Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Duke u sulur në udhën e Jehovait gjejmë forcë dhe gëzim

Duke u sulur në udhën e Jehovait gjejmë forcë dhe gëzim

Jetëshkrim

Duke u sulur në udhën e Jehovait gjejmë forcë dhe gëzim

TREGUAR NGA LUIXHI D. VALENTINO

«Kjo është rruga, ecni në të!»—këshillon Jehovai. (Isaia 30:21) Që nga koha kur u pagëzova, 60 vjet më parë, synimi im ka qenë të ndjek këtë këshillë. Këtë synim e vura që në fëmijëri, duke parë shembullin e prindërve të mi, imigrantë nga Italia, të cilët u vendosën në Klivlend, Ohajo, SHBA, në vitin 1921. Atje, rritën tre fëmijë: Majkun, vëllanë tim të madh, mua dhe Lidian, motrën e vogël.

PRINDËRIT e mi morën në shqyrtim fe të ndryshme, por përfundimisht u dorëzuan të zhgënjyer. Pastaj, një ditë në vitin 1932, babai po dëgjonte një program radiofonik në italisht. Ishte një emision nga Dëshmitarët e Jehovait dhe babait i pëlqeu ajo që dëgjoi. I shkroi Shoqatës për më shumë të dhëna dhe një Dëshmitar italian nga selia botërore e Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju-Jork, na bëri vizitë. Pas një bisede të gjallë që zgjati deri në agim, prindërit e mi u bindën se kishin gjetur fenë e vërtetë.

Babai dhe mamaja filluan të ndiqnin mbledhjet e krishtere dhe ua hapën shtëpinë mbikëqyrësve udhëtues. Edhe pse isha vetëm një djalë i vogël, këta burra më lanë t’i shoqëroja në veprën e predikimit dhe më bënë që të mendoja për t’i shërbyer Jehovait në kohë të plotë. Një nga këta vizitorë ishte Keri U. Barber, i cili tani është anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait. S’kaloi shumë kohë dhe u pagëzova në moshën 14-vjeçare, në shkurt të vitit 1941, kurse në vitin 1944 fillova shërbimin si pionier në Klivlend. Edhe Majku e Lidia përqafuan udhën e së vërtetës biblike. Majku i shërbeu Jehovait derisa vdiq dhe Lidia e shoqëroi të shoqin, Harold Uidnerin, për 28 vjet në veprën udhëtuese. Sot, ajo me të shoqin shërbejnë si shërbëtorë specialë në kohë të plotë.

Burgu ma forcon vendosmërinë për t’u sulur përpara

Në fillim të vitit 1945, përfundova në burgun federal të Çilikothit, në Ohajo, pasi ndërgjegjja e stërvitur sipas Biblës më shtyu të veproja në harmoni me Isainë 2:4, ku flitet për kthimin e shpatave në plugje. Për njëfarë kohe, autoritetet e burgut i lejonin të burgosurit Dëshmitarë që të kishin vetëm një sasi të kufizuar të literaturës biblike të botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Megjithatë, Dëshmitarët nga një kongregacion aty afër u vinin në ndihmë. Hera-herës, ata hidhnin disa botime në fushat afër burgut. Mëngjesin tjetër, ndërsa të burgosurit i çonin në vendin e punës, ata i kërkonin këto botime dhe pastaj bënin si bënin dhe i futnin në burg. Në kohën kur arrita unë aty, na lejuan të kishim më shumë literaturë. Gjithsesi, e mësova më shumë se kurrë vlerën e ushqimit frymor që siguron Jehovai: një mësim që e kujtoj ende, sa herë që marr një numër të ri të revistave Kulla e Rojës ose Zgjohuni!

Ndonëse na lejohej t’i mbanim mbledhjet e kongregacionit në burg, ata që nuk ishin Dëshmitarë nuk i lejonin të ishin të pranishëm. Megjithatë, disa nëpunës të burgut dhe të burgosur të tjerë që nuk ishin Dëshmitarë i ndoqën mbledhjet fshehurazi e disa, madje, pranuan të vërtetën. (Veprat 16:30-34) Vizitat nga vëllai A. H. Mekmilën ishin një burim i jashtëzakonshëm ngushëllimi. Ai na siguronte gjithnjë se koha që po kalonim në burg nuk ishte e kotë, pasi na stërviste për caktimet e ardhshme. Ai vëlla i dashur më i madh në moshë më preku në zemër dhe ma forcoi vendosmërinë për të ecur në udhën e Jehovait.

