Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Në kërkim të atyre që e meritojnë në Kenia

Në kërkim të atyre që e meritojnë në Kenia

Në kërkim të atyre që e meritojnë në Kenia

KENIA është një vend me bukuri të madhe natyrore. Pyje të harlisura, pllaja të paana, shkretëtira përcëlluese dhe male të mbuluara me borë i japin hijeshi këtij vendi të mrekullueshëm. Aty kanë habitatin e tyre më shumë se një milion antilopa afrikane, si edhe rinoqeronti që rrezikon të zhduket. Mund të shihen, gjithashtu, grupe të mëdha xhirafash që lëvizin nëpër savana.

Me bollëk gjenden edhe krijesat fluturuese, që nga shqiponjat e fuqishme të shpejta e deri te mijëra zogjtë këngëtarë shumëngjyrësh që e ëmbëlsojnë atmosferën me meloditë e tyre të gëzuara. Veç kësaj, kush mund të kalojë pa i parë elefantët dhe luanët? Pamjet dhe tingujt e Kenias janë të paharrueshme.

Megjithatë, anembanë kësaj toke të bukur dëgjohet edhe një tingull tjetër. Është tingulli i mijëra zërave që përhapin një mesazh shprese. (Isaia 52:7) Këto zëra po arrijnë njerëz në më shumë se 40 fise e gjuhë. Në këtë kuptim, Kenia është edhe një vend me bukuri frymore.

Shumica e njerëzve në Kenia kanë prirje fetare dhe janë të gatshëm të flasin për gjëra frymore. Megjithëkëtë, është bërë një sfidë të gjesh njerëz për t’u folur, pasi Kenia, ashtu si shumë vende të tjera, po përjeton një ndryshim.

Kushtet e vështira ekonomike i kanë detyruar shumë veta të ndryshojnë mënyrën e tyre të jetesës. Gratë, që tradicionalisht kanë punuar në shtëpi, tani po punojnë në zyra ose nëpër rrugë, duke shitur fruta, perime, peshk dhe shporta të thurura. Burrat punojnë shumë orë, duke bërë punë të lodhshme që të sigurojnë të ardhura për familjet e tyre. Madje edhe fëmijët, me krahët e vogla të mbushura plot pako me kikirikë të pjekur dhe vezë të ziera, ecin nëpër rrugë duke shitur. Rrjedhimisht, gjatë ditës gjenden pak njerëz në shtëpi. Kjo situatë ka bërë të nevojshme që lajmëtarët e lajmit të mirë të Mbretërisë të bëjnë rregullime.

Kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait u këshilluan që të përqendrohen më shumë te njerëzit që janë jashtë shtëpive, duke bërë aktivitetet e tyre të përditshme, si edhe te miqtë, farefisi, tregtarët dhe kolegët e punës. Vëllezërit reaguan ndaj kësaj, duke folur me njerëzit kudo që i gjenin. (Mateu 10:11) A ka sjellë rezultate kjo përpjekje për t’u zgjeruar? Patjetër që po! Të shqyrtojmë disa shembuj.

Farefisi: të afërmit tanë më të ngushtë

Kryeqyteti i Kenias, Najrobi, ka rreth tre milionë banorë. Në pjesën lindore të qytetit jetonte një major që kishte dalë në pension, i cili kishte një mospëlqim të përgjithshëm për Dëshmitarët e Jehovait, ndonëse, për zhgënjimin e tij, kishte të birin Dëshmitar. Një ditë shkurti, oficeri në pension udhëtoi 160 kilometra për të shkuar tek i biri në Nakuru, një qytet i Rift-Vallejt. Gjatë vizitës, djali i bëri dhuratë librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme.* Babai e pranoi librin dhe u largua.

Kur u kthye në shtëpi, ish-oficeri ia dha librin së shoqes, e cila filloi ta lexonte, pa e kuptuar se ishte botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Dalëngadalë, e vërteta biblike filloi t’ia prekte zemrën dhe ajo e ndau informacionin me të shoqin. Nga kureshtja, edhe ai filloi ta lexonte librin. Kur zbuluan cili ishte botuesi, nxorën përfundimin se nuk u kishin thënë të vërtetën për Dëshmitarët e Jehovait. U takuan me Dëshmitarët lokalë dhe me ta u fillua një studim biblik. Kur e kishin lexuar vetë librin, e kishin kuptuar se nuk është e krishterë të përdorësh ose të shesësh duhan. (Mateu 22:39; 2 Korintasve 7:1) Pa ngurruar, i shkatërruan të gjitha cigaret që kishin në dyqan. Pas disa muajsh, u kualifikuan për t’u bërë lajmëtarë të papagëzuar dhe shumë shpejt u pagëzuan në një kongres krahinor.

Plehrat japin një thesar

Në disa pjesë të krahinës së kryeqytetit, gjenden fshatra të vendosura kuturu, të cilat kanë qindra mijë njerëz. Këtu mund të shikosh radhë të tëra shtëpish të ndërtuara me baltë, dru, mbeturina metalike ose fleta llamarine. Kur ka pak punë në industri dhe nëpër fabrika, njerëzit sajojnë punë. Punëtorët jua kali (fjalë në gjuhën suahili për «diell i fortë») punojnë nën diell, duke bërë sandale me rrotat e vjetra të makinave ose llamba vajguri me kanaçet e hedhura. Të tjerët kontrollojnë nëpër grumbuj plehrash dhe në kazanët e plehrave për letra, kanaçe dhe shishe të riciklueshme.

