Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bibla shumëgjuhëshe komplutense​—Një mjet përkthimi me rëndësi historike

Bibla shumëgjuhëshe komplutense​—Një mjet përkthimi me rëndësi historike

Bibla shumëgjuhëshe komplutense​—Një mjet përkthimi me rëndësi historike

RRETH vitit 1455 ndodhi një revolucion në fushën e botimit të Biblës. Johanes Gutenbergu prodhoi Biblën e parë të shtypur me anë të një makine shtypi duke përdorur shkronja të lëvizshme. Më në fund u zgjidh problemi i shpërndarjes së Biblës për shkak të sasisë së kufizuar të dorëshkrimeve. Tani mund të prodhoheshin Bibla në sasi të mëdha dhe me më pak shpenzime. Vetëm pak kohë më pas Bibla do të bëhej libri më i shpërndarë në botë.

Bibla e Gutenbergut ishte në latinisht. Por shumë shpejt studiuesit evropianë u bënë të vetëdijshëm për nevojën e një teksti të besueshëm të Biblës në gjuhët e saj origjinale hebraike dhe greke. Kisha katolike quante vetëm Vulgatën latine si version të pranueshëm të Biblës, megjithatë kjo Bibël kishte dy anë negative. Në shekullin e 16-të shumica e njerëzve nuk kuptonin latinisht. Përveç kësaj, për më shumë se një mijë vjet, në tekstin e Vulgatës ishin grumbulluar shumë gabime të kopjuesve.

Si përkthyesit, ashtu edhe studiuesit kishin nevojë për një Bibël në gjuhët origjinale, si edhe për një përkthim të përmirësuar në latinisht. Në vitin 1502 kardinali Himeneth de Thisneros, këshilltar politik dhe shpirtëror i mbretëreshës së Spanjës Izabela I, vendosi të plotësonte nevojat e tyre me një botim të vetëm. Ky mjet përkthimi me rëndësi historike u bë i njohur si Bibla shumëgjuhëshe komplutense. Thisnerosi synonte të kishte një Bibël shumëgjuhëshe që të përmbante tekstin më të mirë në hebraisht, greqisht dhe latinisht, bashkë me disa pjesë në aramaisht. Shtypi ishte ende në fillimet e tij, prandaj kjo arritje do të ishte edhe një ngjarje e shënuar në artin e shtypshkrimit.

Thisnerosi e filloi detyrën e tij kolosale duke blerë dorëshkrime hebraike të lashta, nga të cilat kishte shumë në Spanjë. Po ashtu mblodhi shumë dorëshkrime në greqisht dhe në latinisht. Këto do të siguronin bazën për tekstin e Biblës shumëgjuhëshe. Thisnerosi ia besoi përpilimin e Biblës një skuadre studiuesish të cilët i organizoi në Universitetin e sapoformuar të Alkala de Henaresit, në Spanjë. * Midis studiuesve që u kërkoi të bashkëpunonin ishte edhe Erasmi i Roterdamit, por ky gjuhëtar i shquar nuk e pranoi ftesën.

Studiuesit punuan dhjetë vjet për të përpiluar këtë vepër kolosale dhe pas kësaj u deshën edhe katër vjet për ta shtypur. Kishte shumë probleme teknike, sepse makinat spanjolle të shtypit nuk përmbanin shkronja hebraike, greke ose aramaike. Për këtë arsye Thisnerosi punësoi një mjeshtër shtypshkrimi, Arnaldo Giljermo Brokario, që të përgatiste shkronjat në këto gjuhë. Më në fund tipografët filluan shtypjen e Biblës në vitin 1514. Gjashtë vëllimet përfunduan më 10 korrik 1517, pikërisht katër muaj para se kardinali të vdiste. Ishte paradoks që rreth 600 kopjet e veprës së plotë u botuan pikërisht në kohën kur inkuizicioni spanjoll ishte në kulmin e tij. *

Faqosja e Biblës

Çdo faqe e Biblës shumëgjuhëshe siguronte një pasuri informacionesh. Në të katër vëllimet që përmbanin Shkrimet Hebraike, teksti i Vulgatës ndodhej në qendër të çdo faqeje; teksti hebraik formonte kolonën e jashtme, kurse teksti grek, bashkë me një përkthim në latinisht në mes të rreshtave, formonte kolonën e brendshme. Anash faqeve tregoheshin rrënjët e shumë fjalëve hebraike. Gjithashtu, në pjesën e poshtme të çdo faqeje që përmbante Pentateukun, botuesit përfshinë edhe Targumin e Onkelosit (një parafrazim në aramaisht i pesë librave të parë të Biblës) bashkë me një përkthim në latinisht.

