Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mësime nga dokumentimi i lindjes së Jezuit

Mësime nga dokumentimi i lindjes së Jezuit

Mësime nga dokumentimi i lindjes së Jezuit

MILIONA njerëz i tërheqin shumë ngjarjet që lidhen me lindjen e Jezuit. Kjo shihet nga paraqitja e skenave të shumta dhe nga pjesët teatrale të lindjes së tij që luhen anembanë botës në kohën e Krishtlindjeve. Megjithëse janë tepër tërheqëse, ngjarjet lidhur me lindjen e Jezuit nuk u dokumentuan në Bibël për të zbavitur njerëzit. Përkundrazi, ato formojnë një pjesë të gjithë Shkrimit që Perëndia frymëzoi për të na mësuar dhe për të na ndrequr.​—2 Timoteut 3:16.

Nëse Perëndia do të kishte dashur që të krishterët të kremtonin lindjen e Jezuit, atëherë në Bibël do të ishte dhënë data e saktë e lindjes. A është dhënë? Pasi përmendi se Jezui lindi në kohën kur barinjtë ishin jashtë natën duke ruajtur kopetë, studiuesi biblik i shekullit të 19-të Albert Barnzi arriti në përfundimin: «Nga kjo është e qartë se Shpëtimtari ynë lindi përpara 25 dhjetorit . . . Në këtë kohë bën ftohtë dhe sidomos në krahinat e larta malore afër Betlehemit. Perëndia e ka fshehur datën e lindjes [së Jezuit]. . . . As nuk ishte e rëndësishme ta dinim datën; në qoftë se do të kishte qenë e rëndësishme, Perëndia do ta kishte ruajtur dokumentimin e saj.»

Në dallim nga kjo, katër shkrimtarët e Ungjijve na informojnë qartë për ditën kur vdiq Jezui. Ndodhi ditën e Pashkës, e cila mbahej në pranverë, në ditën e 14-të të muajit judaik nisan. Për më tepër, Jezui i urdhëroi në mënyrë specifike ithtarët që ta kujtonin atë ditë në përkujtim të tij. (Luka 22:19) Bibla nuk përmban asnjë urdhërim për të kremtuar lindjen e Jezuit dhe në të vërtetë as për të kremtuar ditëlindjen e ndonjë personi tjetër. Mjerisht, polemikat për ditën e lindjes së Jezuit mund të errësojnë ngjarjet më të rëndësishme që ndodhën rreth asaj kohe.

Prindër të zgjedhur nga Perëndia

Nga mijëra familje në Izrael ç’lloj prindërish zgjodhi Perëndia për të rritur Birin e tij? A i quajti Ai të rëndësishëm faktorë të tillë, si spikatja dhe pasuria? Jo. Përkundrazi, Jehovai pati parasysh cilësitë frymore të prindërve. Le të shqyrtojmë këngën e lëvdimit të Marisë, siç është dokumentuar te Luka 1:46-55, të cilën ajo e këndoi pasi iu tha se do të kishte privilegjin të bëhej nëna e Mesisë. Midis të tjerave, ajo tha: «Shpirti im madhëron Jehovain . . . sepse ai e ka vështruar pozitën e ulët të skllaves së tij.» Me përulësi, ajo e shihte veten si një person me ‘pozitë të ulët’, skllave e Jehovait. Ajo që është më e rëndësishme, shprehjet e bukura të lëvdimit në këngën e Marisë zbulojnë se ajo ishte një person frymor që i njihte mirë Shkrimet. Edhe pse ishte një pasardhëse mëkatare e Adamit, ajo ishte zgjedhja ideale për të qenë nëna tokësore e Birit të Perëndisë.

Ç’të themi për burrin e Marisë, i cili u bë babai adoptues i Jezuit? Jozefi ishte një marangoz i aftë. Meqenëse ishte i gatshëm të punonte fort me duart e tij, ai ishte në gjendje të siguronte nevojat e familjes, e cila më vonë ishte e përbërë nga pesë djem dhe të paktën dy vajza. (Mateu 13:55, 56) Jozefi nuk ishte i pasur. Kur erdhi koha që Maria të paraqiste birin e parëlindur në tempullin e Perëndisë, Jozefi duhet të jetë ndier i mërzitur që nuk mundi të ofronte si flijim një dele. Në vend të saj, iu desh të jepte pjesën e caktuar për të varfrit. Ligji i Perëndisë thoshte për nënën e një biri të sapolindur: «Në rast se i mungojnë mjetet për të ofruar një qengj [dele, BR], do të marrë dy turtuj ose dy pëllumba të rinj, njërin si olokaust dhe tjetrin si flijimin e mëkatit. Prifti do të bëjë shlyerjen për të dhe ajo do të jetë e pastër.»​—Levitiku 12:8; Luka 2:22-24.

