Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Rrënjët e padrejtësive

Rrënjët e padrejtësive

Rrënjët e padrejtësive

AFRO dy mijë vjet më parë, Bibla bëri një përshkrim tepër të saktë të shoqërisë së kohës sonë. Ajo thoshte: «Në ditët e fundit do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u përballuar. Njerëzit do të jenë të dashuruar me veten, të dashuruar pas parave, . . . mosmirënjohës, të pabesë, pa përzemërsi të natyrshme, nuk do të jenë të gatshëm për asnjë marrëveshje, . . . pa dashuri për mirësinë, tradhtarë, kokëkrisur, të krekosur, kënaqësidashës në vend se perëndidashës.»​—2 Timoteut 3:1-4.

E kush do ta mohonte se këto tipare negative hasen gjithnjë e më shumë në kohën tonë?! Ato shfaqen në lloj-lloj mënyrash, duke përfshirë lakminë, paragjykimet, qëndrimet antishoqërore, korrupsionin dhe pabarazinë e thellë financiare. Le t’i marrim një nga një.

LAKMIA. Nganjëherë mund të dëgjojmë shprehje, si «lakmia të bën mirë» dhe «lakmia është e mirë». Por këto janë gënjeshtra. Lakmia lëndon. Për shembull, shpesh lakmia fshihet pas mashtrimeve financiare, skemave piramidale dhe huadhënieve e huamarrjeve të papërgjegjshme. Pasojat, si rrënimi ekonomik, kanë lënduar shumë veta. Kuptohet, disa nga viktimat janë për vete lakmitarë. Por mes tyre ka edhe njerëz të pafajshëm, që rrojnë me djersën e ballit, disa nga të cilët kanë humbur shtëpitë e pensionet.

PARAGJYKIMET. Njerëzit me paragjykime i gjykojnë padrejtësisht të tjerët, e madje i diskriminojnë duke u nisur nga përkatësia etnike, ngjyra e lëkurës, gjinia, shtresa shoqërore ose feja. Për shembull, një komitet i Kombeve të Bashkuara zbuloi se në një shtet të Amerikës Jugore, një grua shtatzënë vdiq në një spital ngaqë u diskriminua në një qendër tjetër shëndetësore për shkak të përkatësisë etnike dhe të gjendjes ekonomiko-shoqërore. Në raste ekstreme, paragjykimet kanë çuar në padrejtësi skandaloze, si spastrime etnike dhe gjenocide.

QËNDRIMET ANTISHOQËRORE. Për këto, në përmbledhjen e një libri thuhet: «Çdo vit, si pasojë e sjelljeve antishoqërore, prishen dhjetëra mijë familje, shkatërrohen qindra mijë jetë dhe rrënohen prona me vlerë miliona dollarë. Në shoqërinë tonë, dhuna e agresiviteti kanë marrë dhenë. Ndaj historianët e së ardhmes fare lehtë mund ta përshkruajnë fundin e shekullit të 20-të, jo si ‘Epoka e Kozmosit’ ose ‘Epoka e Informacionit’, por si ‘Epoka Antishoqërore’, pra koha kur shoqëria hyri në luftë me veten.» (Handbook of Antisocial Behavior) Që kur u botua ky libër, më 1997, qëndrimet dhe sjelljet e njerëzve nuk janë përmirësuar aspak.

KORRUPSIONI. Në një artikull për korrupsionin në Afrikën e Jugut, shkruhej se gjatë një periudhe shtatëvjeçare, mbi 81 për qind e 25,2 miliardë randëve (atëherë 4 miliardë dollarë), që iu dhanë seksionit të shëndetësisë të një province, u keqpërdorën. Paratë që «duhej të kishin shkuar për mirëmbajtjen e spitaleve, të poliklinikave dhe të qendrave shëndetësore të provincës» nuk u shfrytëzuan, thuhej në revistën The Public Manager.

PABARAZIA E THELLË FINANCIARE. Sipas një artikulli në revistën Time, në vitin 2005, gati 30 për qind e të ardhurave vjetore të Britanisë «i shkuan 5% të fitimmarrësve më të kamur». Ndërkohë, siç thoshte e njëjta revistë, matanë Atlantikut, «më shumë se 33% e të ardhurave të Amerikës i shkojnë 5% të fitimmarrësve më të kamur». Kurse afro 1,4 miliardë njerëz në mbarë botën jetojnë me 1,25 dollarë në ditë a më pak, dhe çdo ditë vdesin 25.000 fëmijë për shkak të varfërisë.

A ka ndonjë zgjidhje për padrejtësitë?

Më 1987, kryeministri i atëhershëm i Australisë vuri si synim që në vitin 1990 s’do të kishte asnjë fëmijë të varfër në vend. Ajo ditë s’erdhi kurrë. Në fakt, më vonë kryeministri u pendua që vuri atë synim.

E pra, sado pushtet, pasuri a influencë të ketë dikush, prapëseprapë është njeri dhe nuk mund t’i shuajë padrejtësitë. Në të vërtetë, edhe njerëzit me pushtet vuajnë nga padrejtësitë, plaken e vdesin. Ky realitet të sjell ndër mend dy fragmentet e mëposhtme nga Bibla.

«Njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e vet.»​Jeremia 10:23.

‘Mos kini besim te fisnikët, që nuk sjellin dot shpëtim.’​Psalmi 146:3.

Nëse i mbajmë parasysh këto fjalë të mençura, s’do të zhgënjehemi kur përpjekjet e njerëzve të shkojnë kot. Atëherë, mos duhet të dorëzohemi? Aspak! Siç do ta shohim në artikullin e fundit të serisë, një botë vërtet e drejtë duket në horizont. Megjithatë, mund të bëjmë diçka që tani. Mund të shqyrtojmë veten dhe të pyesim: «A mund të jem më i drejtë në marrëdhëniet me të tjerët? A ka disa pika ku mund të përmirësohem?» Këto pyetje trajtohen në artikullin vijues.

[Figurat në faqet 4, 5]

A. Policia kineze arreston një burrë për pjesëmarrje në dhunë etnike

B. Plaçkitje dhe shkatërrim prone në Londër, Angli

C. Varfëri e skajshme në një kamp refugjatësh në Ruandë

[Burimet]

Sipër majtas: © Adam Dean/​Panos Pictures; sipër në qendër: © Matthew Aslett/​Demotix/​CORBIS; sipër djathtas: © David Turnley/​CORBIS