Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Miq të mirë, «miq» të këqinj

Miq të mirë, «miq» të këqinj

Miq të mirë, «miq» të këqinj

NJË e re, le ta quajmë Sara, shfreu dëshpërimin që kishte në zemër. Njeriu të cilin e kishte pandehur një mik, u zbulua se ishte një vrasës. «Përderisa dikush që i besoja arriti të bënte një gjë të tillë, si mund t’i zë besë ndokujt?»,​—pyeti ajo. Burri që po e dëgjonte e pyeti Sarën nëse e kishte kuptuar se çfarë vlerash morale kishte ai njeri. Ajo u përgjigj: «Çdo të thuash me këtë?» Sara as e dinte fare se çfarë do të thoshte shprehja «vlera morale». Po ti? A e di se cilat janë vlerat morale të miqve të tu?

Siç tregon dhe rasti i Sarës, përgjigja e kësaj pyetjeje mund të nënkuptojë jetë ose vdekje, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Një proverb biblik e shpreh kështu këtë fakt: «Kush ecën me të mençurit do të bëhet i mençur, por atij që shoqërohet me budallenjtë do t’i shkojë keq.» (Fjalët e urta 13:20, BR) Gjithsesi, ashtu si Sara, shumë njerëz i zgjedhin miqtë thjesht duke parë nëse «u hahet muhabeti», pra si ndihen kur janë me ta. Natyrisht na pëlqen të rrimë me njerëz që na bëjnë të ndihemi mirë. Por në qoftë se kjo është gjëja e vetme ku bazohemi për të zgjedhur miqtë tanë, dhe mendojmë pak ose nuk e vrasim mendjen fare për cilësitë e brendshme të një njeriu, atëherë mund të zhgënjehemi rëndë. Si mund ta kuptosh nëse një njeri ka vlera të larta morale?

Duhen vlera të larta morale

Në radhë të parë duhet që ne vetë të kemi vlera të larta morale. Duhet të dimë se ç’është e drejtë dhe e gabuar, si edhe t’u përmbahemi gjithnjë me vendosmëri këtyre parimeve të larta morale. Një proverb tjetër biblik thotë: «Hekuri mpreh hekurin, kështu njeriu mpreh fytyrën e shokut të tij.» (Fjalët e urta 27:17) Kur dy miq kanë parime morale të forta «hekur», ata mund ta ndihmojnë njëri-tjetrin të bëhen njerëz të pjekur dhe miqësia e tyre do të jetë më e fortë.

Pakoma nga Franca thotë: «Për mua, mik i vërtetë është ai që më dëgjon dhe më flet me mirësjellje, por edhe që më qorton kur bëj ndonjë budallallëk.» Po, qofshim të rinj a të moshuar, miqtë tanë më të mirë janë ata që na ndihmojnë të ecim në rrugën e duhur dhe që na ndreqin kur rrezikojmë të hedhim ndonjë hap të gabuar. Bibla thotë: «Besnike janë plagët e një shoku.» (Fjalët e urta 27:6) Që të forcohemi nga ana morale dhe në besim, kemi nevojë të shoqërohemi me njerëz që e duan Perëndinë dhe normat e tij. Selina nga Franca kujton: «Kur askush tjetër në shkollë nuk kishte po ato vlera morale dhe bindje të krishtera si unë, kuptova se sa e rëndësishme është të kesh miq të vërtetë në kongregacionin e krishterë. Ata më kanë ndihmuar jashtë mase të veproj me maturi.»

Peshoji mirë cilësitë e njerëzve, para se t’i bësh miq

Nëse dëshiron të zësh miqësi me dikë, mbase mund ta pyesësh veten: «Kush janë miqtë e tij ose të saj?» Shoqëritë e ngushta që ka dikush tregojnë shumë se çfarë njeriu është. Veç kësaj, çfarë mendimi kanë për të njerëzit e pjekur e të respektuar që e njohin? Gjithashtu është e mençur të shqyrtosh mirë jo vetëm se si të trajtojnë ty ata që mendon të lidhësh miqësi, por edhe se si i trajtojnë të tjerët, sidomos ata me të cilët nuk i lidh asnjë interes. Në qoftë se dikush nuk shfaq gjithmonë dhe me të gjithë cilësi të mira, siç janë ndershmëria, besnikëria, durimi dhe respekti, çfarë të garanton se ai do të të trajtojë gjithnjë mirë ty?

