Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ajo i përkiste familjes së Kajafës

Ajo i përkiste familjes së Kajafës

Disa herë, një zbulim arkeologjik vërteton drejtpërdrejt ose tërthorazi ekzistencën e një personazhi biblik. Për shembull, në vitin 2011, studiues izraelitë botuan informacione për një zbulim të tillë. Bëhet fjalë për një eshtërore varri 2.000-vjeçare, një arkë e dekoruar prej guri gëlqeror ku viheshin kockat e të vdekurve pasi dekompozohej mishi.

Në këtë eshtërore të veçantë ndodhet mbishkrimi: «Miriami, vajza e Jeshuas, birit të Kajafës, prift i Maziahut nga Beth-Imri.» Kryeprifti jude që u përfshi në gjyqin dhe ekzekutimin e Jezuit ishte Kajafa. (Gjoni 11:48-50) Historiani Jozef Flavi e përmend si «Jozefi, që quhej Kajafa». Me sa duket, kjo eshtërore i përkiste një prej të afërmve të tij. Miriami kishte ndonjë lidhje gjaku me Kajafën, meqë në një eshtërore të gjetur më parë që mendohej se i përkiste vetë kryepriftit ishte mbishkruar Jehozef bar Kajafa ose Jozefi, bir i Kajafës. *

Sipas informacioneve nga Autoritetet për Antikitetet e Izraelit (AAI), eshtëroren e Miriamit e rrëmbyen hajdutët që plaçkitën një varr të lashtë. Analiza e këtij objekti dhe mbishkrimi në të vërtetojnë se është autentik.

Kjo eshtërore na tregon edhe diçka të re. Në të përmendet ‘Maziahu’, i fundit nga 24 ndarjet priftërore që shërbenin me rotacion në tempullin e Jerusalemit. (1 Kron. 24:18) Siç thotë AAI-ja, mbishkrimi në këtë eshtërore zbulon se «familja e Kajafës i përkiste ndarjes së Maziahut».

Mbishkrimi përmend edhe Beth-Imrin. Ka dy interpretime të mundshme për këtë pjesë të mbishkrimit. AAI-ja thotë: «Mundësia e parë është që Beth-Imri të jetë emri i një familjeje priftërore—bijtë e Imerit (Ezdra 2:36, 37; Nehemia 7:39-42), ndër pasardhësit e të cilit përfshihen pjesëtarët e ndarjes së Maziahut. Mundësia e dytë është [që Beth-Imri të jetë] vendi i origjinës i së ndjerës ose i tërë familjes së saj.» Sidoqoftë, eshtërorja e Miriamit jep dëshmi se Bibla flet për njerëz realë që u përkitnin familjeve reale.

^ par. 3 Në lidhje me eshtëroren e Kajafës, shih artikullin me titull «Kryeprifti që dënoi Jezuin», në Kullën e Rojës të 15 janarit 2006, faqet 10-13.