Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shërbëtorët e Jehovait kanë shpresë të vërtetë

Shërbëtorët e Jehovait kanë shpresë të vërtetë

Shërbëtorët e Jehovait kanë shpresë të vërtetë

«Mbetja e Jakobit do të bëhet në mes të shumë popujve si vesë prej Jehovait, . . . që nuk shpresojnë gjë prej njeriut.»​—MIKEA 5:7, BR.

1. Si është një burim freskimi Izraeli frymor?

JEHOVAI është Personi madhështor që ka bërë shiun dhe vesën. Është e kotë të shpresojmë nga njerëzit, si për vesën, ashtu edhe për shiun. Profeti Mikea shkroi: «Mbetja e Jakobit do të bëhet në mes të shumë popujve si vesë prej Jehovait, si shirat e bollshëm mbi bimësinë, që nuk shpresojnë gjë prej njeriut dhe as nuk presin gjë prej bijve të njerëzve.» (Mikea 5:7, BR) Cilët e përbëjnë sot ‘mbetjen e Jakobit’? Janë izraelitët frymorë, mbetja e ‘Izraelit të Perëndisë’. (Galatasve 6:16) Për ‘shumë popuj’ të tokës, ata janë si «vesë prej Jehovait», një vesë freskuese, dhe si «shirat e bollshëm mbi bimësinë». Po, të krishterët e mirosur sot janë për popujt një bekim nga Perëndia. Jehovai po i përdor ata si lajmëtarë të Mbretërisë për t’u dhënë njerëzve mesazhin e tij të shpresës së vërtetë.

2. Pse kemi shpresë të vërtetë, ndonëse jetojmë në këtë botë të trazuar?

2 Nuk duhet të habitemi që kjo botë nuk ka shpresë të vërtetë. Paqëndrueshmëri politike, rënie morale, krime, krizë ekonomike, terrorizëm, luftëra​—gjëra të tilla i presim në një botë ku sundon Satana Djalli. (1 Gjonit 5:19) Shumë veta janë të frikësuar kur mendojnë se çfarë mund të sjellë e ardhmja. Megjithatë, si adhurues të Jehovait, ne nuk kemi frikë, sepse kemi një shpresë të sigurt për të ardhmen. Shpresa jonë është e vërtetë pasi bazohet në Fjalën e Perëndisë. Kemi besim te Jehovai dhe te Fjala e tij, sepse ajo që thotë ai del gjithmonë e vërtetë.

3. (a) Pse Jehovai do të vepronte kundër Izraelit dhe Judës? (b) Pse fjalët e Mikeas zbatohen edhe sot?

3 Profecia e Mikeas, e frymëzuar nga Perëndia, na forcon që të ecim në emrin e Jehovait dhe na jep një bazë për të pasur shpresë të vërtetë. Në shekullin e tetë p.e.s., kur profetizoi Mikea, populli me të cilin Perëndia kishte bërë një besëlidhje ishte ndarë në dy kombe: Izraelin dhe Judën. Që të dyja këto kombe po e shpërfillnin besëlidhjen e Perëndisë. Pasojat ishin rënia morale, apostazia fetare dhe materializmi flagrant. Prandaj Jehovai i paralajmëroi se do të ndërmerrte veprime kundër tyre. Sigurisht, paralajmërimet e Perëndisë u drejtoheshin bashkëkohësve të Mikeas. Por gjendja në kohën tonë është kaq e ngjashme me atë të kohës së Mikeas, saqë fjalët e tij zbatohen edhe tani. Kjo do të bëhet e dukshme ndërsa shqyrtojmë disa pika kryesore nga shtatë kapitujt e librit të Mikeas.

Çfarë na tregon një përmbledhje e librit?

4. Çfarë të dhënash gjejmë në kapitullin e parë deri në kapitullin e tretë të Mikeas?

