Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 19

Tri plagët e para

Tri plagët e para

Egjiptianët i detyronin izraelitët të bënin punë të rënda si skllevër. Jehovai dërgoi Moisiun dhe Aaronin te faraoni me këtë mesazh: «Lëre popullin tim të shkojë që të më adhurojë në shkretëtirë.» Faraoni u përgjigj me arrogancë: «S’më bëhet vonë çfarë thotë Jehovai dhe s’kam për t’i lënë izraelitët të shkojnë.» Pas kësaj, faraoni i detyroi të bënin punë edhe më të rënda. Jehovai do t’i jepte një mësim faraonit. A e di si? Ai dërgoi Dhjetë Plagët në Egjipt. Jehovai i tha Moisiut: «Faraoni nuk po më bindet. Në mëngjes, ai do të shkojë në lumin Nil. Shko tek ai e thuaji se, meqë nuk e la popullin tim të ikë, i gjithë uji i lumit Nil do të kthehet në gjak.» Moisiu u bind dhe shkoi te faraoni. Faraoni e pa Aaronin kur e goditi Nilin me shkopin e tij dhe kur lumi u kthye në gjak. Lumi filloi të qelbej, peshqit ngordhën dhe uji i Nilit nuk pihej më. Prapëseprapë, faraoni nuk i la izraelitët të shkonin.

Shtatë ditë më vonë, Jehovai e dërgoi përsëri Moisiun te faraoni me këtë mesazh: «Po nuk e le popullin tim të ikë, Egjipti do të mbushet me bretkosa.» Faraoni nuk i la izraelitët të shkonin, prandaj Aaroni ngriti shkopin dhe bretkosat filluan të mbushnin vendin. Njerëzit i gjenin bretkosat në shtëpi, në krevat dhe në enët e kuzhinës. Kudo kishte bretkosa! Faraoni i tha Moisiut t’i përgjërohej Jehovait që ta ndalte këtë plagë. Ai i premtoi se do t’i linte izraelitët të shkonin, prandaj Jehovai i dha fund kësaj plage. Egjiptianët i mblodhën bretkosat e ngordhura në grumbuj. Vendi filloi të vinte erë të qelbur. Por prapë, faraoni nuk e la popullin të shkonte.

Atëherë, Jehovai i tha Moisiut: «Aaroni duhet ta godasë tokën me shkopin e tij dhe pluhuri ka për t’u kthyer në harrje, në miza të vogla që të pickojnë.» Menjëherë, vendi u mbush me harrje. Disa nga njerëzit e faraonit, i thanë: «Kjo plagë vjen nga Perëndia.» Prapëseprapë, faraoni nuk i la izraelitët të iknin.

«Unë do t’i bëj të njohin dorën dhe fuqinë time, dhe ata kanë për ta marrë vesh se emri im është Jehova.»​—Jeremia 16:21