Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Alisa

U paraqitën vullnetarisht për të shërbyer​—në Turqi

U paraqitën vullnetarisht për të shërbyer​—në Turqi

TË KRISHTERËT e shekullit të parë bënë goxha përpjekje që t’ua çonin ‘lajmin e mirë për mbretërinë’ sa më shumë njerëzve. (Mat. 24:14) Madje disa udhëtuan për në vende të tjera. Për shembull, apostulli Pavël predikoi anekënd rajonit ku ndodhet Turqia e sotme gjatë udhëtimeve të tij misionare. * Rreth 2.000 vjet më vonë, më 2014-n, Turqia u bë sërish qendra e një fushate speciale predikimi. Pse u organizua kjo fushatë? Kush mori pjesë në të?

«ÇFARË PO NDODH?»

Në Turqi ka mbi 2.800 lajmëtarë, kurse popullsia e këtij vendi është 79 milionë banorë. Kjo do të thotë se raporti është afërsisht 1 lajmëtar në 28.000 banorë. Siç merret me mend, lajmëtarët kanë arritur t’i predikojnë vetëm një numri të vogël banorësh. Synimi i kësaj fushate speciale ishte t’u predikohej sa më shumë njerëzve brenda një kohe të shkurtër. Rreth 550 motra e vëllezër turqishtfolës nga vende të tjera shkuan në Turqi dhe predikuan përkrah lajmëtarëve vendës gjatë kësaj fushate. Çfarë u arrit?

U dha një dëshmi e madhe. Një kongregacion në Stamboll shkroi: «Kur njerëzit na shihnin, pyesnin: ‘Keni ndonjë kongres special këtu? Shohim gjithandej Dëshmitarë të Jehovait!’» Një kongregacion në qytetin e Izmirit shkroi: «Një burrë që punonte te vendqëndrimi i taksive iu afrua një plaku vendës dhe e pyeti: ‘Çfarë po ndodh? Mos keni zgjeruar aktivitetin?’» Pa diskutim që fushata tërhoqi vëmendjen.

Stefani

Pjesëmarrësit nga vende të tjera u kënaqën jashtë mase në veprën e predikimit. Stefani, që është nga Danimarka, tha: «Çdo ditë kisha mundësi t’u predikoja njerëzve që s’kishin dëgjuar kurrë për Jehovain. Ndieja se vërtet po e bëja të njohur emrin e Jehovait.» Zhan-Davidi nga Franca, shkroi: «Vetëm në një rrugë predikuam për orë të tëra. Ishte e mrekullueshme! Shumica nuk i njihnin fare Dëshmitarët e Jehovait. Thuajse në çdo derë, mund të bënim biseda, të tregonim një video dhe të linim literaturë.»

Zhan-Davidi (në qendër)

Në vetëm dy javë, të 550 pjesëmarrësit në fushatë shpërndanë rreth 60.000 botime! U dha vërtet një dëshmi e madhe.

Zelli për shërbimin u rrit. Kjo fushatë speciale ishte goxha motivuese për vëllezërit vendës. Shumë lajmëtarë menduan të nisnin shërbimin e plotkohor. Në fakt, numri i pionierëve të rregullt në Turqi u rrit me 24 për qind në 12 muajt pas fushatës.

Shirini

Pjesëmarrësit nga vendet e tjera u shprehën si ndikoi fushata në shërbimin e tyre edhe pasi u kthyen në shtëpi. Shirini, një motër nga Gjermania, shkroi: «Vëllezërit në Turqi japin dëshmi joformale me shumë lehtësi. Kur bëhet fjalë për të dhënë dëshmi joformale, jam goxha e ndrojtur. Por, falë fushatës speciale, shembullit të vëllezërve vendës dhe lutjeve të shumta, arrita të bëj atë që s’e bëja dot më parë. Madje predikova e shpërndava fletushka në metro! Tani nuk jam aq e ndrojtur sa dikur.»

Johanesi

Johanesi nga Gjermania, tha: «Nxora disa mësime për shërbimin tim. Vëllezërit në Turqi kanë dëshirë të zjarrtë t’u flasin për të vërtetën sa më shumë njerëzve. Ata shfrytëzojnë çdo rast për të dhënë dëshmi. Kur u ktheva në Gjermani, vendosa të bëja të njëjtën gjë. Tani me të vërtetë u predikoj më shumë njerëzve më parë.»

Zejnepja

Zejnepja nga Franca u shpreh: «Kjo fushatë ndikoi jashtëzakonisht te shërbimi im. Më ndihmoi të jem më e guximshme dhe të mbështetem më tepër te Jehovai.»

Lajmëtarët u afruan më shumë me njëri-tjetrin. Dashuria dhe uniteti mes vëllezërve nga vende të ndryshme la mbresa të pashlyeshme. «Shijuam mikpritjen e vëllezërve»,​—tha Zhan-Davidi i përmendur më lart. Pastaj shtoi: «Ata na pranuan si miqtë e tyre dhe si pjesëtarë të familjes. I hapën shtëpitë për ne. E dija që jemi një vëllazëri ndërkombëtare; e kisha lexuar sa e sa herë në botimet tona. Por, kësaj radhe, e përjetova vetë. U ndieva edhe më krenar që jam pjesë e popullit të Jehovait, dhe e falënderoj për këtë privilegj të mrekullueshëm.»