Vëllimi i pestë i Biblës shumëgjuhëshe përmbante Shkrimet Greke në dy kolona. Në njërën kolonë ishte teksti grek, kurse në tjetrën teksti përkatës në latinisht i Vulgatës. Lidhja ndërmjet teksteve në të dy gjuhët tregohej nëpërmjet shkronjave të vogla, të cilat e drejtonin lexuesin tek fjala origjinale dhe tek e njëjta fjalë e përkthyer në kolonën tjetër. Teksti grek i Biblës shumëgjuhëshe ishte përmbledhja e parë e plotë e Shkrimeve Greke ose e «Besëlidhjes së Re» që ishte shtypur ndonjëherë. Shumë shpejt pas saj doli botimi i «Besëlidhjes së Re» në gjuhën greke nga Erasmi.

Studiuesit treguan kaq shumë kujdes gjatë redaktimit të tekstit të vëllimit të pestë, saqë u bënë vetëm 50 gabime shtypi. Për shkak të kujdesit kaq të madh të këtyre studiuesve, kritikët e sotëm i kanë dhënë këtij teksti një vlerësim më të lartë se tekstit grek të mirënjohur të Erasmit. Shkronjat elegante greke krahasoheshin për nga pamja me bukurinë e thjeshtë të dorëshkrimeve të lashta me shkronja të mëdha ose unciale. Në librin e tij, Shtypshkrimi në greqisht në shekullin e pesëmbëdhjetë (anglisht), R. Proktori thotë: «Spanjës i përket merita që shkronjat e para greke të prodhuara në atë vend ishin pa dyshim shkronjat më të mira greke që ishin prodhuar ndonjëherë.»

Vëllimi i gjashtë i Biblës shumëgjuhëshe përmbante mjete të shumta ndihmëse për të studiuar Biblën: një fjalor hebraisht dhe aramaisht; një shpjegues të emrave grekë, hebraikë dhe aramaikë; një gramatikë hebraike dhe një tregues në latinisht të fjalorit të lartpërmendur. Nuk është për t’u habitur që Bibla shumëgjuhëshe komplutense është cilësuar si «një monument i artit tipografik dhe i shkencës biblike».

Thisnerosi kishte si qëllim që kjo vepër «të zgjonte interesin për studimin e shkrimeve». Megjithatë ai nuk dëshironte që Bibla të ishte në dispozicion të të gjithë njerëzve. Mendonte se «Fjala e Perëndisë duhej mbuluar me kujdes nga mistere të cilat të mos zbuloheshin nga njeriu i thjeshtë». Gjithashtu mendonte se «Shkrimet duheshin kufizuar vetëm në tri gjuhët e lashta në të cilat Perëndia lejoi të shkruhej mbishkrimi që iu vu Birit të tij të kryqëzuar». * Për këtë arsye Bibla shumëgjuhëshe komplutense nuk përmbante ndonjë përkthim në spanjisht.

Vulgata e krahasuar me tekstet në gjuhët origjinale

Për shkak të natyrës së saj, Bibla shumëgjuhëshe shkaktoi disa mosmarrëveshje midis studiuesve që e përpiluan. Studiuesi i famshëm spanjoll, Antonio de Nebriha *, u caktua përgjegjës për rishikimin e tekstit të Vulgatës që do të përfshihej në Biblën shumëgjuhëshe. Ndonëse kisha katolike e konsideronte Vulgatën e Jeronimit si të vetmin version të autorizuar, Nebriha e pa të nevojshme të krahasonte Vulgatën me tekstet origjinale hebraike, aramaike dhe greke. Ai donte të korrigjonte gabimet e dukshme që ishin futur në kopjet ekzistuese të Vulgatës.

Për të zgjidhur çdo mospërputhje mes Vulgatës dhe teksteve në gjuhët origjinale, Nebriha e nxiti Thisnerosin: «Ndiz edhe një herë dy pishtarët e pandezur të fesë sonë: gjuhët hebraike dhe greke. Shpërbleji ata që i përkushtohen kësaj detyre.» Gjithashtu dha edhe këtë sugjerim: «Çdo herë që në dorëshkrimet latine vërejmë një ndryshim të Besëlidhjes së Re, duhet ta krahasojmë me dorëshkrimet greke. Sa herë që ka një mospërputhje midis dorëshkrimeve të ndryshme latine ose midis dorëshkrimeve latine dhe greke të Besëlidhjes së Vjetër, duhet të shqyrtojmë saktësinë e tyre me burimin origjinal në gjuhën hebraike.»

Si u përgjigj Thisnerosi? Në parathënien e Biblës shumëgjuhëshe, Thisnerosi e shprehu qartë mendimin e tij. «E kemi vendosur përkthimin latin të të bekuarit Jeronim ndërmjet atij të Sinagogës [tekstit hebraik] dhe atij të Kishës së Lindjes [tekstit grek], ashtu siç u varën hajdutët, secili në njërën anë të Jezuit, i cili përfaqëson Kishën e Romës ose Kishën Latine.» Pra Thisnerosi nuk e lejoi Nebrihën që të korrigjonte Vulgatën latine sipas tekstit të gjuhëve origjinale. Në fund Nebriha vendosi që më mirë të hiqte dorë nga kjo vepër, sesa të vendoste emrin e tij te një rishikim me të meta.