Bibla thotë se Jozefi «ishte i drejtë». (Mateu 1:19) Për shembull, ai nuk pati marrëdhënie me gruan e tij të virgjër deri pas lindjes së Jezuit. Kjo gjë nuk lejoi asnjë keqkuptim për atë se kush do të ishte ati i vërtetë i Jezuit. Nuk duhet të ketë qenë e lehtë për çiftin e sapomartuar që të përmbaheshin nga marrëdhëniet intime, ndërkohë që jetonin nën të njëjtën strehë, por kjo tregon se ata që të dy e çmonin si një thesar privilegjin që ishin zgjedhur të rritnin Birin e Perëndisë.​—Mateu 1:24, 25.

Jozefi, ashtu si Maria ishte një person frymor. Çdo vit, ai e linte punën dhe merrte familjen për të bërë një udhëtim treditor nga Nazareti në Jerusalem që të merrnin pjesë në festën vjetore të Pashkës. (Luka 2:41) Gjithashtu, Jozefi duhet ta ketë stërvitur të riun Jezu që të merrte pjesë në adhurimin e zakonshëm javor në sinagogë, në të cilën lexohej dhe shpjegohej Fjala e Perëndisë. (Luka 2:51; 4:16.) Prandaj, s’ka dyshim që Perëndia zgjodhi për Birin e tij nënën e duhur tokësore dhe atin e duhur adoptues.

Një bekim i madh për barinjtë e përulur

Edhe pse ishte e vështirë për gruan e tij, pasi ishte në muajin e nëntë të shtatzënisë, Jozefi udhëtoi për në qytetin e paraardhësve të tij që të regjistrohej në përputhje me dekretin e Cezarit. Kur çifti mbërriti në Betlehem, nuk mundi të gjente vend për të fjetur në atë qytet të mbushur me turma njerëzish. Kështu, të detyruar nga rrethanat, ata u strehuan në një stallë, në të cilën lindi Jezui dhe ku e vendosën në një koritë. Për të forcuar besimin e këtyre prindërve të përulur, Jehovai u dha dëshminë se kjo lindje ishte vërtet vullneti i Perëndisë. A dërgoi ai për ta siguruar çiftin, një delegacion me pleq të spikatur nga Betlehemi? Jo. Përkundrazi, Perëndia Jehova ua zbuloi këtë gjë barinjve të palodhur që po kalonin natën jashtë duke ruajtur kopetë.

Atyre iu shfaq engjëlli i Perëndisë dhe u tha të shkonin në Betlehem, ku do të gjenin Mesinë e sapolindur «shtrirë në koritë». A u tronditën ose a u penguan këta njerëz të përulur kur dëgjuan se Mesia i sapolindur ndodhej në një stallë? Aspak! Pa u vonuar, ata lanë kopetë dhe u drejtuan për në Betlehem. Kur e gjetën Jezuin, i treguan Jozefit dhe Marisë atë që kishte thënë engjëlli i Perëndisë. Kjo, pa dyshim, ia forcoi çiftit besimin se të gjitha gjërat po shkonin sipas asaj që kishte si qëllim Perëndia. Pastaj «barinjtë u kthyen, duke i dhënë lavdi e duke lëvduar Perëndinë për tërë ato që dëgjuan dhe panë». (Luka 2:8-20) Po, Jehovai kishte bërë zgjedhjen e drejtë, kur ua zbuloi gjërat barinjve me frikë Perëndie.

Nga sa u tha, mësojmë se ç’lloj njerëzish duhet të jemi për të pasur pëlqimin e Jehovait. Nuk duhet të kërkojmë spikatje ose pasuri. Përkundrazi, ashtu si Jozefi, Maria dhe barinjtë, duhet t’i bindemi Perëndisë dhe të tregojmë se e duam duke vënë interesat frymore përpara gjërave materiale. Vërtet, mund të nxjerrim shumë mësime duke medituar rreth dokumentimit të ngjarjeve që ndodhën rreth kohës së lindjes së Jezuit.

[Figura në faqen 7]

Çfarë tregon fakti që Maria ofroi dy pëllumba?

[Figura në faqen 7]

Perëndia vendosi t’ua zbulonte lindjen e Jezuit disa barinjve të përulur