Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

U paraqitën vullnetarisht për të shërbyer—Në Rusi

U paraqitën vullnetarisht për të shërbyer—Në Rusi

MË 1991 Dëshmitarët e Jehovait në Rusi fluturonin nga gëzimi kur u hoq ndalimi i gjatë i aktivitetit të tyre dhe u njohën ligjërisht. Në atë kohë nuk imagjinohej që numri i Dëshmitarëve atje do të rritej dhjetëfish deri në 170.000 veta sot. Mes këtyre predikuesve të palodhur të Mbretërisë ka edhe Dëshmitarë nga jashtë vendit që janë transferuar në Rusi për të ndihmuar në të korrat frymore. (Mat. 9:37, 38) Le të njohim disa prej tyre.

VËLLEZËR TË GATSHËM FORCOJNË KONGREGACIONET

Mateo nga Britania e Madhe ishte 28 vjeç kur u hoq ndalimi në Rusi më 1991. Gjatë një kongresi të atij viti, në një fjalim u theksua se kongregacionet e Evropës Lindore kishin nevojë për ndihmë. Oratori përmendi rastin e një kongregacioni në Shën-Pjetërburg të Rusisë që nuk kishte asnjë plak, por vetëm një shërbëtor ndihmës. Megjithatë, lajmëtarët drejtonin qindra studime biblike. Mateo thotë: «Pas atij fjalimi s’më shqitej nga mendja Rusia, kështu që iu luta specifikisht Jehovait për dëshirën që të transferohesha atje.» Ai vuri ca para mënjanë, shiti shumicën e plaçkave dhe më 1992 u transferua në Rusi. Si shkuan gjërat pastaj?

Mateo

Mateo tregon: «Ishte e vështirë të mësoje gjuhën. S’arrija të bëja biseda frymore domethënëse.» Një vështirësi tjetër ishte të gjente strehim. «S’mbahet mend sa herë m’u desh të lëvizja nga një shtëpi në tjetrën e shpesh më njoftonin në momentin e fundit.» Pavarësisht nga pengesat e para, Mateo thotë: «Transferimi në Rusi është vendimi më i mirë që kam marrë. Falë shërbimit këtu kam mësuar të mbështetem më shumë te Jehovai dhe kam provuar dorën e tij në sa e sa mënyra.» Më vonë Mateo u emërua plak kongregacioni e pionier special dhe tani shërben në zyrën e degës afër Shën-Pjetërburgut.

Më 1999 Hiroi ishte 25 vjeç kur u diplomua në Shkollën e Stërvitjes për Shërbim në Japoni, dhe një nga instruktorët e nxiti të shërbente në një fushë të huaj. Hiroi kishte dëgjuar për nevojën e madhe në Rusi dhe nisi të mësonte rusisht. Bëri edhe diçka tjetër praktike. Ai tregon: «Shkova në Rusi për gjashtë muaj. Meqë dimri atje është i ashpër, ika në nëntor për të parë nëse do ta përballoja të ftohtin.» Pasi kaloi atë dimër, u kthye në Japoni e bëri një jetë shumë të thjeshtë që të kursente para e të kthehej një herë e mirë në Rusi.

Hiroi dhe Svetlana

Tani ka 12 vjet që jeton në Rusi dhe ka shërbyer në kongregacione të ndryshme. Ndonjëherë ishte i vetmi plak që kujdesej për më se 100 lajmëtarë. Në një nga këto kongregacione çdo javë mbante shumicën e pjesëve në Mbledhjen e Shërbimit, drejtonte Shkollën e Shërbimit Teokratik, Studimin e Kullës së Rojës dhe pesë mbledhje për Studimin e Librit të Kongregacionit. Gjithashtu bënte shumë vizita baritore. Me nostalgji për ato vite, Hiroi shprehet: «Ç’gëzim ndieja tek i ndihmoja ata vëllezër e motra të forcoheshin frymësisht!» Si ndikoi tek ai shërbimi në një vend ku ka më tepër nevojë? Ja si thotë: «Para se të shkoja në Rusi, shërbeja si plak e pionier, por tani më duket sikur kam një lidhje krejt të re me Jehovain. Kam mësuar të mbështetem më tepër tek ai në të gjitha aspektet e jetës.» Më 2005 Hiroi u martua me Svetlanën, dhe së bashku vazhdojnë shërbimin si pionierë.

Majkëlli dhe Ollga me Marinën e Mateon

Mateo 34-vjeçar, dhe vëllai i tij Majkëlli 28-vjeçar, janë nga Kanadaja. Të dy shkuan me pushime në Rusi dhe mbetën gojëhapur kur panë sa shumë të interesuar ndiqnin mbledhjet, por sa pak vëllezër përgjegjës kishte. Mateo tregon: «Kongregacioni ku shkova kishte 200 të pranishëm, por të gjitha mbledhjet i drejtonin vetëm një plak kongregacioni i moshuar dhe një shërbëtor ndihmës i ri në moshë. Ajo që pashë më ngjalli dëshirën të transferohesha atje e t’i ndihmoja ata vëllezër.» Pikërisht këtë bëri më 2002.