4 Le t’i hedhim një sy shkurtimisht përmbajtjes së librit të Mikeas. Në kapitullin e parë, Jehovai demaskon kryengritjen e Izraelit dhe të Judës. Si pasojë e ligësisë, Izraeli do të shkatërrohet, kurse ndëshkimi i Judës do të arrijë madje deri te portat e Jerusalemit. Kapitulli i dytë zbulon se ata që janë të pasur e të fuqishëm po shtypin të dobëtit dhe të pambrojturit. Megjithatë në këtë kapitull ka edhe një premtim hyjnor. Perëndia do ta mbledhë popullin e tij në unitet. Në kapitullin e tretë gjejmë shpalljet e Jehovait kundër udhëheqësve të kombit dhe profetëve të ligj. Udhëheqësit shtrembërojnë drejtësinë dhe profetët thonë gënjeshtra. Pavarësisht nga kjo, Mikea merr fuqi nga fryma e shenjtë për të shpallur gjykimin që po vjen prej Jehovait.

5. Cilat janë pikat kryesore të kapitullit të katërt e të pestë të Mikeas?

5 Kapitulli i katërt parathotë se në pjesën përfundimtare të ditëve, të gjitha kombet do të vijnë në malin e lartësuar të shtëpisë së Jehovait për t’u mësuar nga ai. Para se të ndodhë kjo, Juda do të çohet në mërgim në Babiloni, por Jehovai do ta çlirojë. Kapitulli i pestë zbulon se Mesia do të lindë në Betlehem të Judës. Ai do të kullotë popullin e tij dhe do t’i çlirojë nga kombet shtypëse.

6, 7. Cilat pika paraqiten në kapitullin e gjashtë dhe të shtatë të profecisë së Mikeas?

6 Kapitulli i gjashtë i Mikeas përshkruan akuzat që i bën Jehovai popullit të tij, të paraqitura në trajtën e një çështjeje ligjore. Çfarë ka bërë Jehovai që populli i tij të rebelohet kështu? Asgjë. Madje kërkesat e tij janë shumë të arsyeshme. Ai dëshiron që adhuruesit e tij të tregojnë drejtësi dhe të jenë mirëdashës e modestë ndërsa ecin me të. Në vend që të bënin këtë, Izraeli dhe Juda kanë ndjekur rrugën e kryengritjes dhe do t’u duhet të vuajnë pasojat.

7 kapitullin e fundit të profecisë së tij, Mikea demaskon ligësinë e bashkëkohësve të tij. Gjithsesi atë nuk e lëshon zemra, sepse është i vendosur ‘të tregojë një qëndrim pritës’ për Jehovain. (Mikea 7:7, BR) Libri përfundon me një shprehje sigurie se Jehovai do të ketë mëshirë për popullin e Tij. Historia dëshmon se kjo shpresë u plotësua. Në vitin 537 p.e.s., kur disiplinimi që i bëri Jehovai popullit të tij përfundoi, me mëshirë ai e rivendosi një mbetje në atdheun e tyre.

8. Si do ta thoshit me pak fjalë përmbajtjen e librit të Mikeas?

8 Çfarë informacionesh të shkëlqyera që zbulon Jehovai me anë të Mikeas! Ky libër i frymëzuar na jep shembuj paralajmërues se si vepron Perëndia me ata që pohojnë se i shërbejnë atij, por janë jobesnikë. Parathotë ngjarje që po ndodhin sot. Veç kësaj, jep këshilla hyjnore se si duhet të sillemi gjatë këtyre kohëve të vështira, me qëllim që ta bëjmë të patundur shpresën tonë.

Zotëria Sovran Jehova flet

9. Çfarë do të bënte Jehovai, sipas Mikeas 1:2?

9 Le ta shqyrtojmë tani më me hollësi librin e Mikeas. Te Mikea 1:2 lexojmë: «Dëgjoni, o mbarë popuj! Kushtoji kujdes, o tokë, me tërë atë që ti përmban! Zoti, Zoti, qoftë dëshmitar kundër jush, Zoti, nga tempulli i tij i shenjtë.» Nëse do të kishe jetuar në kohën e Mikeas, pa dyshim që këto fjalë do të ta kishin tërhequr vëmendjen. Ta tërheqin vërtet vëmendjen, pasi Jehovai po flet nga tempulli i tij i shenjtë dhe nuk po i drejtohet vetëm Izraelit dhe Judës, por njerëzve kudo që janë. Në ditët e Mikeas, njerëzit e kishin shpërfillur për një kohë tepër të gjatë Zotërinë Sovran Jehova. Së shpejti kjo gjendje do të ndryshonte. Jehovai ishte i vendosur të ndërmerrte veprime vendimtare.

