Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse duhet ta konsiderojmë të shenjtë martesën?

Pse duhet ta konsiderojmë të shenjtë martesën?

Pikëpamja e Biblës

Pse duhet ta konsiderojmë të shenjtë martesën?

SHUMË njerëz sot mund të pohojnë se besojnë në shenjtërinë e martesës. Atëherë, pse kaq shumë martesa përfundojnë me divorc? Për disa njerëz, martesa nuk është gjë tjetër veçse një premtim romantik dhe një marrëveshje ligjore. Por premtimet mund të shkelen. Ata që e shikojnë martesën me këtë sy nuk e kanë për gjë t’i japin fund martesës së tyre kur gjërat nuk shkojnë ashtu siç e prisnin.

Po Perëndia, si e sheh lidhjen martesore? Përgjigjja gjendet në Fjalën e tij, në Bibël, te Hebrenjve 13:4: «Martesa le të jetë e nderuar ndër të gjithë.» Fjala greke e përkthyer «e nderuar» nënkupton diçka që është e çmuar dhe tepër e vlerësuar. Kur e vlerësojmë diçka, kujdesemi që ta ruajmë atë dhe që të mos e humbasim as rastësisht. E njëjta gjë duhet të jetë edhe me lidhjen martesore. Të krishterët duhet ta shohin si të nderuar, pra si diçka të çmuar që duan ta mbrojnë.

Është e qartë që Perëndia Jehova e krijoi martesën si një lidhje të shenjtë midis burrit dhe gruas. Po si mund ta tregojmë që edhe ne kemi të njëjtën pikëpamje që ka Ai për martesën?

Dashuri dhe respekt

Të nderosh lidhjen martesore kërkon që bashkëshortët të nderojnë njëri-tjetrin. (Romakëve 12:10) Apostulli Pavël u shkroi të krishterëve të shekullit të parë: «Secili prej jush, nga ana e vet, ta dojë gruan e tij si veten; nga ana tjetër, gruaja duhet të ketë respekt të thellë për burrin e saj.»​—Efesianëve 5:33.

Është e vërtetë që njëri nga bashkëshortët ndonjëherë mund të sillet jo me shumë dashuri ose respekt. Prapëseprapë, të krishterët duhet të shfaqin dashuri dhe respekt. Pavli shkroi: «Vazhdoni të duroni njëri-tjetrin dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin, nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri. Ashtu sikurse Jehovai ju fali bujarisht, edhe ju bëni po ashtu.»​—Kolosianëve 3:13.

Kohë dhe vëmendje

Çiftet e martuara që e konsiderojnë lidhjen e tyre të shenjtë kalojnë kohë për të plotësuar dëshirat fizike dhe emocionale të njëri-tjetrit. Këtu përfshihet edhe intimiteti seksual. Bibla thotë: «Burri le t’i japë gruas së vet atë që i takon asaj; por edhe gruaja të bëjë po ashtu ndaj burrit të vet.»​—1 Korintasve 7:3.

Por disa çifte e kanë parë të nevojshme që burri të largohet përkohësisht nga familja për të siguruar më shumë të ardhura. Nganjëherë ky largim ka qenë më i gjatë seç pritej. Shpesh këto ndarje krijojnë një situatë të tensionuar që ndonjëherë ka çuar edhe në tradhti bashkëshortore dhe divorc. (1 Korintasve 7:2, 5) Për këtë arsye, shumë çifte të krishtere kanë vendosur që më mirë të heqin dorë nga disa të mira materiale, sesa të vënë në rrezik martesën që e kanë të shenjtë.

Kur lindin probleme

Kur hasin vështirësi, të krishterët që e nderojnë martesën nuk nguten të ndahen ose të divorcohen. (Malakia 2:16; 1 Korintasve 7:10, 11) Jezui pohoi: «Gjithkush që e divorcon gruan e tij, përveçse për shkak të kurvërisë, e vë në rrezik për kurorëshkelje dhe kushdo që martohet me një grua të divorcuar, kryen kurorëshkelje.» (Mateu 5:32) Vendimi për divorc ose ndarje që nuk ka bazë biblike çnderon martesën.

Pikëpamja jonë për martesën del në pah edhe nga këshillat që u japim atyre që kanë probleme të rënda martesore. A e këshillojmë menjëherë ndarjen ose divorcin? Është e vërtetë, ndonjëherë mund të ketë arsye të vlefshme për t’u ndarë, si për shembull, në rast abuzimi fizik ekstrem ose kur bashkëshorti me dashje nuk e mbështet ekonomikisht familjen. * Veç kësaj, siç u tha edhe më sipër, Bibla jep mundësinë e divorcit vetëm kur njëri prej bashkëshortëve ka kryer kurvëri. Sidoqoftë, në rrethana të tilla, të krishterët nuk duhet të ndikojnë në mënyrë të papërshtatshme në vendimet e të tjerëve. Në fund të fundit, pasojat e këtij vendimi do t’i ketë ai që ka probleme në martesë dhe jo ai që jep këshillën.​—Galatasve 6:5, 7.

Mos e shihni me indiferentizëm martesën

Në disa vende njerëzit e kanë bërë zakon ta përdorin martesën për të marrë lejeqëndrimin në një shtet tjetër. Zakonisht këta persona bëjnë një marrëveshje me një nënshtetas të atij vendi për t’u martuar me të kundrejt një pagese. Shpesh këto çifte, edhe pse të martuar, jetojnë të ndarë nga njëri-tjetri, ndoshta duke mos pasur as edhe një marrëdhënie miqësore. Menjëherë pasi merret lejeqëndrimi i dëshiruar, ata divorcohen. Për ta, kjo martesë është vetëm një marrëveshje biznesi.

Bibla nuk e aprovon një qëndrim të tillë indiferent ndaj martesës. Pavarësisht nga arsyet, ata që martohen bëhen pjesë e një lidhjeje të shenjtë që Perëndia e konsideron të përhershme. Të dyja palët që lidhen në martesë, bashkohen si burrë dhe grua dhe nuk mund të martohen me dikë tjetër pa u divorcuar mbi baza biblike.​—Mateu 19:5, 6, 9.

Ashtu si çdo gjë tjetër e rëndësishme, një martesë e suksesshme kërkon përpjekje dhe këmbëngulje. Ata që nuk e vlerësojnë shenjtërinë e saj e kanë më të lehtë t’i japin fund martesës ose t’i nënshtrohen pa dëshirë një martese jo të lumtur. Nga ana tjetër, ata që e pranojnë shenjtërinë e martesës e dinë se Perëndia kërkon prej tyre që të qëndrojnë së bashku. (Zanafilla 2:24) Ata e dinë edhe se duke pasur harmoni në martesë, nderojnë Perëndinë si Projektuesin e rregullimit martesor. (1 Korintasve 10:31) Kjo pikëpamje i motivon që të këmbëngulin dhe të përpiqen për të pasur një martesë të suksesshme.

[Shënimi]

^ par. 14 Shiko Kullën e Rojës 1 nëntor 1988, faqet 22, 23, anglisht.