Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si e braktisa rrugën e dhunës?

Si e braktisa rrugën e dhunës?

Si e braktisa rrugën e dhunës?

Treguar nga Hose Antonio Nebrera

SI NDODH që një njeri të bëhet i dhunshëm? Unë e përjetova dhunën në fëmijëri, prandaj e mësova mirë ç’ishte. Im atë shërbente në gardën civile të Spanjës, një regjiment ku jepeshin masa ndëshkimore të rrepta. I ati e kishte fshikulluar shpesh dhe tani babai ndiqte «traditën» familjare. E kishte zakon të më rrihte me rripin e tij të trashë. Si për t’i keqësuar gjërat, një e dy më quante idiot, ndërkohë që motrën e vogël e llastonte. Mamasë i shtinte frikën zemërimi i babait, prandaj s’bënte gjë që të më lehtësonte dufin e mbledhur nga ai trajtim i padrejtë ose që të më jepte ngrohtësinë e munguar.

Kur isha në shkollë me fëmijët e tjerë, krijoja një botë imagjinare ku jeta dukej shumë më e lumtur. Atyre që më shihnin, mbase u dukesha fëmijë i qeshur dhe optimist. Por kjo ishte veç fasada, se përbrenda fshihja frikën dhe inatin. Në fund të çdo dite kthehesha në realitet duke u çapitur avash-avash për në shtëpi, gjithë frikë se mos haja të shara të tjera a ndonjë të rrahur.

Kur isha 13 vjeç, ia mbatha nga ai ambient pa pikë dashurie dhe u regjistrova në një shkollë jezuite me konvikt. Për njëfarë kohe kisha ndër mend të bëhesha prift. Mirëpo, ajo çka përjetova në shkollë nuk i dha kuptim jetës sime. Duhej të zgjoheshim në pesë të mëngjesit që të bënim një dush të ftohtë. Pastaj, tërë ditën ndiqnim një program strikt studimi, lutjesh e shërbesash kishtare, vetëm me ndonjë pushim të vogël tek-tuk.

Na kërkohej të lexonim historitë e «shenjtorëve», ndërsa Bibla nuk përfshihej në lëndët mësimore. E vetmja Bibël që ekzistonte, mbahej në një kuti qelqi dhe na duhej një leje e veçantë që ta lexonim.

Vitin e tretë të shkollës, pjesë e regjimit të rreptë ishin seancat e vetëfshikullimit, që i quanin «ushtrime shpirtërore». Mundohesha të kollofitja llokma të mëdha ushqimi që t’i shpëtoja atij tmerri, por më kot. Pas afro tre vjetësh, më erdhi shpirti në majë të hundës. Ia mbatha nga shkolla jezuite dhe mora rrugën për në shtëpi. Isha 16 vjeç.

Rend pas aventurave

Si u ktheva në shtëpi, nisa të merresha me boks dhe mundje. Falë suksesit në këto sporte të dhunshme ndihesha dikushi, ndërsa zotësia fizike më nxiti të përdorja dhunën që të më dilte imja, njësoj siç kishte bërë babai.

Megjithatë, në moshën 19-vjeçare ndodhi diçka që futi pak ëmbëlsi në jetën time. U takova me Enkarnitën, që pas nëntë muajsh u bë gruaja ime. Ajo pa vetëm fasadën time si njeri i sjellshëm, dashamirës dhe i gëzuar. S’e kishte idenë çfarë vreri mbaja përbrenda. Ky helm i brendshëm nuk vonoi të nxirrte kokë kur më thirrën në ushtri pak pasi na lindi fëmija i parë.

Ca që të mos më qethnin si ushtar, ca nga dëshira për një jetë aventurieri, s’u mendova dy herë po dola vullnetar për në Legjionin e Huaj Spanjoll. Thurja iluzione se do të gjeja lirinë në shkretëtirën marokene dhe do të merrja pjesë në operacione speciale të rrezikshme. Më dukej edhe si një mundësi që të çlirohesha nga përgjegjësitë familjare. Por në fund të fundit, vetëm sa dolën në pah gjithë të zezat e mia.

Shpejt më zuri halli me një rreshter trupmadh e harbut që zbavitej duke keqtrajtuar rekrutët e rinj. I urreja padrejtësitë dhe s’ia përtoja të luftoja për atë që më dukej e drejtë. Një mëngjes, gjatë apelit, bëra një shaka që rreshteri e mori për ters. Kur ngriti krahun të më godiste, ia përdrodha vrik dhe e plasa përtokë. Ia mbajta dorën të mbërthyer përdhe nga frika se, po ta lëshoja, më qëllonte me pistoletë.

Nga ai incident më ndëshkuan tre muaj bashkë me një skuadër të dënuarish. Përfundova në një dhomë të vogël të zbrazët me afro 30 burra. Gjatë gjithë asaj kohe nuk pata mundësi as të ndërroja rrobat. Skuadra jonë kishte një rreshter sadist që kënaqej duke i rrahur me kamxhik burrat. Mirëpo një herë, kur e kërcënova me vdekje po të më prekte, ma uli dënimin nga 30 fshikullime në 3. Kisha mësuar të tregohesha po aq i egër sa torturuesit e mi.

Me misione sekrete

Teksa stërvitesha në legjionin e huaj, kuturisa të dilja vullnetar për «aventura» të tjera. Prapë s’e kisha idenë ku do të më çonte ky hap. Më stërvitën si komando, që përfshinte përdorimin e lloj-lloj armëve dhe eksplozivëve. Për të përfunduar kursin, më dërguan në Langli të Virxhinias, Shtetet e Bashkuara, ku u stërvita me agjentët e CIA-s.