10. Pse fjalët e Mikeas 1:2 kanë rëndësi për ne?

10 E njëjta gjë është e vërtetë për ditët tona. Zbulesa 14:18-20 tregon se Jehovai po komunikon përsëri nga tempulli i tij i shenjtë. Së shpejti, ai do të ndërmarrë veprime vendimtare dhe njerëzimi do të tronditet përsëri nga ngjarje historike. Këtë herë ‘hardhia [e ligë] e tokës’ do të hidhet në shtypësen e madhe të rrushit të zemërimit të Jehovait, duke sjellë si pasojë shkatërrimin e plotë të sistemit të Satanait.

11. Çfarë nënkuptojnë fjalët e Mikeas 1:3, 4?

11 Dëgjoni se ç’do të bëjë Jehovai. Mikea 1:3, 4 thotë: «Ja, Zoti del nga banesa e tij, zbret dhe ecën mbi lartësitë e tokës; malet shkrihen poshtë tij dhe luginat treten si dylli para zjarrit, si ujërat që rrjedhin në një brinjë.» A do ta lërë Jehovai banesën e tij qiellore dhe të ecë në mënyrë të mirëfilltë në malet dhe pllajat e Tokës së Premtuar? Jo. S’ka nevojë ta bëjë këtë. Thjesht ai do të kthejë vëmendjen ndaj tokës, me qëllim që të kryhet vullneti i tij. Për më tepër, gjërat e përshkruara nuk do t’i pësojë terreni fizik, por banorët e tij. Kur Jehovai të veprojë, përfundimi do të jetë shkatërrimtar për ata që janë jobesnikë, tamam sikur malet të shkriheshin si dylli dhe pllajat të çaheshin nga ndonjë tërmet.

12, 13. Çfarë e bën të sigurt shpresën tonë, në përputhje me 2 Pjetrit 3:10-12?

12 Fjalët profetike të Mikeas 1:3, 4 mund t’ju kujtojnë një profeci tjetër të frymëzuar që parathotë ngjarje shkatërrimtare në tokë. Siç dokumentohet te 2 Pjetrit 3:10, apostulli Pjetër shkroi: «Dita e Jehovait do të vijë si një hajdut, në të cilën qiejt do të kalojnë me një zhurmë vërshëllyese, por elementët, duke qenë tejet të nxehtë, do të shpërbëhen dhe toka e veprat në të do të zbulohen.» Ashtu si profecia e Mikeas, fjalët e Pjetrit nuk zbatohen për qiejt dhe tokën e mirëfilltë. Ato kanë të bëjnë me një shtrëngim të madh që po vjen mbi këtë sistem të paperëndishëm.

13 Pavarësisht nga ky shkatërrim që po vjen, të krishterët mund të kenë siguri për të ardhmen, ashtu siç kishte Mikea. Si? Duke ndjekur këshillën që gjendet në vargjet pasuese të letrës së Pjetrit. Apostulli thotë: «Ç’lloj personash duhet të jeni ju në vepra të shenjta sjelljeje dhe në veprime të devocionit [përkushtimit] hyjnor, duke pritur dhe duke e mbajtur gjithnjë në mend praninë e ditës së Jehovait!» (2 Pjetrit 3:11, 12) Shpresa jonë për të ardhmen do të jetë e sigurt, po qe se zhvillojmë një zemër të bindur dhe sigurohemi që sjellja jonë të jetë e shenjtë e jeta jonë të jetë plot me veprime të përkushtimit hyjnor. Për ta bërë të sigurt shpresën tonë, duhet të mbajmë mend edhe që dita e Jehovait me siguri do të vijë.

14. Pse Izraeli dhe Juda e meritojnë ndëshkimin?

14 Jehovai shpjegon pse populli i tij i lashtë e meriton të ndëshkohet. Mikea 1:5 thotë: «E tërë kjo për shkak të shkeljes së Jakobit dhe për mëkatet e shtëpisë së Izraelit. Cila është shkelja e Jakobit? Mos vallë Samaria? Cilat janë vendet e larta të Judës? A mos vallë Jerusalemi?» Izraeli dhe Juda ia detyrojnë Jehovait ekzistencën e tyre. E megjithatë, janë rebeluar kundër tij dhe rebelimi i tyre arrin deri në kryeqytetet përkatëse, në Samari dhe në Jerusalem.