Fitoj një shoqe

Lufta II Botërore mbaroi, dyert e burgut u hapën dhe unë rifillova si pionier, në shërbimin e plotkohor. Por në vitin 1947 më vdiq babai. Për të mbështetur familjen, fillova një punë, si dhe u aftësova për të bërë masazhe mjekësore, zanat që do të më ndihmonte gjatë një periudhe të vështirë që përballuam unë dhe ime shoqe rreth 30 vjet më vonë. Por, më duket se po dal pak nga rrjedha e ngjarjeve. Fillimisht, më lejoni t’ju tregoj për time shoqe.

Një pasdite, në vitin 1949, kur isha në Sallën e Mbretërisë, ra zilja e telefonit. Ngrita telefonin dhe dëgjova një zë të ëmbël që tha: «Më quajnë Kristina Gençur. Jam një Dëshmitare e Jehovait. Jam transferuar në Klivlend për të gjetur punë dhe dëshiroj të shoqërohem me një kongregacion.» Salla jonë e Mbretërisë ishte larg vendit ku jetonte ajo, por më pëlqeu tingulli i zërit të saj, kështu që i dhashë udhëzime si të gjente sallën tonë dhe e nxita të vinte atë të diel, meqë ishte dita kur do të mbaja fjalimin publik. Të dielën, shkova i pari në Sallën e Mbretërisë, por nuk erdhi asnjë motër që nuk e njihja. Gjatë gjithë fjalimit, i hidhja një sy vazhdimisht hyrjes, por nuk erdhi asnjë njeri. Ditën tjetër e mora në telefon dhe më tha se nuk ishte mësuar ende me linjën e autobusave. Kështu, i propozova që ta takoja dhe t’ia shpjegoja më mirë gjërat.

Mora vesh se prindërit e saj, imigrantë nga Çekosllovakia, kishin filluar të shoqëroheshin me Studentët e Biblës, pasi kishin lexuar broshurën Ku janë të vdekurit? Prindërit ishin pagëzuar në vitin 1935. Në vitin 1938, babai i Kristinës ishte bërë shërbëtor i kompanisë (që tani quhet mbikëqyrësi drejtues) i kongregacionit të Dëshmitarëve të Jehovait në Klajmer, Pensilvani, SHBA, dhe në vitin 1947, Kristina ishte pagëzuar në moshën 16-vjeçare. Nuk m’u desh shumë kohë të bija në dashuri me këtë motër të bukur dhe frymore. U martuam më 24 qershor 1950 dhe, që nga ajo kohë, Kristina ka qenë shoqja ime besnike, gjithnjë e gatshme për të vënë në vend të parë interesat e Mbretërisë së Perëndisë. I jam mirënjohës Jehovait që kjo shoqe e aftë pranoi ta lidhte jetën e saj me timen.—Fjalët e urta 31:10.

Një e papritur e madhe

Më 1 nëntor 1951 filluam së bashku shërbimin si pionierë. Dy vjet më vonë, në një kongres në Toledo, Ohajo, vëllezërit Hygo Riemer dhe Albert Shrëder folën para një grupi pionierësh të interesuar për shërbimin misionar. Ne ishim mes tyre. Na nxitën që të vazhdonim të shërbenim si pionierë në Klivlend, por muajin tjetër, na ndodhi një e papritur e madhe: një ftesë për të ndjekur klasën e 23-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit, e cila fillonte në shkurt të vitit 1954!

Rrugës për në Shkollën e Galaadit, e cila atëherë ndodhej në Lansingun Jugor, Nju-Jork, Kristina ishte kaq e tendosur, saqë më thoshte vazhdimisht: «Jepi më ngadalë makinës!» I thashë: «Kristina, po të ecim më ngadalë se kaq, do të jemi si në parking.» Sidoqoftë, pasi arritëm në vendin ku ndodhej kompleksi, shumë shpejt u ndiem më rehat. Vëllai Nejthën Nor i uroi mirëseardhjen grupit të studentëve dhe na shoqëroi që të shikonim Galaadin. Gjithashtu, na shpjegoi si të kursenim ujin dhe energjinë elektrike, duke theksuar se kursimi është një virtyt, kur kujdesemi për interesat e Mbretërisë. Kjo këshillë na u ngulit në mendje. Ende e zbatojmë në jetën tonë.