S’kaloi shumë dhe u bëra pjesë e një grupi sekret komandosh. Në vitet 60 mora pjesë në dhjetëra misione të fshehta. U përfshiva në operacione kundër trafikantëve të drogës dhe kontrabandistëve të armëve në Amerikën Qendrore e Jugore. Kur përballeshim me ata njerëz, sipas udhëzimeve, duhej «t’i likuidonim». Më vjen rëndë të them se mora pjesë aktivisht në ato operacione. Nuk mbanim kurrë të burgosur, përveç atyre që duhej t’i merrnim në pyetje për t’u nxjerrë informacione.

Më pas më caktuan të spiunoja krerët e ushtrisë spanjolle, me qëllim që të zbuloja cilët kishin rezerva ndaj diktaturës së gjeneralit Franko. Spiunonim edhe kundërshtarët e regjimit të Frankos që jetonin në Francë. Synimi ishte të rrëmbenim disidentët më të rëndësishëm e t’i çonim në Spanjë, me sa duket për t’i eliminuar.

Në operacionin tim të fundit duhej të organizoja një grup mercenarësh për një grusht shteti në një vend të vogël afrikan. Ishim udhëzuar të sulmonim kazermat e ushtrisë në kryeqytet dhe pastaj të merrnim pallatin e presidentit. Sipas planit, në mesnatë depërtuam në vend dhe brenda katër orësh e kryem misionin. Tre nga shokët e mi vdiqën në luftime bashkë me dhjetëra ushtarë «armiq». Mora pjesë edhe vetë në atë kasaphanë.

Ajo përvojë traumatike ma vriste thellë ndërgjegjen. Nuk flija dot natën ngaqë kisha pareshtur makthe ku e shihja veten tek masakroja armiqtë në luftime trup më trup. Në ato makthe, ata që bëhesha gati t’i vrisja, m’i ngulnin sytë të llahtarisur.

E ndava mendjen të mos merrja pjesë më kurrë në misione të tjera. Kështu, ia dorëzova ushtrisë gjithë dokumentacionin tim dhe më liruan nga detyra. Prapëseprapë, pas tre muajsh eprorët e mi më thirrën sërish për misione të tjera spiunazhi. U arratisa në Zvicër dhe, pas disa muajsh, ime shoqe Enkarnita, që s’dinte gjë fare për punën time si agjent sekret, erdhi tek unë në Bazel.

Shprehitë e këqija mezi shqiten

Në ato tri vite që shërbeva në ushtri, Enkarnita kishte nisur të studionte Biblën në Spanjë me Dëshmitarët e Jehovait. Më tregoi se kishte gjetur të vërtetën për Perëndinë dhe entuziazmi i saj m’u ngjit edhe mua. U lidhëm pa vonesë me Dëshmitarët në Zvicër dhe filluam të studionim Biblën së bashku.

U drithërova kur mësova qëllimet e Perëndisë. Paçka se dëshiroja ta përputhja jetën me parimet biblike, e pata të vështirë të bëja ndryshime, sidomos në personalitetin tim agresiv. Sidoqoftë, e doja rrugën e re të besimit. Pas pak muajsh studimi, ngula këmbë se isha gati të merrja pjesë në shërbimin shtëpi më shtëpi që bëjnë Dëshmitarët e Jehovait.

Falë ndihmës së Jehovait, dalëngadalë mësova të tregoj vetëkontroll dhe, me kohë, unë dhe Enkarnita u pagëzuam. Në moshën 29-vjeçare, më emëruan mbikëqyrës në kongregacion.

Në vitin 1975 vendosëm të ktheheshim në Spanjë. Por ushtria s’më kishte harruar dhe më thirrën të bashkëpunoja për një tjetër mision special. Që të shmangia problemet, ika prapë në Zvicër pa humbur kohë. Familja jonë jetoi atje deri më 1996 kur më në fund u kthyem në Spanjë.

Sot kam një djalë dhe një vajzë të martuar, një nip e një mbesë, e që të gjithë i shërbejnë Jehovait. Për më tepër, ndër vite kam arritur të ndihmoj 16 veta të njohin Jehovain, mes të cilëve edhe një djalosh që dikur përfshihej në protesta të dhunshme në Spanjën Veriore. Kjo më ka sjellë kënaqësi të papërshkrueshme.

Sa e sa herë i jam lutur Perëndisë të më ndihmonte ta hidhja pas krahëve të kaluarën e dhunshme dhe të shpëtoja nga makthet që s’më ndaheshin. Në luftën time për të bërë atë që është e drejtë, kam ndjekur këshillën e Psalmit 37:5: «Lëre udhën tënde në dorë të Jehovait e mbështetu tek ai, dhe ai do të veprojë.» Jehovai e ka mbajtur këtë premtim dhe më ka ndihmuar ta braktis rrugën e dhunës. Ky ka qenë një bekim i pashoq për mua dhe familjen time.

[Figura në faqen 21]

Në moshën 13-vjeçare kur u regjistrova në shkollën jezuite me konvikt

[Figura në faqen 23]

Më 1968, duke dalë nga zyra e legjionit të huaj pasi u lirova nga detyra

[Figura në faqen 23]

Sot me time shoqe, Enkarnitën