Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

Ç’dëshmi ekzistojnë përveç Biblës se izraelitët ishin skllevër në Egjipt?

Bibla tregon se kohë më vonë pasi midianitët e çuan Jozefin në Egjipt, patriarku Jakob me familjen e tij u shpërngulën nga Kanani në Egjipt. Ata u vendosën në një rajon të deltës së Nilit, që quhej Goshen. (Zan. 47:1, 6) Izraelitët «u shtuan dhe u bënë gjithnjë e më të fuqishëm», prandaj egjiptianët i zuri frika nga ata dhe i detyruan të bëheshin skllevër.—Eks. 1:7-14.

Disa kritikë të kohëve të sotme janë tallur me këtë tregim të Biblës, duke e quajtur legjendë. Megjithatë ekzistojnë dëshmi se semitët * ishin skllevër në Egjipt.

Për shembull, arkeologët kanë zbuluar disa rrënoja të vendbanimeve të lashta në veri të Egjiptit. Dr. Xhon Bimsoni tregon se janë gjetur dëshmi të 20 a më shumë vendbanimeve semite në atë zonë. Përveç kësaj, egjiptologu Xhejms Hofmajer thotë: «Aty rreth vitit 1800 e deri në vitin 1540 p.e.s., Egjipti ishte një vend që parapëlqehej për emigrim nga popujt semitë të Azisë Perëndimore.» Ai shton: «Kjo periudhë përkon me atë që njihet si ‘Periudha e patriarkëve’, prandaj përputhet me periudhën dhe rrethanat e përshkruara te Zanafilla.»

Ka edhe dëshmi të tjera nga jugu i Egjiptit. Një papirus që daton në periudhën e «Mbretërisë së Mesme» (rr. 2000–rr. 1600 p.e.s.), përmban emra të skllevërve që punonin në një familje në jug të Egjiptit. Më shumë se 40 nga këta emra janë semitë. Këta skllevër ose shërbëtorë punonin si gjellëbërës, endës dhe punëtorë krahu. Hofmajeri vëren: «Përderisa për atë familje të vetme në Tebaid [rajon në jug të Egjiptit], punonin mbi dyzet semitë, numri i tyre në mbarë Egjiptin, sidomos në zonën e deltës, duhej të ishte i konsiderueshëm.»

Arkeologu Dejvid Rohl shkruan se disa emra të skllevërve në listë ngjajnë si emra «që dalin nga faqet e Biblës». Për shembull, papirusi përmban emra të ngjashëm me Isahar, Asher dhe Shifra. (Eks. 1:3, 4, 15) «Kjo është dëshmi e fortë se izraelitët ishin skllevër në Egjipt»,—përfundon Rohli.

Dr. Bimsoni pohon: «Ajo që thotë Bibla për skllavërinë në Egjipt dhe për Eksodin, ka një bazë të fortë historike.»

^ par. 4 Emri semit vjen nga Semi, një nga tre djemtë e Noesë. Pasardhësit e Semit ka të ngjarë të përfshinin elamitët, asirianët, kaldeasit e hershëm, hebrenjtë, sirianët dhe fise të ndryshme arabe.