Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Mendje e zemëruar, zemër e dobësuar

«Burrat që janë të prirur për të pasur shpërthime zemërimi ose një qëndrim të zymtë, kanë më shumë të ngjarë që të kenë çrregullime të rrahjeve të zemrës, sëmundje kjo e quajtur fibrilacioni tremor»,​—raporton gazeta Daily News e Nju-Jorkut. Kërkimet kanë zbuluar se burrat që thonë se janë gjaknxehtë ose që i sulmojnë të tjerët me fjalë therëse kur nuk arrijnë të bëjnë diçka, ose marrin zjarr shpejt kur të tjerët i kritikojnë, janë 30 për qind më të prirur të kenë çrregullime të rrahjeve të zemrës. Drejtuesja e këtij studimi, Ilan Eker, thotë: «Shumë njerëz besojnë se mund t’i shmangin efektet e dëmshme që mund të shkaktojë zemërimi te shëndeti, duke i shprehur ndjenjat e zemërimit në vend që t’i ndrydhin ato përbrenda. . . . Por pa dyshim kjo nuk ka të bëjë me rastin e atyre burrave për të cilët flet ky studim. Në fakt këta ishin nën rrezikun e madh jo vetëm të fibrilacionit tremor, por edhe të vdekjes nga të gjitha shkaqet të marra së bashku.»

Martesa dhe divorci në Britani

Në Britani, siç raportohet në gazetën Daily Telegraph të Londrës, «një e treta e njerëzve të pamartuar thonë se ‘ka jashtëzakonisht pak mundësi’ që ata të martohen një ditë». Xheni Katlini, analiste për Grupin Ndërkombëtar Mintëll, thotë: «Kjo tregon qartë se pikëpamja për martesën ka ndryshuar.» Ajo shton: «Sot është më se normale të jetosh me dikë dhe të kesh fëmijë me të pa qenë i martuar.» Për ata që duan të martohen kostoja shumë e lartë e ceremonisë dhe e dasmës, që tani arrin mesatarisht në 23.600 euro, bën që dasmat të bëhen gjithnjë e më shumë jashtë shtetit. Aktualisht, më shumë se 10 për qind e çifteve britanike vendosin të martohen në vende të huaja. Me më pak të ftuar dhe me ushqim më të lirë, dasma mund t’u kushtojë një të tretën e çmimit që do t’u kushtonte po të martoheshin në vendin e tyre. Ndërkohë që numri i martesave është duke u zvogëluar, numri i divorceve është duke u rritur me të shpejtë. «Tani ka pesë herë më shumë divorce të çifteve në moshë të shkuar, sesa kishte 30 vjet më parë, dhe është alarmuese pasi mendohet se numri do të vazhdojë të rritet»,​—thotë gazeta Telegraph.

Abuzimi i fëmijëve në Meksikë

Sipas departamentit të drejtësisë të qytetit të Meksikës, «1 në 8 vajza dhe 1 në 10 djem janë viktima të abuzimit seksual në qytetin e Meksikos», siç raportohet në gazetën El Universal. Departamenti i drejtësisë po shpërndan pamflete që paralajmërojnë prindërit për abuzimet seksuale dhe u sugjerojnë se çfarë duhet të bëjnë kur ka ndonjë rast të abuzimit seksual. Disa nga këto sugjerime janë: (1) Besoje dhe ndihmoje fëmijën kur ai ose ajo thotë që me të është abuzuar seksualisht. (2) Shpjegoi fëmijës se nuk është përgjegjës për çfarë ndodhi. (3) Vëre në dijeni fëmijën se ajo që ndodhi është kundër ligjit dhe se është e nevojshme të raportohet në polici, që kjo të mos ndodhë përsëri.

Fshirja e tatuazheve

«Disa sondazhe tregojnë se 80 deri në 90 për qind e njerëzve që kanë tatuazhe duan t’i fshijnë ato pas disa kohësh»,​—thotë Vancouver Sun e Kanadasë. Një dermatolog vëren: «Numri në rritje i atyre që bëjnë tatuazhe përkon me numrin e atyre që duan t’i fshijnë ato.» Një shembull tipik është 27-vjeçari Dan, i cili fshiu një vizatim me ngjyrë jeshile të ndezur që kishte në krah. Ai thotë: «Nuk është më në harmoni me mënyrën time të jetesës.» Por edhe me trajtimin modern me lazer, fshirja e tatuazhit mund të jetë e dhembshme, e kushtueshme dhe mund të kërkojë shumë kohë. «Madje fshirja e një tatuazhi të vogël mund të kushtojë më shumë se 840 euro»,​—thotë gazeta. Më pas shton: «Sa më modernë, sa më me shumë ngjyra të jenë tatuazhet, dhe sidomos sa më të mëdhenj të jenë, aq edhe më e pamundur është për t’i fshirë.»