Praktikat e liga janë me bollëk

15, 16. Për çfarë veprash të liga ishin fajtorë bashkëkohësit e Mikeas?

15 Një shembull i ligësisë së bashkëkohësve të Mikeas përshkruhet në mënyrë të gjallë te Mikea 2:1, 2: «Mjerë ata që bluajnë në mendje paudhësi dhe projektojnë të keqen mbi shtretërit e tyre; në dritën e mëngjesit e kryejnë, sepse pushteti është në duart e tyre. Dëshirojnë me të madhe arat dhe i marrin me dhunë, shtëpitë dhe i marrin; kështu shtypin me hile njeriun dhe shtëpinë e tij, individin dhe pronën e tij.»

16 Njerëzit lakmitarë rrinë zgjuar natën dhe thurin plane se si të shtien në dorë arat dhe shtëpitë e fqinjëve. Në mëngjes nxitojnë të vënë në jetë planet e tyre. Nuk do të kryenin vepra të tilla të liga, po të kujtonin besëlidhjen e Jehovait. Ligji i Moisiut përmban rregulla për të mbrojtur të varfrit. Nën këtë Ligj asnjë familje nuk duhej ta humbte përgjithmonë trashëgiminë e saj. Por, kjo gjë nuk i shqetëson këta njerëz lakmitarë. Ata i shpërfillin fjalët e Levitikut 19:18, ku thuhet: «Do ta duash të afërmin tënd si veten tënde.»

17. Çfarë mund të ndodhë kur ata që pohojnë se i shërbejnë Perëndisë vënë në vend të parë në jetë gjërat materiale?

17 Kjo tregon se çfarë mund të ndodhë kur njerëzit që pohojnë se i shërbejnë Perëndisë lënë pas dore synimet frymore dhe kërkojnë më parë gjërat materiale. Pavli i paralajmëroi të krishterët e kohës së tij: «Ata që janë të vendosur për të qenë të pasur bien në tundim, në lak dhe në shumë dëshira të pamenda e të dëmshme, të cilat i zhytin njerëzit në shkatërrim dhe në rrënim.» (1 Timoteut 6:9) Kur dikush e bën fitimin e parave qëllimin e tij kryesor në jetë, në të vërtetë po adhuron një perëndi të rremë, pra Mamonin ose Pasurinë. Ky perëndi i rremë nuk jep asnjë shpresë të sigurt për të ardhmen.​—Mateu 6:24.

18. Çfarë do t’u ndodhte materialistëve të kohës së Mikeas?

18 Shumë veta në ditët e Mikeas e mësuan duke e provuar mbi kurrizin e tyre se është e kotë të mbështetesh në gjërat materiale. Sipas Mikeas 2:4, Jehovai thotë: «Atë ditë do të dalë një proverb rreth jush, do të ngrenë një vajtim të zemërlënduar dhe do të thonë: ‘Jemi plotësisht të shkatërruar.’ Ai ka ndryshuar trashëgiminë e popullit tim. Ah, si ma mori! Arat tona ua shpërndau të pabesëve.» Po, ata grabitës shtëpish dhe arash do të humbasin vetë trashëgiminë e tyre familjare. Do të çohen me forcë në një vend të huaj dhe zotërimet e tyre do të shkatërrohen nga «të pabesët» ose njerëzit e kombeve. Çdo shpresë për një të ardhme të begatë do të shuhet.

19, 20. Çfarë u ndodhi judenjve që besonin te Jehovai?

19 Sidoqoftë, shpresa e atyre që besojnë te Jehovai nuk do të shuhet. Jehovai është besnik ndaj besëlidhjeve të tij me Abrahamin dhe Davidin. Gjithashtu, ka mëshirë për ata që, si Mikea, e duan atë dhe brengosen ngaqë bashkëkombësit e tyre largohen nga Perëndia. Për hir të njerëzve të drejtë, do të ketë një rivendosje në kohën e duhur sipas Perëndisë.

