Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

1 | Lutja—«Hidhni gjithë ankthin tuaj mbi të»

1 | Lutja—«Hidhni gjithë ankthin tuaj mbi të»

BIBLA THOTË: «Hidhni gjithë ankthin tuaj mbi [Perëndinë], sepse ai merakoset për ju.»—1 PJETRIT 5:7.

Ç’do të thotë ky shkrim

Perëndia Jehova na fton të flasim me të për çdo barrë ose peshë që na rëndon në mendje dhe në zemër. (Psalmi 55:22) Asnjë problem nuk është tepër i madh a tepër i vogël për t’u përmendur në lutje. Nëse është me rëndësi për ne, është edhe për Jehovain. T’i lutemi atij është një hap thelbësor për të fituar paqe mendore.—Filipianëve 4:6, 7.

Si na ndihmon

Kur kemi probleme me shëndetin mendor, mund të ndihemi krejtësisht vetëm. Të tjerët jo gjithmonë e kuptojnë plotësisht çfarë po kalojmë. (Proverbat 14:10) Por, kur i shprehim hapur në lutje si ndihemi, Perëndia na dëgjon me dhembshuri dhe na kupton. Jehovai na shikon, di çdo dhembje, luftën tonë dhe do që t’i lutemi për çdo shqetësim.—2 Kronikave 6:29, 30.

Kur i lutemi Jehovait, na forcohet siguria se ai merakoset për ne. Mund të ndihemi si psalmisti që shkroi: «Ti e ke parë sa po vuaj, po, ti m’i njeh brengat e zemrës.» (Psalmi 31:7) Thjesht dijenia se Jehovai vëren çfarë po heqim, na jep shumë zemër që të mos dorëzohemi përballë vështirësive. Por ai bën më shumë sesa kaq. Kupton më mirë se kushdo tjetër çfarë po kalojmë, dhe na ndihmon të gjejmë ngushëllim e inkurajim në Bibël.