Lëndë djegëse që vret

«Tymi që del prej oxhaqeve të shtëpive vret një njeri çdo 20 sekonda në vendet që janë në zhvillim,​—raporton revista Down to Earth e Nju-Delhit, Indi.​—Ky numër është më i madh sesa numri i njerëzve që vdesin nga malarja, dhe është i njëjtë me numrin e vdekjeve që vijnë si pasojë e përdorimit të ujit jo të pijshëm dhe mungesës së higjienës.» Përdorimi i qymyrit, i drurit dhe i jashtëqitjeve të kafshëve si lëndë djegëse, bashkë me ajrosjen e pamjaftueshme të dhomave, shpesh bëjnë që niveli i ndotjes në ambientet ku rrinë banorët e shtëpive të jetë 100 herë më i lartë sesa niveli që shihet si i pranueshëm dhe që nuk ka efekte të dëmshme. Kjo ndotje lidhet gjithashtu me kancerin në mushkëri, astmën, tuberkulozin dhe bronkitin kronik. Ekspertët e një organizate studimore, Intermediate Technology Development Group, pohojnë se njerëzit që janë shumë të varfër për të blerë lëndë djegëse të pastra, kanë mundësi ta zvogëlojnë ekspozimin ndaj tymrave të rrezikshme në gati 80 për qind, nëse përdorin soba me oxhaqe të projektuara mirë. Nga të 1,6 milionë njerëzit që vdesin çdo vit nga ajri i ndotur i shtëpisë, rreth një milion prej tyre janë fëmijë.

Pensionistë që punojnë

Sipas gazetës The Globe and Mail, një numër gjithnjë e në rritje i kanadezëve të moshës 65-vjeçare e më tej​—mosha e zakonshme për të dalë në pension në Kanada​—janë ende pjesë e fuqisë punëtore. Numri i të moshuarve është rritur 11 për qind gjatë këtyre pesë vjetëve, por numri i të moshuarve që punojnë është rritur rreth 20 për qind. Pse shtyhet kaq shumë dalja në pension? «Njerëzit janë më të shëndetshëm sot,​—thotë Dorin Duesheni, analiste e Statistikave të Kanadasë.​—Jetojnë më gjatë.» Gjithashtu, nevoja financiare dhe mërzitja citohen si arsyet e rritjes së numrit të të moshuarve që vazhdojnë të punojnë. Sipas raportit, 6 për qind e njerëzve mbi moshën 80-vjeçare vazhdojnë të punojnë. Ata merren me bujqësi, puna më e zakonshme për të moshuarit, ose si shitës a si tregtarë.

Evropa nën një re tymi

Në gazetën spanjolle El País thuhet se numri i njerëzve që pinë duhan në vendet e Bashkimit Evropian ka arritur 40 për qind. Vendi evropian me përqindjen më të lartë të duhanpirësve është Greqia, ku 44 për qind e popullsisë pi duhan. Greqia, në vit, prodhon 40.000 tonë duhan, dhe kjo e bën atë prodhuesen më të madhe të duhanit në Evropë. Ndër vendet evropiane me përqindjen më të ulët të duhanpirësve, duke përfshirë këtu dhe ata që e pinë me raste, është Portugalia me rreth 29 për qind, ndonëse çmimet e duhanit në këtë vend janë më të lirat në të gjithë Bashkimin Evropian. Një shkak i mundshëm i kësaj përqindjeje të ulët është se që nga viti 1982 një ligj në Portugali ka ndaluar reklamimin e duhanit, si edhe pirjen e tij në vendet publike.

Libri më i përkthyer

Bibla vazhdon të jetë libri më i përkthyer në botë. Bibla gjendet e plotë ose pjesërisht e përkthyer në 2.355 gjuhë nga përafërsisht 6.500 gjuhët që ekzistojnë. Tani Bibla është në dispozicion në 665 gjuhë në Afrikë, në 585 gjuhë në Azi, 414 në Oqeani, 404 në Amerikën Latine dhe në Karaibe, 209 në Evropë dhe 75 në Amerikën Veriore. Shoqatat e Bashkuara Biblike po ndihmojnë për disa projekte përkthimi të Biblës në afërsisht 600 gjuhë të tjera.