Comma Johanneum

Megjithëse Bibla shumëgjuhëshe e Alkala de Henaresit përbënte një hap gjigant përpara në prodhimin e një teksti të përmirësuar në gjuhët origjinale të Biblës, në disa raste, traditës iu dha më shumë rëndësi se njohurisë. Vulgata vlerësohej kaq shumë, saqë botuesit u ndien të detyruar në disa raste që të korrigjonin tekstin grek të «Besëlidhjes së Re» për t’u siguruar që të përputhej me tekstin latin, në vend që të bënin të kundërtën. Një nga këta shembuj është fraza e famshme e rreme e njohur si comma Johanneum. * Asnjë nga dorëshkrimet e hershme greke nuk e përmbante këtë frazë, e cila, sipas dëshmive, u fut në tekst disa shekuj pasi Gjoni shkroi letrën e tij. Fraza nuk ndodhej as në dorëshkrimet më të vjetra latine të Vulgatës. Prandaj Erasmi në «Besëlidhjen e Re» në greqisht e hoqi këtë ndërfutje.

Botuesit e Biblës shumëgjuhëshe ngurruan të hiqnin një frazë që prej shekujsh kishte qenë pjesë e tekstit tradicional të Vulgatës. Kështu e ruajtën frazën e rreme në latinisht dhe vendosën ta përkthenin atë e ta futnin në tekstin grek në mënyrë që të dy kolonat të përputheshin.

Një bazë për përkthimet e reja të Biblës

Vlera e Biblës shumëgjuhëshe komplutense nuk varet vetëm nga fakti se përmbante botimin e parë të shtypur të të gjithë Shkrimeve Greke dhe të përkthimit Septuaginta. Ashtu si «Besëlidhja e Re» e Erasmit në gjuhën greke u bë teksti i Shkrimeve Greke i pranuar nga shumica (baza për shumë përkthime në gjuhë të tjera), teksti hebraik i Biblës shumëgjuhëshe siguroi bazën për Shkrimet Hebraiko-Aramaike. * Uilliam Tindali përdori këtë Bibël si tekstin bazë hebraik për përkthimin e Biblës në anglisht.

Pra mund të themi që vepra akademike e skuadrës që prodhoi Biblën shumëgjuhëshe komplutense luajti një rol të rëndësishëm në përparimin e njohurisë biblike. Botimi i saj u bë në një kohë kur rritja e interesit për Biblën anembanë Evropës kishte filluar të nxiste përkthimin e saj në gjuhën e thjeshtë të njerëzve. Bibla shumëgjuhëshe doli se ishte një hallkë më shumë në zinxhirin e iniciativave që ndihmuan në përmirësimin dhe ruajtjen e tekstit grek dhe hebraik. E gjithë kjo është në përputhje me qëllimin hyjnor që ‘fjala e pastruar’ ose e rafinuar e Jehovait ‘të mbetet përjetë’.​—Psalmi 18:30; Isaia 40:8; 1 Pjetrit 1:25.

[Shënimet]

^ par. 5 Alkala de Henares, një qytet i Spanjës, më parë quhej Komplutum. Nga ky emër vjen fjala «komplutense».

^ par. 6 Gjashtëqind kopje u shtypën në letër, kurse gjashtë të tjera në pergamenë. Në vitin 1984, u shtyp një numër i kufizuar i riprodhimit të këtij botimi.

^ par. 12 Hebraisht, greqisht dhe latinisht.​—Gjoni 19:20.

^ par. 14 Nebriha konsiderohet si pionieri i humanistëve spanjollë (studiuesve liberalë). Në vitin 1492 ai botoi librin Gramatika kastiliane (spanjisht). Tre vjet më pas vendosi t’ia kushtonte pjesën tjetër të jetës së tij studimit të Shkrimeve të Shenjta.

^ par. 18 Fraza e rreme e shtuar në disa përkthime të Biblës te 1 Gjonit 5:7 është: «në qiell: Ati, Fjala dhe Fryma e Shenjtë; dhe këta të tre janë një».

^ par. 21 Për një përshkrim të veprës së Erasmit shih Kullën e Rojës 15 shtator 1982, faqet 8-11, anglisht.

[Figura në faqen 29]

Kardinali Himeneth de Thisneros

[Burimi]

Biblioteca Histórica. Universidad Complutense de Madrid

[Figura në faqen 30]

Antonio de Nebriha

[Burimi]

Biblioteca Histórica. Universidad Complutense de Madrid

[Burimi i figurës në faqen 28]

Biblioteca Histórica. Universidad Complutense de Madrid