Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lexuesit pyesin . . .

A merrnin pjesë në politikë të krishterët e shekullit të parë?

A merrnin pjesë në politikë të krishterët e shekullit të parë?

▪ Para se të ngjitej në qiell, Jezui u dha udhëzime të qarta dishepujve si ta kryenin shërbimin, por nuk përmendi ndonjë këshillë për politikën. (Mateu 28:18-20) Prandaj dishepujt e tij vazhduan të jetonin sipas parimit që Jezui u kishte dhënë më herët: «Paguajini Cezarit gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë gjërat e Perëndisë.»​—Marku 12:17.

Si i ndihmoi ky parim dishepujt e Jezuit të jetonin në botë e njëkohësisht të mos ishin pjesë e saj? Ku e vunë kufirin mes gjërave që i përkitnin shtetit, ose Cezarit, dhe gjërave që i përkitnin Perëndisë?

Apostulli Pavël e konsideronte përfshirjen në politikë njësoj si ta kapërcente kufirin. Libri Përtej qëllimeve të mira​—Një pikëpamje biblike për politikën (anglisht) thotë: «Pavli ishte i gatshëm ta përdorte qytetarinë e tij romake për të kërkuar mbrojtjen ligjore që i takonte me të drejtë, por nuk përfshihej kurrë në çështjet qeveritare të asaj kohe.»

Çfarë udhëzimesh u dha Pavli të bashkëkrishterëve? Në librin e mësipërm thuhet: «Në letrat e tij drejtuar besimtarëve në qytete të rëndësishme, si: në Korint, në Efes e madje në Romë, nuk i përmendi fare debatet politike.» Gjithashtu libri vëren se Pavli «urdhëronte nënshtrimin ndaj qeverisë, por në të gjitha letrat e tij të shumta kurrë nuk përmendi hollësira për ndonjë politikë që pjesëtarët e kishës vendëse t’ua parashtronin institucioneve publike».​—Romakëve 12:18; 13:1, 5-7.

Edhe të krishterët që jetuan disa dekada pas vdekjes së Pavlit iu përmbajtën rreptësisht kufirit mes detyrimeve ndaj Perëndisë dhe shtetit. Ata e ruajtën respektin për fuqitë politike, ndërkohë që nuk merrnin pjesë në veprimtaritë politike. Libri Përtej qëllimeve të mira thotë për këta besimtarë: «Megjithëse besonin se e kishin për detyrë të respektonin autoritetet qeveritare, të krishterët e hershëm nuk besonin se duhej të përfshiheshin në çështjet politike.»

Por rreth 300 vjet pas vdekjes së Krishtit gjërat ndryshuan. Në një libër, teologu Çarls Bija-Bisensio thotë: «Kur strukturat politike u ndryshuan nën sundimin e Kostandinit, duket se shumë të krishterë u futën në shërbimin civil e në ushtri, si dhe pranuan poste politike.» (Mes Krishtit dhe Cezarit, anglisht.) Cili ishte rezultati? Në fund të shekullit të katërt të e.s., kjo përzierje e fesë me politikën ishte bërë feja zyrtare e Perandorisë Romake.

Sot, mjaft fe që pohojnë se ndjekin Krishtin vazhdojnë t’i nxitin anëtarët e tyre të marrin pjesë në politikë. Por këto fe as imitojnë Krishtin, as ndjekin shembullin e të krishterëve të shekullit të parë.