Udhëtojmë me avion për në Rio

Pas pak kohe u diplomuam dhe, më 10 dhjetor 1954, hipëm në një avion në qytetin e Nju-Jorkut, ku ishte dimër, të entuziazmuar nga ideja se po shkonim në caktimin tonë të ri, në Rio-de-Zhanejron tërë diell, në Brazil. Piter dhe Billi Karrbelo, misionarë të tjerë, udhëtuan me ne. Fluturimi duhej të zgjaste 24 orë, me ndalesa në Porto-Riko, Venezuelë dhe Belém, në Brazilin Verior. Sidoqoftë, për shkak të problemeve të motorit, kaluan 36 orë para se të shihnim poshtë nesh Rio-de-Zhanejron. Por, çfarë pamjeje madhështore që ishte! Dritat e qytetit feksnin si diamante të zjarrta në një qilim të zi dhe drita e argjendtë e hënës shkëlqente në ujërat e Gjirit të Guanabarës.

Disa anëtarë të familjes Bethel po na pritnin në aeroport. Pasi na dhanë një mirëseardhje të ngrohtë, na shoqëruan për në zyrën e degës dhe, rreth orës 3 të mëngjesit, u shtrimë për të fjetur. Disa orë më vonë, zilja e zgjimit na kujtoi se kishte filluar dita jonë e parë si misionarë.

Një nga mësimet e para

Shumë shpejt morëm një mësim të rëndësishëm. Kishim kaluar një darkë në shtëpinë e një familjeje Dëshmitarësh. Kur donim të ktheheshim në degë, i zoti i shtëpisë kundërshtoi, duke thënë «jo, nuk mund të ikni, po bie shi», dhe u përpoq të na bindte që ta kalonim aty natën. «Edhe në vendin nga vijmë ne bie shi»,—i thashë, duke e kundërshtuar me një të qeshur. Kështu, u nisëm.

Për shkak të maleve që rrethojnë Rion, uji i shiut grumbullohet me shpejtësi dhe vërshon nëpër qytet, shpesh duke shkaktuar përmbytje. S’kishim shumë kohë që ecnim dhe uji na kishte arritur te gjunjët. Afër degës, rrugët ishin shndërruar në lumenj vërshues dhe uji na arriti deri në kraharor. Kur arritëm, më në fund, në Bethel, ishim bërë qull fare. Ditën tjetër, Kristina u ndie shumë e dobët dhe ra në shtrat me ethet e tifos, të cilat e lanë të dobët për shumë kohë. Vetëkuptohet, si misionarë të rinj, duhej t’ia kishim vënë veshin këshillës së Dëshmitarëve vendës me përvojë.

Hapat e parë në veprën misionare dhe udhëtuese

Pas këtij fillimi jo shumë të këndshëm, e nisëm me zell shërbimin në fushë. I lexonim një prezantim në portugalisht kujtdo që takonim dhe dukej se përparimi që bënim ishte i njëllojtë për të dy. Një pronar shtëpie i thoshte Kristinës: «Ty të kuptoj, por nuk arrij ta kuptoj atë», duke m’u drejtuar mua. Një pronar tjetër shtëpie më thoshte mua: «Ty të kuptoj, kurse gruan jo.» Megjithatë, u gëzuam jashtë mase që patëm më shumë se 100 pajtime në Kullën e Rojës gjatë atyre pak javëve të para. Në të vërtetë, disa nga studentët tanë të Biblës u pagëzuan gjatë vitit të parë që ishim në Brazil, dhe kjo na bëri të shijonim paraprakisht se sa i frytshëm do të ishte ky caktim misionar.

Në mes të viteve 50, shumë kongregacione në Brazil nuk kishin vizita të rregullta nga mbikëqyrësit qarkorë, sepse mungonin vëllezër të kualifikuar. Prandaj, ndonëse ende po e mësoja gjuhën dhe nuk kisha mbajtur ende një fjalim publik në portugalisht, në vitin 1956 më caktuan në veprën qarkore në shtetin e San-Paulos.

