jezuit, ʼabbāʼ përdorej kryesisht nga fëmijët për të treguar afrimitetin e ngushtë dhe respektin për babanë.» Ishte një mënyrë për t’iu drejtuar me përzemërsi dhe ndër fjalët e para që mësonte fëmija. Jezui e përdori këtë fjalë në një lutje tepër të zjarrtë drejtuar Atit të tij. Në kopshtin e Getsemanisë, pak orë para se të vdiste, Jezui iu drejtua Jehovait me fjalët «Abba, o Atë».—Marku 14:36.

Enciklopedia e mësipërme shton: «Ndodhte shumë rrallë që në letërsinë hebraike të periudhës greko-romake të përdorej Abbā për t’iu drejtuar Perëndisë. Pa dyshim kjo vinte ngaqë do të dukej mungesë respekti t’i drejtoheshe Perëndisë me kaq konfidencë.» Gjithsesi, «fakti që Jezui . . . e përdori këtë fjalë në lutje, është një provë e tërthortë për pohimin e tij se kishte një lidhje mjaft të ngushtë me Perëndinë». Dy rastet e tjera kur «Abba» përdoret në Bibël, të dyja në shkrimet e apostullit Pavël, tregojnë se edhe të krishterët e shekullit të parë e përdornin këtë fjalë në lutje.—Romakëve 8:15; Galatasve 4:6.

Pse një pjesë e Biblës u shkrua në greqisht?

Apostulli Pavël tha se «thëniet e shenjta të Perëndisë» iu besuan judenjve. (Romakëve 3:1, 2) Prandaj pjesa e parë e Biblës u shkrua kryesisht në hebraisht, gjuha e judenjve. Megjithatë, Shkrimet Greke u shkruan në greqisht. * Pse?

Në shekullin e katërt të e.s., ushtarët e Aleksandrit të Madh flitnin dialekte të ndryshme të greqishtes klasike, që asokohe po përziheshin dhe po formonin koinen ose greqishten popullore. Pushtimet e Aleksandrit ndihmuan që greqishtja koine të bëhej gjuha ndërkombëtare e kohës. Kur ndodhën këto pushtime, judenjtë tashmë ishin shpërndarë në shumë vende të tjera. Shumë prej tyre nuk u kthyen në Palestinë pas mërgimit në Babiloni, që kishte përfunduar shekuj më parë. Si rrjedhojë, me kalimin e kohës shumë judenj nuk e flitnin mirë hebraishten e pastër, por përdornin greqishten. (Veprat 6:1) Për t’i ndihmuar ata, u bë Septuaginta, një përkthim i Shkrimeve Hebraike në koine ose në greqishten popullore.

Një fjalor, Dictionnaire de la Bible, vëren se asnjë gjuhë tjetër nuk kishte «atë pasuri, elasticitet dhe karakter universal dhe ndërkombëtar si greqishtja». Me fjalorin e saj të pasur e specifik, me gramatikën e detajuar dhe foljet që i shprehnin saktë nuancat e holla të kuptimit, ajo ishte «një gjuhë e përshtatshme për komunikim, për përhapjen e informacioneve e të ideve—pikërisht gjuha që u duhej të krishterëve». Pra, a nuk ishte e përshtatshme që Shkrimet e Krishtere të shkruheshin në greqisht?

[Shënimi]

^ par. 7 Pjesë të shkurtra të Shkrimeve Hebraike u shkruan në aramaisht. Ungjilli i Mateut, me sa duket, në fillim u shkrua në hebraisht dhe pastaj vetë Mateu mund ta ketë përkthyer në greqisht.

[Figura në faqen 13]

Fragment nga një dorëshkrim i Septuagintës greke

[Burimi]

Me mirësjellje nga Israel Antiquities Authority