20 Kjo gjë ndodh në vitin 537 p.e.s., pas rënies së Babilonisë, kur një mbetje e judenjve kthehet në atdhe. Në këtë kohë ndodh një përmbushje fillestare e fjalëve të Mikeas 2:12. Jehovai thotë: «Do të mbledh me siguri gjithçka, o Jakob, do të mbledh me siguri mbeturinën [mbetjen, BR] e Izraelit; do t’i vë bashkë si delet në një vathë, si një kope ne mes të kullotës së vet; do të bëjnë një zhurmë të madhe për shkak të morisë së njerëzve.» Sa i dashur që është Jehovai! Pasi e disiplinon popullin e tij, ai e lejon një mbetje të kthehet dhe t’i shërbejë në tokën që u dha paraardhësve të tyre.

Paralele mbresëlënëse me kohën tonë

21. Si janë të ngjashme kushtet e sotme me ato të kohës së Mikeas?

21 A ju bëri përshtypje se sa të ngjashme janë gjërat sot, kur shqyrtuam dy kapitujt e parë të Mikeas? Ashtu si në ditët e Mikeas, shumë veta sot pohojnë se i shërbejnë Perëndisë. Por, ashtu si Juda dhe Jerusalemi, janë të përçarë e madje kanë luftuar kundër njëri-tjetrit. Shumë nga të pasurit në të ashtuquajturin krishterim kanë shtypur të varfërit. Udhëheqësit fetarë po i tolerojnë gjithnjë e më tepër praktikat që dënohen prerazi në Bibël. Nuk habitemi që i ashtuquajturi krishterim do të marrë fund së shpejti, bashkë me pjesën tjetër të ‘Babilonisë së Madhe’, perandorisë botërore të fesë së rreme. (Zbulesa 18:1-5) Gjithsesi, duke ndjekur modelin e kohës së Mikeas, në tokë do të mbeten shërbëtorët besnikë të Jehovait.

22. Cilat janë dy grupet që e kanë vënë shpresën e tyre te Mbretëria e Perëndisë?

22 Në vitin 1919, të krishterët e mirosur besnikë u ndanë përfundimisht nga i ashtuquajturi krishterim dhe nisën t’u shpallnin lajmin e mirë të Mbretërisë të gjitha kombeve. (Mateu 24:14) Si fillim ata kërkuan pjesëtarët e mbetur të Izraelit frymor. Më pas, filluan të mblidhen ‘delet e tjera’, dhe të dy grupet u bënë «një kope e vetme nën një bari të vetëm». (Gjoni 10:16) Edhe pse tani i shërbejnë Perëndisë në 234 vende, të gjithë këta adhurues besnikë të Jehovait janë mbledhur vërtet «në unitet». Tashmë në vathën e deleve ka një ‘mori njerëzish’, ku përfshihen burra, gra e fëmijë. Nuk shpresojnë te ky sistem, por te Mbretëria e Perëndisë, e cila së shpejti do të vendosë parajsën në tokë.

23. Pse jeni të bindur që shpresa juaj është e sigurt?

23 Për sa u përket adhuruesve besnikë të Jehovait, vargu i fundit i Mikeas në kapitullin e dytë, thotë: «Mbreti i tyre do të ecë para tyre dhe Zoti do të jetë në krye të tyre.» A e shihni veten në këtë marshim triumfues, duke ndjekur Mbretin tuaj, Jezu Krishtin dhe duke pasur vetë Jehovain në krye? Nëse po, mund të jeni të bindur se fitorja është e siguruar dhe se shpresa juaj është e sigurt. Kjo do të bëhet edhe më e dukshme ndërsa shqyrtojmë pika të tjera kryesore nga profecia e Mikeas.

Si do të përgjigjeshit?

• Pse Jehovai vendosi të ndërmerrte veprime kundër Judës dhe Izraelit në ditët e Mikeas?

• Çfarë mund të ndodhë kur ata që pohojnë se i shërbejnë Perëndisë i vënë interesat materiale në vend të parë në jetë?

• Pasi keni shqyrtuar kapitullin e parë dhe të dytë të Mikeas, pse jeni të bindur se shpresa juaj është e sigurt?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 9]

Profecia e Mikeas mund të na forcojë frymësisht

[Figurat në faqen 10]

Ashtu si mbetja e judenjve në vitin 537 p.e.s., izraelitët frymorë dhe shokët e tyre çojnë përpara adhurimin e vërtetë