Për të njohur karakterin e vërtetë të dikujt kërkohet durim, aftësi, por edhe kohë që ta vëresh si vepron në jetën e përditshme. Bibla thotë: «Këshilla në zemrën e njeriut është si uji i thellë, por njeriu me mend do të dijë të mbushë nga ai ujë.» (Fjalët e urta 20:5) Me njerëzit që duam të lidhim miqësi kemi nevojë të flasim për gjëra serioze, për gjëra që zbulojnë personalitetin, motivet dhe vlerat e vërteta morale që kanë. Çfarë njerëzish janë? A janë të përzemërt apo të ftohtë? A janë në përgjithësi optimistë dhe të gëzuar apo pesimistë dhe cinikë? A mendojnë për të tjerët apo vetëm për vete? A janë të besueshëm apo nuk mund t’u zësh besë? Nëse dikush flet keq me ty për të tjerët, çfarë e pengon që të mos flasë keq edhe për ty prapa krahëve? «Goja flet nga mbushullia e zemrës»,​—tha Jezui. (Mateu 12:34) Kur njerëzit flasin duhet të dëgjojmë me kujdes, sepse kuptojmë se si janë.

Gjërat më të rëndësishme që duhen pasur të përbashkëta

Disa mendojnë se miqtë e tyre duhet të kenë të njëjtat shije që kanë edhe ata. Një djalë i vogël tha: «Kurrë nuk bëhem dot shok me ndonjë që nuk e pëlqen kekun.» Është e vërtetë që miqtë duhet të kenë gjëra të përbashkëta aq sa ta kuptojnë njëri-tjetrin, dhe më e rëndësishmja është që të kenë të njëjtat vlera bazë morale dhe shpirtërore. Por nuk kanë pse të jenë njëlloj në personalitet edhe për sa i përket kulturës ose së kaluarës. Ç’është e vërteta, kur përvojat që kanë kaluar janë të ndryshme, kjo mund t’ua pasurojë miqësinë dhe të nxjerrin dobi që të dy.

Dy miqësi të vjetra, të treguara në Bibël​—miqësia e Jonatanit me Davidin dhe e Ruthës me Naomin​—kishin si themel diçka të përbashkët: që të dy miqtë adhuronin Perëndinë dhe zbatonin parimet e tij. * Është diçka domethënëse që në të dy rastet miqtë kishin shumë diferencë në moshë dhe të kaluara krejt të ndryshme. Prandaj shembulli i tyre na mëson diçka tjetër për miqësinë: të rinjtë dhe më të rriturit kanë shumë për t’i dhënë njëri-tjetrit, po të jenë miq.

Nxjerrin dobi nga ndryshimet në moshë

Po të kemi miq që janë më të mëdhenj ose më të rinj se ne mund të nxjerrim dobi reciproke. Shqyrto se çfarë kanë thënë disa të rinj nga përvoja e tyre.

Manuela (Itali): «Para ca kohësh zura miqësi me një çift në moshë të pjekur. Fola hapur me ta dhe ajo që më bën të lumtur është se edhe ata folën hapur me mua. Nuk më nënvlerësuan për moshën e re. Kjo më nxiti të lidhesha më shumë me ta. Miqësia e tyre më ndihmon shumë kur kaloj probleme. Kam parë se kur flas për shqetësimet e mia me njerëz të moshës sime, ndonjëherë shoqet më japin këshilla që nuk janë të peshuara mirë. Por miqtë e mi më të pjekur në moshë kanë përvojë, gjykim dhe kanë njëfarë ekuilibri që ne të rinjtë nuk e kemi fituar ende. Me ndihmën e tyre marr vendime më të mira.»

Xulejka (Itali) thotë: «Kur mblidhemi nuk ftojmë vetëm të rinj, por edhe ata që janë më të rritur se ne. Personalisht kam vënë re se kur të rritur dhe të rinj mblidhemi bashkë, në fund të mbrëmjes të gjithë ndihemi vërtet të inkurajuar. Kënaqemi, sepse çdokush i sheh gjërat ndryshe.»

Edhe ju që jeni në moshë të shkuar mund të tregoni interes për të rinjtë. Siç tregohet në komentet e mësipërme, shumë të rinj e çmojnë shumë përvojën tuaj të madhe dhe e pëlqejnë shoqërinë tuaj. Amelia, një vejushë në të tetëdhjetat thotë: «Marr iniciativën për të folur me të rinjtë. Energjia dhe gjallëria e tyre më japin jetë.» Frytet e mira që mund të japë një inkurajim i tillë reciprok mund të jenë të shumta. Shumë të rritur që janë të lumtur thonë se një meritë të madhe për këtë e kanë miqtë e kohës së rinisë. Këta miq, që ishin më të mëdhenj, shërbyen si shembuj të shkëlqyer dhe u dhanë këshilla të mira.

