Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

E gjithë bota dëshiron shëndet të mirë!

E gjithë bota dëshiron shëndet të mirë!

E gjithë bota dëshiron shëndet të mirë!

MË SHUMË se 2.700 vjet më parë, një profet foli për një të ardhme kur nuk do të ketë më sëmundje. Kjo profeci është ruajtur deri në ditët tona dhe gjendet në shkrimet e lashta të Isaisë. Ai shkroi që do të vijë një kohë kur «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’» Më tej shtoi: «Në atë kohë do të hapen sytë e të verbërve dhe veshët e të shurdhërve. I çali do t’i ngjitë të përpjetat si një dre dhe gjuha e memecit do të lëshojë britma hareje.» (Isaia 33:24; 35:5, 6) Edhe profeci të tjera biblike flasin për një të ardhme të tillë. Për shembull, libri i fundit i Biblës, Zbulesa, flet për një kohë kur Perëndia do të zhdukë dhembjen.—Zbulesa 21:4.

A do të bëhen realitet këto premtime? A do të vijë një ditë kur mbarë njerëzimi do të gëzojë shëndet të plotë e nuk do të ketë më sëmundje? Është e vërtetë që një pjesë e madhe e njerëzimit sot ka shëndet më të mirë sesa brezat e kaluar. Por të kesh shëndet më të mirë nuk do të thotë se gëzon shëndet të plotë. Sëmundja ende shkakton shumë dhembje. Vetëm frika nga sëmundjet shkakton shumë ankth. Realiteti i hidhur është se edhe në këto kohë moderne, askush nuk mund t’i shpëtojë sulmit të furishëm të sëmundjeve fizike dhe mendore.

Çmimi që paguani

Sëmundjet na ngarkojnë barrë të shumta. Njëra prej tyre, mjaft shqetësuese sot, është se kostoja e sëmundjeve po arrin vlera astronomike. Për shembull, në një nga vitet e fundit, në Evropë shkuan dëm 500 milionë ditë pune për shkak të problemeve shëndetësore. Situata është e ngjashme kudo. Rënia e rendimentit në punë dhe rritja e kostos së kujdesit shëndetësor krijojnë një barrë financiare që ndikon te të gjithë. Kjo u kushton si kompanive, ashtu edhe qeverive. Për të kompensuar humbjet, kompanitë ngrenë çmimet e produkteve, kurse qeveritë rritin taksat. Kush paguan? Në fund, paguani ju.

Mjerisht, në shumë vende, zakonisht të varfrit e kanë të vështirë, për të mos thënë të pamundur, të marrin trajtimin e duhur shëndetësor. Në vendet në zhvillim, kjo është gjendja tragjike e miliona njerëzve, të cilët ose kanë mundësi të kufizuara, ose nuk kanë fare mundësi të përfitojnë nga shërbimet shëndetësore profesionale. Edhe në vendet e pasura, disave u duhet të bëjnë luftë për të përfituar nga shërbimi shëndetësor profesional. Kjo u ndodh shpesh shumë prej 46 milionë vetave në Shtetet e Bashkuara që nuk kanë sigurime shëndetësore.

Por barra e sëmundjeve nuk është vetëm financiare. Çmimi më i madh është dëshpërimi që provon kur vuan nga ndonjë sëmundje vdekjeprurëse, tortura e dhembjeve kronike, pikëllimi që ndien kur i sheh të tjerët tek vuajnë nga një sëmundje e rëndë dhe dëshpërimi që provon kur të vdes një njeri i dashur.

Shpresa se një ditë do të jetojmë në një botë pa sëmundje na tërheq të gjithëve. E gjithë bota dëshiron shëndet të mirë! Sado e pabesueshme mund të duket kjo shpresë, shumë veta mendojnë se ajo do të bëhet realitet. Disa njerëz janë të bindur se me anë të teknologjisë, me kalimin e kohës, pothuajse të gjitha sëmundjet do të zhduken. Nga ana tjetër, ata që besojnë te Bibla, janë të bindur se Perëndia do t’i plotësojë profecitë e lashta biblike për një botë pa sëmundje. A do të sjellë njeriu një botë pa sëmundje? A do ta sjellë Perëndia? Ç’do të sjellë e ardhmja?