Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 Nga arkivat tanë

‘E paharrueshmja’ erdhi tamam në kohë

‘E paharrueshmja’ erdhi tamam në kohë

«E PAHARRUESHME!» Kështu e përshkruan shumë veta «Dramën e Krijimit». Ajo erdhi tamam në kohë dhe u la mbresa të pashlyeshme atyre që e panë. Në të vërtetë, «Drama e Krijimit» dha një dëshmi të madhe në lavdi të Jehovait pak para se regjimi i Hitlerit të niste papritur një përndjekje të egër kundër popullit të Tij në Evropë. Por, çfarë ishte «Drama e Krijimit»?

Drama e re e mori emrin nga libri Schöpfung (Krijimi)

Në vitin 1914, selia botërore e popullit të Jehovait, e cila ndodhej në Bruklin, Nju-Jork, SHBA, nxori «Foto-Dramën e Krijimit». Ishte një prodhim tetorësh me diapozitiva dhe filmime, me ngjyra e zë. «Foto-Dramën» e panë miliona njerëz anembanë botës. Gjithashtu, më 1914 doli një version i saj më i shkurtër, «Drama Eureka». Por, në vitet 20, diapozitivat, filmat dhe pajisjet e projektimit ishin konsumuar shumë. Megjithatë, kishte kërkesa të mëdha për të parë «Foto-Dramën». Për shembull, banorë të Ludvigsburgut, Gjermani, pyetnin: «Kur do të shfaqet përsëri ‘Fotodrama’?» Ç’mund të bëhej?

Për të plotësuar nevojën për shfaqje të tjera të Dramës, në vitet 20, përfaqësues të familjes Bethel në Magdeburg, Gjermani, blenë filma nga një agjenci lajmesh në Paris, Francë, si dhe diapozitiva nga kompani grafike në Lajpcig dhe Dresden. Këta u bashkuan me disa diapozitiva të vjetër të «Fotodramës» që mund të përdoreshin ende.

Vëlla Erik Frosti, një muzikant i talentuar, kompozoi muzikën që do të shoqëronte filmimet dhe diapozitivat. Teksti i tregimtarit u mor pjesërisht nga libri ynë Krijimi (angl.). Ja pse versionit të rishikuar të «Fotodramës» iu dha një emër i ri, «Drama e Krijimit».

Drama e re ishte e gjatë sa «Fotodrama», tetë orë, dhe shfaqej në pjesë për disa mbrëmje me radhë. Në të paraqiteshin hollësi tërheqëse për ditët e krijimit, shqyrtohej historia biblike dhe botërore, si dhe theksohej se feja e rreme e kishte zhgënjyer njerëzimin. «Drama e Krijimit» u shfaq në Austri, Gjermani, Luksemburg dhe Zvicër, si edhe gjetiu në auditorët gjermanishtfolës.

Erik Frosti dhe notat e tij muzikore për «Dramën e Krijimit»

Erik Frosti shpjegoi: «Gjatë shfaqjeve të Dramës i nxitja kolegët, sidomos ata të orkestrës, që të shfrytëzonim intervalin për të shkuar radhë më radhë që t’i ofronim auditorit librezat  dhe librat tanë të mrekullueshëm. Më shumë literaturë shpërndamë në këtë mënyrë, se sa mund të shpërndanim shtëpi më shtëpi.» Johan Raute, i cili organizoi shfaqje të dramës në Poloni dhe në Republikën e sotme Çeke, kujton se shumë në auditor dhanë adresat që t’i vizitonim. Ato adresa ishin baza për rivizita të frytshme.

Në vitet 30, sallat ku shfaqej «Drama e Krijimit» ishin të stërmbushura dhe Dëshmitarët e Jehovait i mbanin në gojë të gjithë. Deri më 1933, pothuajse një milion njerëz kishin parë shfaqjet e dramës të organizuara nga zyra e degës në Gjermani. Keti Krausi kujton: «Vetëm për të parë Dramën, bëmë çdo ditë më këmbë për pesë ditë me radhë 10 kilometra vajtje e po aq edhe ardhje, nëpër pyje dhe lart e poshtë nëpër kodra e lugina.» «‘Drama e Krijimit’ i hodhi themelet dashurisë sime për të vërtetën»,—thotë Elsa Billharci.

Alfred Almendingeri tregon se, kur e ëma ndoqi Dramën, «u emocionua aq shumë, saqë bleu një Bibël dhe kërkoi në të fjalën ‘purgator’». Meqë s’e gjeti dot, nuk shkoi më në kishë dhe u pagëzua. Erik Frosti kujtonte se «shumë e shumë veta pranuan të vërtetën falë ‘Dramës së Krijimit’».3 Gjon. 1-3.

Atëherë kur shfaqjet e «Dramës së Krijimit» arritën maksimumin, Evropën e përfshiu stuhia e nazizmit. Duke filluar nga viti 1933, aktivitetet e Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermani u ndaluan. Që nga ajo kohë e deri në fund të Luftës II Botërore, më 1945, shërbëtorët e Jehovait në Evropë hasën përndjekje të flaktë. Erik Frosti kaloi rreth tetë vjet si i burgosur. Por mbijetoi, dhe më vonë shërbeu në Bethelin e Visbadenit, Gjermani. Sa mirë që e paharrueshmja «Drama e Krijimit» erdhi tamam në kohë që t’ua shtonte guximin mjaft të krishterëve përballë sprovave të besimit që do të hasnin gjatë Luftës II Botërore!—Nga arkivat tanë në Gjermani.