Meqenëse kongregacioni i parë që vizituam nuk kishte pasur një vizitë të mbikëqyrësit qarkor për dy vjet, të gjithë mezi e pritnin fjalimin publik. Për të përgatitur këtë fjalim, preva paragrafë nga artikuj të Kullës së Rojës në portugalisht dhe i ngjita copat e prera në fletë letre. Atë të diel, Salla e Mbretërisë ishte mbushur plot e përplot. Njerëzit ishin ulur madje edhe në podium, duke pritur këtë ngjarje të madhe. Fjalimi, ose më mirë të themi leximi, filloi. Nganjëherë, ngrija sytë dhe, për habinë time, asnjë nuk lëvizte, as edhe fëmijët. Të gjithë m’i kishin ngulur sytë. Mendova: ‘Oh, Valentino, sa qenka përmirësuar portugalishtja jote! Këta njerëz po të ndjekin me vëmendje.’ Vite më vonë, kur e vizitova përsëri atë kongregacion, një vëlla që kishte qenë i pranishëm në atë vizitë të parë, tha: «A të kujtohet fjalimi publik që mbajte? Nuk të kuptuam as edhe një fjalë prej tij.» I rrëfeva se as unë nuk kisha kuptuar shumë nga ai fjalim.

Atë vit të parë në veprën qarkore, lexoja shpesh Zaharinë 4:6. Fjalët ‘jo për fuqinë, por për frymën time’ më kujtonin se fryma e Jehovait ishte arsyeja e vetme që vepra e Mbretërisë përparonte. Dhe ajo vërtet përparoi, me gjithë kufizimet tona të qarta.

Sfida dhe bekime gjatë viteve

Vepra e qarkut nënkuptonte t’i bije kryq e tërthor vendit duke pasur si bagazhe makinën e shkrimit, kutitë me literaturë, valixhet dhe çantat. Me mençuri, Kristina i numëronte bagazhet që të mos harronim ndonjë prej tyre, ndërsa nxitonim nga njëri autobus te tjetri. Na ndodhte shpesh të udhëtonim 15 orë me autobus nëpër rrugë me pluhur, për të arritur në vendmbërritjen tonë. Disa herë, kjo ishte një torturë për nervat, veçanërisht kur dy autobusa që shkonin në kahe të kundërta kalonin njëkohësisht në një urë që s’mbante. Kalonin kaq afër njëri-tjetrit saqë nuk kishte hapësirë as për të kaluar një fletë letre mes tyre. Udhëtonim, gjithashtu, me tren, me anije, si edhe me kuaj.

Në vitin 1961, filluam të shërbenim në veprën krahinore, duke udhëtuar jo më nga një kongregacion në tjetrin, por nga një qark në tjetrin. Disa mbrëmje gjatë javës, shfaqnim filmat që kishte prodhuar organizata e Jehovait, gjithnjë në një vend të ndryshëm. Shpesh, na duhej të vepronim me shpejtësi për t’ia hedhur klerit vendës, i cili përpiqej t’i pengonte këto shfaqje. Në një qytet, prifti e bindi me forcë pronarin e një salle që ta anulonte kontratën që kishte bërë me ne. Pasi kërkuam për disa ditë, gjetëm një vend tjetër, por nuk i thamë askujt për këtë dhe vazhduam t’i ftonim të gjithë në vendin ku duhej të ishte mbajtur fillimisht shfaqja. Para se të fillonte programi, Kristina shkoi në sallën që duhej të kishim përdorur dhe me qetësi i drejtoi te salla tjetër ata që donin ta shihnin filmin. Atë mbrëmje, 150 veta e panë filmin, i cili kishte titullin e përshtatshëm Shoqëria Bota e Re në veprim.

Ndonëse disa herë vepra udhëtuese në vende të veçuara ishte e lodhshme, vëllezërit e përulur që jetonin atje i vlerësonin kaq shumë vizitat tona dhe ishin kaq mikpritës për të na marrë nëpër shtëpitë e tyre të thjeshta, saqë gjithnjë e falënderonim Jehovain që kishim mundësi të ishim me ta. Miqësia me ta na solli bekime që na e ngrohën zemrën. (Fjalët e urta 19:17; Hageu 2:7) Prandaj, sa të trishtuar ishim kur, pasi kishim shërbyer për 21 vjet në Brazil, ditët tona si misionarë përfunduan!