Forco miqësitë

Të kesh miqësi të mira, nuk është e thënë që medoemos të zësh miq të rinj. Nëse tashmë ke shokë të mirë, pse të mos mendosh se ç’mund të bësh për ta forcuar miqësinë me ta? Miqtë që i kemi prej shumë kohësh janë një thesar shumë i çmuar, dhe duhet t’i trajtojmë si të tillë. Kurrë mos e merr si të zakonshme besnikërinë e tyre.

Mbi të gjitha, mos harro se lumturia e vërtetë dhe miqësia e vërtetë vijnë kur jep nga vetja, koha dhe nga aftësitë e tua. Shpërblimet ia kalojnë përpjekjeve dhe sakrificave. Megjithatë, po të mendosh vetëm për vete kur zgjedh miqtë, kurrë nuk do të arrish atë që dëshiron. Pra, kur mendon të zësh miqësi, mos shiko vetëm ata që i admiron ose ata prej të cilëve mund të nxjerrësh ndonjë përfitim. Afroju atyre që ndoshta të tjerët nuk u kushtojnë shumë vëmendje ose që mund ta kenë të vështirë të zënë vetë miqësi. Gaela nga Franca thotë: «Kur duam të mblidhemi për të bërë diçka dhe dimë se disa të rinj janë vetëm, i ftojmë edhe ata. U themi: ‘Ti nuk dëshiron të qëndrosh fillikat në shtëpi. Eja me ne. Përse të mos e njohim më mirë njëri-tjetrin?’»​—Luka 14:12-14.

Nga ana tjetër, kur njerëz të mirë duan ta zgjerojnë shoqërinë, mos u shpejto t’i refuzosh. Eliza nga Italia thotë: «Ndoshta brenda vetes ndien njëfarë zemërimi kur mendon se në të kaluarën nuk të kanë përfillur në shoqërinë e tyre. Mbase mendon: ‘Në fund të fundit, nuk e kam shumë problem nëse kam miq apo jo.’ Kështu mbyllesh në vetvete, veçohesh dhe mendon vetëm për vete. Në vend që të kërkosh miq, krijon një barrierë.» Mos lejo që frika pa arsye ose egoizmi të të pengojnë të zësh miq të rinj, por hapu me të tjerët. Kemi arsye që të ndihemi thellësisht mirënjohës kur njerëzit interesohen kaq shumë për ne, saqë dëshirojnë të jenë miqtë tanë.

Mund të kesh miq të vërtetë

Nuk mjafton vetëm të dëshirosh, të presësh dhe të lexosh artikuj si këta për të pasur miq të vërtetë. Të mësosh të zësh miq është si të mësosh t’i japësh biçikletës. Asnjërën nga të dyja nuk mund ta mësojmë vetëm nga librat. Duhet të dalim dhe të praktikohemi edhe pse kjo do të thotë që ndonjëherë të rrëzohemi. Bibla tregon se lidhjet më të qëndrueshme midis dy njerëzve i kanë rrënjët të ngulura thellë në miqësinë që kanë të dy me Perëndinë. Por Perëndia nuk mund t’i bekojë përpjekjet tona për të zënë miq nëse nuk i bëjmë këto përpjekje. A je i vendosur për të pasur miq të vërtetë? Mos u dorëzo! Lutju Perëndisë që të të ndihmojë, merr iniciativën pa qenë egoist dhe ji një mik.

[Shënimi]

^ par. 12 Mund të lexoni për këto miqësi në librat biblikë të Ruthës, Libri i parë i Samuelit dhe Libri i dytë i Samuelit.

[Kutia dhe figura në faqen 11]

Sugjerim për prindërit

Ashtu si për shumë gjëra të tjera, edhe për miqësitë njeriu fillon të mësojë në familje. Më e mira do të ishte që nevojën bazë për miqësi, fëmijës së vogël t’ia plotësonte familja. Edhe kur ndodh kështu, mendimet, ndjenjat dhe sjellja e fëmijës ndikohen shumë nga lidhjet që ka ai me njerëzit jashtë familjes. Për shembull, mendoni se sa shpejt e mësojnë gjuhën e huaj shumë fëmijë të vegjël të emigrantëve, vetëm ngaqë rrinë me fëmijë të tjerë.

Si prindër keni një mundësi të veçantë t’i ndihmoni fëmijët që t’i zgjedhin me mençuri miqtë. Fëmijët e vegjël dhe adoleshentët nuk janë plotësisht të aftë për të bërë këtë gjë pa drejtimin e prindërve. Megjithatë, ka një problem. Shumë të rinj janë më të lidhur me moshatarët, sesa me prindërit ose me të rriturit e tjerë.