Katër vjet më vonë, edhe Majkëlli u transferua në Rusi dhe e kuptoi menjëherë se kishte ende goxha nevojë për vëllezër. Ngaqë ishte shërbëtor ndihmës e caktuan të kujdesej për llogarinë, literaturën dhe territorin. I kërkuan edhe të bënte punën që normalisht i takonte sekretarit të kongregacionit, të mbante fjalime publike, të ndihmonte në organizimin e asambleve dhe në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë. Ç’është e vërteta, edhe sot e kësaj dite kongregacionet kanë ende shumë nevojë për mbështetje. Edhe pse i duhet të punojë fort për shkak të caktimeve të shumta, Majkëlli, që tani shërben si plak, thotë: «Ndiej kënaqësi të madhe kur ndihmoj vëllezërit. S’ka mënyrë më të mirë për të përdorur jetën.»

Me kalimin e kohës, Mateo u martua me Marinën, dhe Majkëlli me Ollgën. Këto dy çifte, bashkë me plot vullnetarë të zellshëm, vazhdojnë t’i ndihmojnë kongregacionet që sa vijnë e shtohen.

MOTRA TË ZELLSHME NDIHMOJNË NË KORRJE

Tatjana

Më 1994, kur Tatjana ishte 16 vjeçe, në kongregacionin e saj në Ukrainë erdhën të shërbenin gjashtë pionierë specialë nga Republika Çeke, Polonia e Sllovakia. Ajo i kujton me mall dhe thotë: «Këta pionierë të zellshëm, të afrueshëm dhe të dashur e dinin Biblën në majë të gishtave.» Ajo e pa se si Jehovai e bekoi frymën e tyre vetëmohuese dhe mendoi: «Dua të bëhem si ata.»

Falë shembullit të tyre të mirë, Tatjana shfrytëzoi pushimet e verës që të shkonte në territore të thella në Ukrainë e në Bjellorusi ku Dëshmitarët nuk kishin predikuar kurrë. U kënaq kaq shumë atje, saqë bëri plane të zgjeronte shërbimin e të transferohej në Rusi. Shkoi për pak kohë dhe qëndroi te një motër që ishte transferuar nga jashtë vendit. Gjithashtu gjatë kësaj kohe kërkoi një punë për të mbajtur veten teksa shërbente si pioniere. Më vonë, në vitin 2000, shkoi të jetonte në Rusi. A e pati të vështirë?

Tatjana tregon: «Nuk ma mbante xhepi të paguaja qiranë e një apartamenti, prandaj m’u desh të merrja me qira një dhomë në shtëpinë e dikujt tjetër. Kjo nuk ishte kollaj dhe hera-herës doja të kthehesha në shtëpi. Por Jehovai gjithmonë më ndihmoi të kuptoja se do të ishte në të mirën time po të vazhdoja shërbimin aty.» Sot Tatjana shërben si misionare në Rusi. Ajo përfundon: «Gjithë këto vite larg vendit tim më kanë pasuruar me përvoja të vyera e me miq pa fund. Mbi të gjitha më kanë forcuar besimin.»

Masakoja

Masakoja nga Japonia, që tani është në fillim të të 50-ave, gjatë gjithë jetës ëndërronte të shërbente si misionare, por i dukej e pamundur për shkak të problemeve shëndetësore. Sidoqoftë, kur shëndeti iu përmirësua disi, vendosi të transferohej në Rusi për të dhënë një dorë në korrje. Ndonëse mezi gjente strehim të përshtatshëm dhe punë të qëndrueshme, ia doli të mbante veten e të shërbente si pioniere duke dhënë kurse të gjuhës japoneze dhe duke u marrë me pastrime. Çfarë e ka ndihmuar të vazhdojë shërbimin?

Kur mendon për 14 vjetët që ka shërbyer në Rusi, ajo thotë: «Çfarëdo vështirësie që kam kaluar as që krahasohet me gëzimin që më ka sjellë shërbimi. Predikimi në zona ku nevoja për lajmëtarë të Mbretërisë është e madhe, të ofron një jetë tejet interesante e plot gjallëri.» Ajo shton: «Për mua ka qenë një mrekulli e vërtetë të shoh se si Jehovai ndër vite më ka siguruar ushqimin, veshjen e strehimin.» Përveçse ka shërbyer në zona të Rusisë ku nevoja është më e madhe, Masakoja ka predikuar edhe në Kirgizistan. Për më tepër, ka ndihmuar grupet e gjuhës angleze, kineze dhe ujgure. Tani shërben si pioniere në Shën-Pjetërburg.

