Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bisedë me një të interesuar: A është Jezui Perëndia?

Bisedë me një të interesuar: A është Jezui Perëndia?

Bisedë me një të interesuar: A është Jezui Perëndia?

DËSHMITARËT E JEHOVAIT kënaqen kur flasin për Biblën me të tjerët. A keni pyetje për ndonjë temë biblike? A jeni kureshtar për ndonjë bindje ose praktikë fetare të Dëshmitarëve të Jehovait? Nëse po, mos ngurroni të flitni për këto herën tjetër që do të takoni një Dëshmitar. Ai ose ajo do të bisedojë me kënaqësi për këto çështje.

Më poshtë tregohet një bisedë tipike që një Dëshmitare bën me dikë. Le të përfytyrojmë sikur një Dëshmitare që quhet Klodi ka shkuar të predikojë në shtëpinë e një gruaje me emrin Suela.

A është e vërtetë se ju nuk besoni te Jezui?

Suela: Pastori im thotë se Dëshmitarët e Jehovait nuk besojnë te Jezui. A nuk është kështu?

Klodi: Më lejoni t’ju siguroj se ne besojmë te Jezui. Për ne, besimi te Jezui është jetësor për shpëtimin.

Suela: Edhe unë e besoj këtë.

Klodi: Pra, kjo është diçka që e kemi të përbashkët. Meqë ra fjala, quhem Klodi. Po ju, si quheni?

Suela: Suela. Gëzohem.

Klodi: Gjithashtu. Suela, ndoshta pyetni veten: «Po pse njerëzit thonë se Dëshmitarët e Jehovait nuk besojnë te Jezui?»

Suela: Po, do të doja ta dija.

Klodi: Me pak fjalë Suela, ne kemi besim të fortë te Jezui, por nuk besojmë çdo gjë që njerëzit thonë për të.

Suela: Për shembull, çfarë nuk besoni?

Klodi: Po ja, disa thonë se Jezui ishte thjesht njeri i mirë. Por ne nuk mendojmë kështu.

Suela: As unë.

Klodi: Pra, kjo është diçka tjetër e përbashkët. Një shembull i dytë është se Dëshmitarët e Jehovait nuk i pranojnë mësimet që bien në kundërshtim me atë që tha vetë Jezui për sa i përket marrëdhënies së tij me Atin.

Suela: Çfarë do të thuash me këtë?

Klodi: Shumë fe mësojnë se Jezui është Perëndia. Ndoshta edhe ty të kanë mësuar kështu.

Suela: Po, pastori im thotë se Perëndia dhe Jezui janë i njëjti person.

Klodi: Por, a nuk je dakord se mënyra më e mirë për të mësuar të vërtetën për Jezuin është të shqyrtojmë çfarë tha ai për veten?

Suela: Po, dakord jam.

Çfarë tha Jezui?

Klodi: Le të shqyrtojmë një varg biblik që hedh dritë mbi këtë çështje. Vini re ju lutem çfarë thuhet te Gjoni 6:38. Jezui tha: «Nuk zbrita nga qielli për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më dërgoi.» Kjo do të na ngatërronte pak nëse Jezui do të ishte Perëndia.

Suela: Ç’do të thuash me këtë?

Klodi: Vini re se Jezui nuk erdhi nga qielli që të bënte vullnetin e vet.

Suela: Tamam, ai tha se erdhi që të bënte vullnetin e Atij që e dërgoi.

Klodi: Por, nëse Jezui është Perëndia, kush e dërgoi nga qielli? Dhe pse Jezui do t’i nënshtrohej vullnetit të një Tjetri?

Suela: E kuptoj ku do të dalësh. Megjithatë s’jam e sigurt që ky varg vërteton se Jezui nuk është Perëndia.

Klodi: Ja çfarë tha Jezui në një rast tjetër. Ai bëri një pohim të ngjashëm në kapitullin vijues të Gjonit. A mund ta lexoni ju lutem Gjonin 7:16?

Suela: Po. «Jezui iu përgjigj: ‘Ajo që mësoj, nuk është imja, por i përket atij që më dërgoi.’»

Klodi: Faleminderit, Suela. Sipas këtij vargu, a mësonte Jezui idetë e veta?

Suela: Jo, ai tha se mësimet i përkitnin Atij që e dërgoi.

Klodi: Pikërisht. Përsëri lind pyetja: «Kush e dërgoi Jezuin? Dhe kush ia dha të vërtetat që mësoi?» A nuk duhej të ishte më i madh se Jezui Ai që e dërgoi? Në fund të fundit, ai që dërgon ka pozitë më lartë se ai që dërgohet.

Suela: Kjo është interesante. Kurrë s’e kisha lexuar këtë varg më parë.

Klodi: Të shohim edhe fjalët e Jezuit te Gjoni 14:28: «E dëgjuat se ju thashë: ‘Unë po iki dhe po kthehem te ju. Po të më donit, do të gëzonit që po shkoj tek Ati, sepse Ati është më i madh se unë.’» Duke u bazuar te ky varg, si mendon se e shihte Jezui veten në krahasim me Atin?

Suela: Jezui tha se Ati është më i madh se ai. Prandaj them se e shihte Perëndinë si më të lartë se veten.

Klodi: Saktë. Shihni diçka tjetër që Jezui u tha dishepujve te Mateu 28:18: «Më është dhënë çdo autoritet në qiell dhe në tokë.» A tha Jezui se gjithmonë kishte pasur çdo autoritet?

Suela: Jo, ai tha se autoritetin ia kishin dhënë.

Klodi: Por, nëse Jezui është Perëndia, si mund t’i jepej më shumë autoritet? Dhe, kush ia dha?

Suela: Do ta mendoj edhe një herë.

Me kë po fliste?

Klodi: Ka diçka tjetër që na ngatërron disi nëse Jezui është vërtet Perëndia.

Suela: Çfarë është?

Klodi: Ka të bëjë me atë që thuhet për pagëzimin e Jezuit. Vëreni tregimin e Lukës 3:21, 22. A mund t’i lexoni këto vargje, ju lutem?

Suela: «Kur u pagëzua gjithë populli, u pagëzua edhe Jezui dhe, ndërsa po lutej, qielli u hap, fryma e shenjtë u shfaq porsi një pëllumb dhe zbriti mbi të. Nga qielli u dëgjua një zë: ‘Ti je Biri im, i dashuri. Unë të kam miratuar.’»

Klodi: A e vure re ç’po bënte Jezui teksa pagëzohej?

Suela: Po lutej.

Klodi: Po. Ndoshta pyesim veten: «Nëse Jezui është Perëndia, kujt po i lutej?»

Suela: Kjo është pyetje e bukur. Do të pyes pastorin.

Klodi: Të mendojmë edhe për diçka tjetër. Vini re se pasi Jezui doli nga uji, dikush foli nga qielli. A e pe çfarë tha Ai?

Suela: Ai tha se Jezui ishte Biri i tij, se e donte dhe e miratonte.

Klodi: Pikërisht. Por, nëse Jezui është Perëndia, kush i tha këto fjalë nga qielli?

Suela: Kurrë s’e kisha menduar më parë këtë.

Pse quhen «Atë» dhe «Bir»?

Klodi: Ka edhe diçka tjetër për t’u parë: lexuam se Jezui tha se Perëndia është Ati i tij qiellor. Gjithashtu, kur Jezui u pagëzua, një zë nga qielli tha se Jezui është Biri i tij. Në fakt, Jezui tha qartë se ishte Biri i Perëndisë. Tani, nëse do të më tregoje se dy njerëz janë të barabartë, ç’lloj lidhjeje familjare do të përdorje për ta ilustruar pikën?

Suela: Mbase dy vëllezër.

Klodi: Tamam, mbase dy binjakë identikë. Por Jezui e quajti Perëndinë Ati dhe veten e quajti Biri. Pra, ç’lloj mesazhi mendon se po përcillte Jezui?

Suela: E shoh ku do të dalësh. Jezui po thotë se njëri është më i madh në moshë se tjetri dhe ka më tepër autoritet.

Klodi: Ashtu është. Mendo për këtë: ti gjete një ilustrim të përshtatshëm për barazinë, dy vëllezër ose binjakë. Nëse Jezui do të ishte vërtet Perëndia, a nuk mendon se, si Mësues i Madh, do t’i kishte ardhur ndër mend i njëjti krahasim ose një shembull më i qartë për barazinë?

Suela: Sigurisht.

Klodi: Por, në vend të kësaj, ai përdor termat «Atë» dhe «Bir» për të përshkruar lidhjen me Perëndinë.

Suela: Kjo që thoni është interesante.

Çfarë thanë dishepujt e hershëm të Jezuit?

Klodi: Para se të largohem, do të doja të shqyrtoja edhe një aspekt tjetër për këtë temë, nëse ke pak kohë.

Suela: Po, edhe ca minuta.

Klodi: Nëse Jezui është vërtet Perëndia, a nuk do të prisje që dishepujt e Jezuit ta thoshin qartë këtë?

Suela: Do të ishte e arsyeshme.

Klodi: Prapëseprapë, në asnjë shkrim të Biblës nuk e thanë këtë. Përkundrazi, vini re çfarë shkroi apostulli Pavël, një nga dishepujt e hershëm të Jezuit. Te Filipianëve 2:9, ai përshkruan çfarë bëri Perëndia pasi Jezui vdiq dhe u ringjall: «Perëndia e ngriti [Jezuin] në një pozitë më të lartë e me dashamirësi i dha emrin që është mbi çdo emër.» Sipas këtij vargu, çfarë bëri Perëndia për Jezuin?

Suela: Vargu thotë se Perëndia e ngriti në një pozitë më të lartë.

Klodi: Mirë e the. Por nëse Jezui do të ishte i barabartë me Perëndinë para se të vdiste dhe më pas Perëndia e ngriti në një pozitë më të lartë, a nuk do të dilte Jezui më i lartë se Perëndia? A mund të jetë dikush më i lartë se Perëndia?

Suela: Jo, s’bën vaki. Është e pamundur.

Klodi: Jam dakord. Po të bazohemi në këto dëshmi, a do të thoshe se Bibla mëson se Jezui është Perëndia?

Suela: Jo, s’më duket ashtu. Bibla thotë se Jezui është Biri i Perëndisë.

Klodi: Ashtu është. Megjithatë, dua t’ju siguroj Suela se Dëshmitarët e Jehovait e vlerësojnë tej mase Jezuin. Ne besojmë se vdekja e tij si Mesia i premtuar u hapi rrugën për shpëtim të gjithë njerëzve besnikë.

Suela: Edhe unë kështu besoj.

Klodi: Mbase pyet veten: «Si ta tregojmë se e vlerësojmë që Jezui dha jetën për ne?» *

Suela: Jam kureshtare për këtë.

Klodi: Ndoshta kthehem dhe të tregoj ç’përgjigje jep Bibla për këtë. A do të jesh në shtëpi javën e ardhshme në këtë orar?

Suela: Po, këtu më gjen.

Klodi: Shumë mirë. Takohemi herën tjetër.

[Shënimi]