Kler (në qendër)

«Pavarësisht në vinim nga Danimarka, Franca, Gjermania ose Turqia, të gjithë ishim një familje. Dukej sikur Perëndia i kishte fshirë tërë kufijtë kombëtarë me një gomë të madhe»,​—tha Kler nga Franca.

Stefania (në qendër)

Stefania nga Franca shtoi: «Nga fushata speciale mësuam se ajo që na bashkon nuk është kultura ose gjuha, por dashuria që kemi të gjithë ne për Jehovain.»

DOBITË AFATGJATA

Shumë prej pjesëmarrësve nga vende të tjera nisën të mendonin për t’u transferuar në Turqi, pasi atje kishte ende jashtëzakonisht shumë për të bërë. Një numër i madh tashmë janë transferuar. Sa të çmuar janë këta vëllezër e motra që shërbejnë ku ka më tepër nevojë!

Të marrim, për shembull, rastin e një grupi të izoluar prej 25 lajmëtarësh. Për vite të tëra kishin vetëm një plak. Imagjino gëzimin e lajmëtarëve kur gjashtë Dëshmitarë nga Gjermania dhe Holanda u transferuan në vitin 2015 për t’i mbështetur.

SHËRBEJNË ATJE KU ËSHTË VALA E PUNËS

Si u duket jeta në Turqi lajmëtarëve nga vende të tjera që shërbejnë atje prej njëfarë kohe? Është e vërtetë se hera-herës kjo mund të jetë sfiduese, por të shërbesh ku ka më shumë nevojë është një jetë plot bekime. Ja çfarë kanë thënë disa:

Federiko

«Nuk kam shumë gjëra materiale me të cilat të ndihem i lidhur, dhe kjo më ndihmon të jem i lirë e të përqendrohem te gjërat më të rëndësishme»,​—thotë Federiko, një vëlla i martuar në fillim të të 40-ave, i cili u transferua nga Spanja. A e rekomandon ai këtë lloj shërbimi? Ai thotë: «Absolutisht që po! Kur shkon jashtë shtetit për të ndihmuar të tjerët që të njohin Jehovain, në të vërtetë po e lë veten në duart e tij. Kështu e ndien kujdesin e dashur të Jehovait më shumë se kurrë.»

Rudi

Rudi nga Holanda, një vëlla i martuar në fund të të 50-ave, shprehet: «Ndihemi të kënaqur sa s’thuhet ndërsa shërbejmë atje ku është vala e punës dhe u flasim për të vërtetën kaq shumë njerëzve që s’kanë dëgjuar kurrë për të. Kur sheh si u rrezaton fytyra atyre që pranojnë të vërtetën, të mbushet zemra me gëzim.»

Sasha

Sasha, një vëlla i martuar në fillim të të 40-ave që u transferua nga Gjermania, thotë: «Sa herë që dal në shërbim, takoj njerëz që e dëgjojnë të vërtetën për herë të parë. Kur u jap atyre mundësinë të njohin Jehovain, ndiej një kënaqësi të papërshkrueshme.»

Acukoja

Acukoja nga Japonia, një motër e martuar në mes të të 30-ave, thotë: «Në të kaluarën kam dashur gjithnjë që Harmagedoni të vinte menjëherë. Por, pasi u transferova në Turqi, e falënderoj Jehovain që vazhdon të tregojë durim. Sa më shumë e kuptoj si i drejton gjërat Jehovai, aq më shumë dëshiroj t’i afrohem atij.»

Alisa, një motër nga Rusia në fillim të të 30-ave, komenton: «Ky lloj shërbimi ndaj Jehovait më ka ndihmuar të shijoj mirësinë e tij.» (Psal. 34:8) Ajo shton: «Jehovain nuk e kam vetëm Atë, por edhe Mik të ngushtë, që po e njoh gjithnjë e më mirë në këtë situatë të re. Jeta ime është e mbushur me momente të gëzueshme, me përvoja emocionuese dhe me bekime të panumërta.»

«SHIHNI FUSHAT»

Falë kësaj fushate speciale predikimi në Turqi, lajmin e mirë e kanë dëgjuar shumë më tepër veta. Prapëseprapë, ekziston ende një territor i paanë që s’është predikuar. Ata që u transferuan për të shërbyer në Turqi, takojnë çdo ditë njerëz që nuk kanë dëgjuar kurrë për Jehovain. A dëshiron të shërbesh në një territor të tillë? Nëse po, të nxitim me këto fjalë: «Ngrini sytë dhe shihni fushat. Ato janë të bardha për korrje.» (Gjoni 4:35) A mund të japësh një dorë në ndonjë cep të botës ku fushat janë «të bardha për korrje»? Nëse po, fillo që tani të bësh hapa praktikë për ta arritur këtë synim. Një gjë është e sigurt: kur e zgjeron shërbimin që lajmi i mirë të përhapet «deri në skajin më të largët të tokës», kjo do të të sjellë bekime të pasura që s’kanë të krahasuar!​—Vep. 1:8.