Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 39

Mbreti i parë i Izraelit

Mbreti i parë i Izraelit

Jehovai kishte caktuar gjykatës për të drejtuar izraelitët, por ata donin një mbret. Prandaj i thanë Samuelit: «Të gjitha kombet përreth kanë mbretër. Edhe ne duam një.» Samueli mendonte që kjo ishte gabim, prandaj iu lut Jehovait për këtë. Jehovai i tha: «Populli s’po të hedh poshtë ty, por mua. Thuaju se mund të kenë një mbret, por ai do të kërkojë shumë gjëra nga ata.» Prapëseprapë populli tha: «Nuk duam t’ia dimë. Ne duam një mbret!»

Jehovai i tha Samuelit se mbreti i parë do të bëhej një burrë me emrin Saul. Kur Sauli shkoi të takonte Samuelin në Ramah, Samueli e mirosi si mbret duke i derdhur vaj mbi kokë.

Më vonë Samueli mblodhi popullin që t’u tregonte mbretin e ri. Por Saulin s’po e gjenin në asnjë vend. A e di pse? Sepse ishte fshehur mes plaçkave. Kur më në fund e gjetën, e sollën në mes të popullit. Sauli ishte më i gjati nga të gjithë dhe ishte shumë simpatik. Samueli u tha: «Shihni atë që ka zgjedhur Jehovai.» Populli thirri me zë të lartë: «Rroftë mbreti!»

Në fillim, mbreti Saul e dëgjonte Samuelin dhe i bindej Jehovait. Por më pas ndryshoi. Për shembull, Sauli nuk duhej të ofronte flijime. Profeti i Jehovait, Samueli, i kishte thënë të priste derisa të vinte ai. Por Samueli u vonua. Prandaj Sauli vendosi ta ofronte vetë flijimin. Si reagoi Samueli? Ai i tha: «Duhej t’i ishe bindur Jehovait.» A do të mësonte Sauli nga gabimi i tij?

Ca kohë më vonë, kur Sauli shkoi të luftonte kundër amalekitëve, Samueli i tha të mos linte gjallë asnjë prej tyre. Por Sauli vendosi të mos e vriste mbretin Agag. Jehovai i tha Samuelit: «Sauli më ka braktisur dhe nuk më dëgjon më.» Samueli u mërzit shumë dhe i tha Saulit: «Ngaqë nuk po i bindesh më Jehovait, ai do të zgjedhë një mbret tjetër.» Kur Samueli u kthye që të ikte, Sauli i kapi cepin e petkut dhe ai u gris. Atëherë Samueli i tha: «Ashtu siç u gris ky petk, ashtu edhe Jehovai do ta shkëputë mbretërinë nga ti.» Jehovai do t’ia jepte mbretërinë dikujt që do ta donte dhe do t’i bindej.

«Të bindesh është më mirë se flijimi.»​—1 Samuelit 15:22