Disa specialistë mendojnë se një arsye pse adoleshentët shkojnë për t’u kërkuar mendim moshatarëve në vend që prindërve është se shumë prindër ngurrojnë të ushtrojnë autoritetin e tyre për të vendosur në familje se çfarë është e gabuar ose e drejtë nga ana morale. Prindërit duhet të marrin përsipër përgjegjësinë që u ka dhënë Perëndia për të drejtuar fëmijët dhe për t’u interesuar se ç’ndodh në jetën e tyre. (Efesianëve 6:1-4) Por në ç’mënyrë? Dr. Ron Tafeli, psikolog për çështjet familjare, takon shumë prindër që nuk dinë si t’i trajtojnë fëmijët e tyre adoleshentë. Ai shkruan se shumë prej tyre «ndikohen nga një sërë metodash për rritjen e fëmijëve që reklamohen me të madhe nga media», në vend që të sillen si prindër të vërtetë me fëmijët. Përse ndikohen nga to? «Ata nuk i njohin fëmijët e tyre aq mirë sa t’i kuptojnë dhe të komunikojnë lehtë me ta.»

Por nuk ka përse të ndodhë kështu. Prindërit duhet të kuptojnë se fëmijët do të shkojnë te shokët për të plotësuar nevojat që nuk ua plotëson familja. Për çfarë kanë nevojë fëmijët? «Ata kanë të njëjtat nevoja që kanë pasur gjithnjë të rinjtë: edukim, vlerësim, siguri, rregulla të qarta, t’u shpjegohet qartë se çfarë pritet prej tyre dhe të ndiejnë se janë pjesë e një familjeje,​—thotë Tafeli.​—Tragjedia e kohëve tona është se shumicës së adoleshentëve nuk u plotësohen këto nevoja bazë nga të rriturit dhe nuk ndihen vërtet ‘në familje’ kur janë në shtëpi.»

Si mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj që të lidhin miqësi të mira? Hapi i parë është të shqyrtoni mënyrën tuaj të jetesës dhe miqësitë tuaja. A janë dinjitoze dhe joegoiste synimet dhe jetesa që bëni ju dhe miqtë tuaj? A janë ato në përputhje me Fjalën e Perëndisë dhe jomaterialiste? «Veprat flasin më shumë se fjalët dhe është e sigurt që fëmijët tuaj do të imitojnë qëndrimet dhe veprimet që shohin te ju, te miqtë tuaj dhe te fëmijët e miqve tuaj»,​—thotë Dagllasi, që është baba dhe shërben si mbikëqyrës i krishterë.

Edhe shumë prej kafshëve, instinktivisht dhe shpesh me tërbim, i mbrojnë të vegjlit e tyre nga krijesa të tjera të rrezikshme. Një specialist për arinjtë thotë: «Arushat nëna janë të famshme për mbrojtjen që u bëjnë këlyshëve të tyre nga çdo rrezik që nuhasin.» Mos vallë prindërit duhet të bëjnë më pak? Rubeni nga Italia thotë: «Prindërit arsyetonin me mua duke përdorur Shkrimet e Shenjta. Ata më ndihmuan të kuptoja se ishte më mirë që t’i shmangia disa lloj shoqërish. Në fillim thashë: ‘Jo more! Pse s’do kem fare shokë unë?!’ Por koha tregoi që ata kishin të drejtë dhe falë durimit të tyre isha i mbrojtur.»

Gjithashtu, përpiquni t’i njihni fëmijët me njerëz që japin një shembull të mirë dhe që do t’i ndihmojnë të vënë synime të mira. Fransis, një djalë që është i zoti dhe i lumtur në jetë, sjell ndër mend: «Mamaja vuri re se ne fëmijët rrinim vetëm me njëri-tjetrin, prandaj na ndihmoi duke ftuar miq që ishin shumë të zellshëm në shërbimin e plotkohor të krishterë. Kështu u njohëm me ta dhe u bëmë miq, pikërisht në shtëpinë tonë.» Përpjekje të tilla nga ana juaj do të bëjnë që ambienti familjar të jetë për fëmijët tuaj një terren i frytshëm ku mbillen dhe rriten miqësi të mira.

[Figura në faqen 9]

Vëzhgo se si sillen njerëzit që dëshiron të lidhësh miqësi

[Figura në faqen 10]

Nëse miqtë përpiqen për të mirën e njëri-tjetrit, miqësitë janë të forta, pavarësisht nga ndryshimet në moshë dhe në përvojë