FAMILJET MBËSHTETIN VEPRËN DHE BEKOHEN

Inga dhe Mikaili

hpesh ka familje që emigrojnë në vende të tjera sepse ndihen të pasigurt nga ana ekonomike. Por, ashtu si Abrahami dhe Sara në kohët e lashta, disa familje transferohen jashtë shtetit për të ndjekur synime frymore. (Zan. 12:1-9) Të mendojmë për një çift nga Ukraina, Mikaili dhe Inga, që u transferuan në Rusi në vitin 2003. S’kaloi shumë e gjetën njerëz të etur për të vërtetën biblike.

Mikaili rrëfen: «Një herë predikuam në një zonë ku Dëshmitarët s’kishin predikuar më parë. Me të trokitur në një shtëpi, derën e hapi një burrë i moshuar që na pyeti: ‘A jeni predikues?’ Kur i thamë po, na e ktheu: ‘E dija se një ditë do të vinit. S’ka se si të mos përmbushen fjalët e Jezuit.’ Pastaj citoi Mateun 24:14.» Mikaili shton: «Në po atë zonë gjetëm një grup me rreth dhjetë gra baptiste të etura për të vërtetën. Ato kishin librin Ti mund të jetosh dhe çdo fundjavë studionin Biblën me anë të tij. Për orë të tëra iu përgjigjëm pyetjeve të tyre, kënduam së bashku këngë të Mbretërisë dhe hëngrëm darkë me to. Ky është një nga kujtimet e mia më të bukura.» Mikaili dhe Inga janë dakord se shërbimi atje ku ka më tepër nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë i ka afruar më shumë me Jehovain, ua ka thelluar dashurinë për njerëzit dhe i ka bekuar me një jetë plot kënaqësi. Sot shërbejnë në veprën qarkore.

Oksana, Aleksi dhe Juri

Më 2007 Juri dhe Oksana, një çift nga Ukraina që janë në mes të të 30-ave, si dhe i biri Aleksi që tani është 13 vjeç, vizituan zyrën e degës në Rusi. Atje panë një hartë të Rusisë ku kishte zona të mëdha me territore të pacaktuara. Oksana thotë: «Pasi pamë hartën, e kuptuam më së miri sa nevojë kishte për predikues të Mbretërisë dhe kështu e ndamë mendjen që të transferoheshim në Rusi.» Ç’i ndihmoi tjetër? Juri tregon: «Lexuam artikuj në botime tona, si: ‘A mund të shërbesh në një fushë të huaj?’ * Më pas shkuam për të parë një zonë të Rusisë që na sugjeroi dega si vend të përshtatshëm për t’u transferuar dhe kërkuam shtëpi e punë.» U transferuan në Rusi më 2008.

Fillimisht mezi gjetën punë dhe iu desh të lëviznin sa në një shtëpi në tjetrën. Juri thotë: «Luteshim shpesh të mos shkurajoheshim dhe pastaj vazhdonim predikimin, plot besim se Jehovai do të na mbështeste. E pamë sa shumë merakoset ai për ne kur vëmë në vend të parë interesat e Mbretërisë. Ky lloj shërbimi na forcoi si familje.» (Mat. 6:22, 33) Po tek Aleksi i ri, si ka ndikuar kjo? Oksana thotë: «Ka nxjerrë jashtë mase dobi. Iu kushtua Jehovait dhe u pagëzua kur ishte nëntë vjeç. Ngaqë e kupton nevojën e madhe për predikues të Mbretërisë, ka dëshirë të shërbejë si pionier ndihmës gjatë pushimeve të verës. Na bëhet zemra mal teksa vërejmë dashurinë dhe zellin e tij për shërbimin.» Sot Juri dhe Oksana janë pionierë specialë.

«JAM PISHMAN VETËM PËR NJË GJË»

Siç e bëjnë të qartë shprehjet më sipër, kërkohet besim i plotë te Jehovai që të transferohesh në vende të tjera për të zgjeruar shërbimin. Është e vërtetë se ata që shërbejnë atje ku ka më shumë nevojë hasin vështirësi në territorin e ri, ama provojnë edhe gëzimin e madh që vjen kur u flasin për lajmin e mirë atyre që e përqafojnë mesazhin për Mbretërinë. Po ti, a mund të ndihmosh në korrje në zona ku ka ende tepër nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë? Nëse merr një vendim të tillë, shumë shpejt mund të ndihesh si Juri, që tha: «Jam pishman vetëm për një gjë: pse vallë nuk e bëra më parë?!»

^ par. 20 Shih Kullën e Rojës të 15 tetorit 1999, faqet 23-27.