Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Letër nga Trupi Udhëheqës

Letër nga Trupi Udhëheqës

I dashur bashkëbesimtar!

Siç e di, Bibla flet shumë për njerëzit. Mjaft prej tyre ishin burra e gra besnikë që kaluan vështirësi të ngjashme me tonat. Kishin «ndjenja si tonat». (Jakovi 5:17) Disa ishin të mbytur nga hallet dhe ankthi. Të tjerë ishin lënduar thellë nga familjarët ose bashkadhuruesit. Kurse disa i torturonin ndjenjat e fajit për gabimet që kishin bërë.

A u larguan fare nga Jehovai? Aspak. Shumë ishin si psalmisti që u lut: «Po endem sa andej-këtej si dele e humbur. Kërkoje shërbëtorin tënd, sepse nuk i kam harruar urdhërimet e tua.» (Psalmi 119:176) A ndihesh edhe ti kështu?

Jehovai nuk i harron kurrë adhuruesit e tij që enden sa andej-këtej larg vathës së krishterë. Përkundrazi, u zgjat dorën dhe shpesh e bën këtë nëpërmjet bashkëbesimtarëve. Për shembull, shqyrto si e ndihmoi Jehovai shërbëtorin e tij Job, të cilit i ndodhën një sërë fatkeqësish, si probleme financiare, humbja e njerëzve të dashur dhe një sëmundje e rëndë. Përveç kësaj, Jobit iu desh të duronte fjalët therëse të atyre që duhej t’i kishin dhënë zemër. Prapëseprapë, ai kurrë nuk ia ktheu shpinën Jehovait, ndonëse për njëfarë kohe u hallakat në mënyrën si mendonte. (Jobi 1:22; 2:10) Si e ndihmoi Jehovai që të rifitonte ekuilibrin?

Një mënyrë si Jehovai e ndihmoi Jobin ishte nëpërmjet Elihut, një bashkëbesimtari. Kur Jobi shprehu shqetësimet, Elihu e dëgjoi dhe u nxit të fliste. Ç’do të thoshte? Do ta kritikonte Jobin apo do të përpiqej ta ndreqte duke e bërë të ndihej me faj ose me turp? A e shihte Elihu veten si më të lartë se Jobi? Kurrsesi! I shtyrë nga fryma e Perëndisë, Elihu tha: «Para Perëndisë së vërtetë unë jam njësoj si ti, se nga argjila jam bërë edhe unë.» Pastaj e siguroi Jobin: «S’ke pse të frikesh nga unë; nuk do të të rëndoj.» (Jobi 33:6, 7) Në vend që t’ia shtonte barrën Jobit, me dashuri Elihu i dha këshillat dhe inkurajimin e nevojshëm.

Të lutemi, dije se me një frymë të tillë e kemi përgatitur këtë broshurë. Në fillim dëgjuam, duke shqyrtuar me kujdes rrethanat dhe çfarë thanë disa që ishin larguar nga kongregacioni. (Proverbat 18:13) Më pas, iu drejtuam Shkrimeve, duke analizuar me anë të lutjeve tregimet që flasin se si Jehovai i ndihmoi shërbëtorët e tij në të kaluarën kur hasën rrethana të ngjashme. Në fund, këto tregime biblike i ndërthurëm me përvojat e ditëve të sotme që të botonim këtë broshurë. Të ftojmë ngrohtësisht ta shqyrtosh. Të lutemi, ji i sigurt se të duam fort.

Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait