Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ta bëjmë studimin më të këndshëm e frytdhënës?

Si ta bëjmë studimin më të këndshëm e frytdhënës?

Si ta bëjmë studimin më të këndshëm e frytdhënës?

Si mund të gjejmë më tepër kënaqësi duke studiuar Biblën? Si mund ta bëjmë më frytdhënës studimin? Le të shqyrtojmë shkurtimisht tre hapa të rëndësishëm që do të na ndihmojnë të përfitojmë sa më shumë nga studimi personal i Biblës.

1 LUTJA: Hapi i parë është të lutemi. (Psal. 42:8) Pse? Sepse studimi i Fjalës së Perëndisë është pjesë e adhurimit tonë. Prandaj, duhet t’i kërkojmë Jehovait që të na japë qëndrimin e duhur mendor dhe frymën e shenjtë. (Luka 11:13) Barbara, misionare prej një kohe të gjatë, thotë: «Lutem gjithmonë para se ta lexoj ose ta studioj Biblën. Më pas e ndiej se Jehovai është me mua dhe e miraton atë që po bëj.» Lutja para studimit na hap mendjen dhe zemrën që të pranojmë plotësisht ushqimin e bollshëm frymor që kemi përpara.

2 MEDITIMI: Ngaqë s’kanë kohë, disa mjaftohen vetëm me një lexim sipërfaqësor të Fjalës së Perëndisë. Por kështu humbasin dobitë që mund të kishin nga studimi i Biblës. Karlosi, i cili i shërben Jehovait prej më shumë se 50 vjetësh, ka kuptuar sa e rëndësishme është të lërë kohë për të medituar, që studimi i tij të jetë më frytdhënës. Ai thotë: «Tani lexoj më pak faqe të Biblës çdo herë​—rreth dy faqe në ditë. Më pas mund t’i kushtoj më tepër kohë meditimit rreth asaj që kam lexuar, që të nxjerr mësime të rëndësishme.» (Psal. 77:12) Kur lëmë kohë për të medituar, na shtohet njohuria dhe kuptueshmëria për vullnetin e Perëndisë.​—Kolos. 1:9-11.

3 ZBATIMI: Kur shohim vlerën praktike të një aktiviteti, nxjerrim më shumë dobi prej tij. Patjetër, kjo është e vërtetë edhe për studimin e Biblës. Gabrieli, një vëlla i ri që ka një program të rregullt të studimit të Biblës, thotë: «Falë studimit arrij të kapërcej problemet e jetës së përditshme dhe ndihem më i përgatitur të ndihmoj të tjerët.» Ai shton: «Përpiqem ta zbatoj në jetën time gjithçka që mësoj.» (Ligj. 11:18; Jos. 1:8) Po, ka një thesar të madh njohurie hyjnore që mund ta përvetësojmë dhe ta zbatojmë.​—Prov. 2:1-5.

PËRMBLEDHJE: Ç’privilegj kemi të hulumtojmë njohurinë që siguron Jehovai, Burimi i gjithë mençurisë! (Rom. 11:33) Prandaj, kur të studiosh herën tjetër, sigurohu që së pari t’i lutesh Jehovait dhe t’i kërkosh të të japë qëndrimin e duhur mendor dhe frymën e tij të shenjtë. Pastaj ndalu herë pas here që të meditosh rreth asaj që ke lexuar. Gjithashtu, përpiqu t’i zbatosh në jetën e përditshme gjërat që mëson. Nëse bën këta hapa të rëndësishëm, do të vëresh se studimi i Biblës do të bëhet mjaft i këndshëm dhe frytdhënës.