Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

Si ishte aloe që përdorej në kohët biblike?

Aloe vinte nga pema e aloes

Bibla thotë se aloe përdorej për të parfumuar rrobat dhe shtretërit. (Psalmi 45:8; Proverbat 7:17; Kënga e Solomonit 4:14) Ka të ngjarë që aloe e përmendur në Bibël vinte nga druri i aloes (një lloj Aquilaria). Ndërsa druri kalbej, nxirrte vaj dhe rrëshirë aromatike. Më pas, drurin e bluanin dhe e shitnin si «aloe».

Bibla i krahason tendat e Izraelit me «aloe që ka mbjellë Jehovai». (Numrat 24:5, 6) Ndoshta ky krahasim bëhej për shkak të formës që ka pema e aloes, e cila arrin deri në 30 metra lartësi dhe ka degë të harlisura. Ndonëse kjo pemë nuk gjendet në Izraelin e sotëm, një fjalor thotë se «nuk ka asgjë që na bën të mendojmë se kjo ose pemë të tjera sot të panjohura [në këtë rajon] nuk kultivoheshin në luginën asokohe të pasur e të populluar të Jordanit».—A Dictionary of the Bible.

Çfarë blatimesh pranoheshin në tempullin e Jerusalemit?

Kjo vulë argjile nga tempulli i Jerusalemit është rreth 2.000-vjeçare

Ligji i Perëndisë thoshte se të gjitha flijimet që bëheshin në tempull duhej të ishin të cilësisë më të mirë të mundshme. Perëndia nuk pranonte flijime me të meta. (Dalja 23:19; Levitiku 22:21-24) Sipas Filos, shkrimtar jude i shekullit të parë të e.s., priftërinjtë në atë kohë i kontrollonin kafshët me imtësi «nga koka te këmbët» për t’u siguruar që të ishin të shëndetshme në çdo aspekt, «pa asnjë lloj të mete, sado e vogël të ishte».

Studiuesi E. P. Sanders thotë se funksionarët e tempullit ndoshta «autorizonin shitës të besueshëm të flive që të shitnin vetëm kafshë dhe zogj që priftërinjtë i kishin kontrolluar paraprakisht. Në këtë rast, shitësi duhej t’i jepte blerësit një tip dëftese që tregonte se flia ishte e patëmetë.»

Më 2011, arkeologët gjetën pranë tempullit pikërisht një dëftesë ose garanci të tillë, që ishte një vulë argjile sa një monedhë dhe që datonte nga shekulli i parë p.e.s. deri në vitin 70 të e.s. Në të gjendej një mbishkrim aramaik prej dy fjalësh që është përkthyer: «E kulluar për Perëndinë.» Mendohet se funksionarët e tempullit ua bashkangjitnin këtë lloj garancie mallrave për përdorim ritual ose kafshëve që ishin për t’u flijuar.