Gjatë një gjendjeje kritike, Jehovai na tregoi udhën

Në vitin 1975, Kristina u operua. Rifilluam veprën udhëtuese, por shëndeti i Kristinës u keqësua më tej. Na u duk më mirë të ktheheshim në Shtetet e Bashkuara, që ajo të ishte nën kujdesin mjekësor. Në prill të vitit 1976, arritëm në Long-Biç, Kaliforni, dhe qëndruam me mamanë time. Pasi kishim jetuar jashtë shtetit për dy dhjetëvjeçarë, nuk dinim se si ta përballonim këtë gjendje. Unë fillova të bëja masazhe dhe fitimet nga ajo punë na mbajtën. Shteti i Kalifornisë i siguroi Kristinës një vend në spital, por atje ndihej më e dobët çdo ditë që kalonte, sepse mjekët nuk pranonin ta mjekonin pa i dhënë gjak. Të dëshpëruar, iu përgjëruam Jehovait për udhëheqje.

Një pasdite, kur isha në shërbimin në fushë, vura re klinikën e një mjeku dhe, aty për aty, vendosa të hyja. Ndonëse mjeku po bëhej gati të shkonte në shtëpi, më pranoi në zyrën e tij dhe folëm për dy orë. Pastaj, më tha: «E vlerësoj punën tuaj si misionarë dhe do ta mjekoj gruan tuaj pa pagesë dhe pa transfuzion gjaku.» Nuk u besoja dot veshëve.

Ky mjek dashamirës, i cili doli se ishte një specialist i nderuar, e transferoi Kristinën në një spital ku punonte ai dhe, nën kujdesin e tij mjeshtëror, gjendja e saj u përmirësua shpejt. Sa mirënjohës ishim që Jehovai na kishte treguar udhën gjatë asaj kohe të vështirë!

Caktime të reja

Dora-dorës që Kristina rifitonte forcën, shërbyem si pionierë dhe patëm gëzimin të ndihmonim disa njerëz në Long-Biç që të bëheshin adhurues të Jehovait. Në vitin 1982, na u kërkua të merrnim pjesë në veprën qarkore në Shtetet e Bashkuara. E falënderonim Jehovain çdo ditë që na përdori përsëri në veprën udhëtuese, një lloj shërbimi që e donim shumë. Shërbyem në Kaliforni dhe më pas në Nju-Inglënd, ku qarku përfshinte edhe disa kongregacione të gjuhës portugeze. Më vonë, u përfshi edhe Bermuda.

Pas katër vitesh freskuese, morëm një caktim tjetër. Na ftuan të shërbenim si pionierë specialë ku të dëshironim. Ndonëse ishim të trishtuar që lamë veprën udhëtuese, ishim të vendosur të suleshim përpara në këtë caktim të ri. Por, ku? Gjatë veprës udhëtuese, kisha vërejtur se kongregacioni i gjuhës portugeze në Nju-Bedford, Masaçusets, kishte nevojë për ndihmë, kështu që u drejtuam për atje.

Kur arritëm, kongregacioni na bëri një festë të madhe mirëseardhjeje. Kjo na bëri vërtet ta ndienim se të tjerët na donin ende. Na u mbushën sytë me lot. Një çift i ri me dy fëmijë të vegjël, me dashamirësi na mori në shtëpinë e tyre, derisa gjetëm një apartament tonin. Jehovai e bekoi vërtet këtë caktim si pionierë specialë përtej asaj që pritnim. Që nga viti 1986, kemi ndihmuar rreth 40 veta në këtë qytet të bëhen Dëshmitarë. Ata janë familja jonë frymore. Përveç kësaj, kam pasur gëzimin të shoh pesë vëllezër vendës të bëhen barinj të kujdesshëm të kopesë. Ka qenë si të shërbenim në një caktim të frytshëm misionar.

Ndërsa shohim prapa, gëzohemi që i kemi shërbyer Jehovait nga rinia dhe e kemi bërë të vërtetën udhën tonë të jetës. Kuptohet, mosha dhe sëmundjet tani ndikojnë te ne, por forca dhe gëzimi ynë është ende të sulemi në udhën e Jehovait.

[Figura në faqen 26]

Sapo kishim arritur në Rio-de-Zhanejro

[Figura në faqen 28]

Familja jonë frymore në Nju-Bedford, Masaçusets