A mund të japin plehrat ndonjë thesar? Po! Një vëlla kujton: «Një burrë i fuqishëm, me pamje të çrregullt dhe të ashpër, i cili mbante një thes të madh plastik plot me gazeta dhe revista të hedhura, hyri në oborrin e Sallës sonë të Asambleve. Pasi më tha se e quanin Uilliam, ai pyeti: ‘A i keni numrat e fundit të Kullës së Rojës?’ Isha pak i shqetësuar, duke pyetur veten cilat mund të ishin qëllimet e tij. Kur i tregova pesë numra të ndryshëm të revistës, i pa një nga një dhe tha: ‘Do t’i marr të gjitha.’ I befasuar, shkova në dhomën time dhe u ktheva me librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi tokë. * I tregova pikturën e parajsës dhe i shpjegova se e studiojmë Biblën pa pagesë me njerëzit. Pastaj i sugjerova: ‘Uilliam, përse nuk vjen nesër që të fillojmë studimin?’ Bëri pikërisht ashtu!

Një të diel erdhi në mbledhjen e tij të parë. Atë ditë unë po mbaja fjalimin publik. Kur Uilliami hyri brenda, i hodhi një sy me të shpejtë auditorit, më pa mua në podium dhe doli menjëherë nga salla. Më vonë e pyeta përse e bëri këtë. M’u përgjigj me turp: ‘Aty njerëzit ishin shumë të pastër. U bëra nervoz.’

Ndërsa Uilliami përparonte në studim, e vërteta biblike filloi t’ia transformonte jetën. U la, preu flokët, veshi rroba të pastra e të rregullta dhe s’kaloi shumë kohë e vinte rregullisht në mbledhje. Kur doli libri Njohuria që të çon në jetën e përhershme, filluam ta studionim atë. Ndërkohë, Uilliami kishte mbajtur dy fjalime në Shkollën e Shërbimit Teokratik dhe ishte bërë lajmëtar i papagëzuar. U drithërova kur e mikprita si vëllanë tim frymor, pasi u pagëzua në asamblenë speciale njëditore.»

Ku e kishte kuptuar Uilliami fillimisht vlerën e revistës Kulla e Rojës? «Gjeta disa numra në plehra, mes letrave të hedhura.» Pikërisht, ai gjeti një thesar në këtë mënyrë të çuditshme!

Dëshmi në vendin e punës

A jemi gjithnjë syçelë për të shfrytëzuar mundësitë që të japim dëshmi joformale në vendin e punës? Xhejmsi, një plak në një kongregacion të Najrobit, e ka marrë të vërtetën biblike në këtë mënyrë. Nga ana e vet, ai ka mësuar ta përdorë mirë këtë metodë që të arrijë njerëzit e tjerë. Për shembull, në një rast, Xhejmsi pa një koleg që hyri në zyrë me një distinktiv ku ishin shkruar fjalët «Jezui të shpëton». Duke imituar Filip ungjilltarin, Xhejmsi e pyeti kolegun: «A e kupton vërtet domethënien e atyre fjalëve?» (Veprat 8:30) Kjo pyetje çoi në një bisedë të shkëlqyer. U fillua një studim biblik dhe më vonë, ai burrë u pagëzua. A ka pasur sukses Xhejmsi me të tjerët? Le të na e shpjegojë ai:

«Unë dhe Tomi punonim në të njëjtën firmë. Shpesh udhëtonim me të njëjtin autobus, që merrte punonjësit e firmës. Një mëngjes, ndodhi që u ulëm bashkë. Po lexoja një nga librat tanë dhe e mbaja në një mënyrë që të sigurohesha se Tomi arrinte ta shihte mirë. Pikërisht siç kisha shpresuar, atij i tërhoqi vëmendjen libri dhe me kënaqësi ia dhashë hua librin tim. I bëri shumë përshtypje ajo që lexoi dhe pranoi të bënte një studim biblik. Tani, ai dhe e shoqja janë shërbëtorë të pagëzuar të Jehovait.»

Xhejmsi shton: «Shpesh, gjatë pushimit të drekës që kemi në punë, bëhen biseda shumë interesante. Kështu ndodhi që, në dy raste të ndryshme, takova Efraimin dhe Uollterin. Që të dy e dinin se isha Dëshmitar. Efraimi ishte i interesuar të dinte përse ekziston një kundërshtim kaq i fortë ndaj Dëshmitarëve të Jehovait. Uollteri kishte pyetje për ndryshimin që ekziston ndërmjet Dëshmitarëve dhe feve të tjera. Që të dy mbetën shumë të kënaqur me përgjigjet biblike që u dhashë dhe pranuan të bënin studim. Efraimi bëri përparim të shpejtë. Me kalimin e kohës, ai dhe e shoqja ia dedikuan jetën Jehovait. Tani, ai shërben si plak dhe gruaja e tij është pioniere e rregullt. Ndërsa Uollteri hasi një kundërshtim aq të fortë, sa e hodhi librin me të cilin studionte. Gjithsesi, për shkak të këmbënguljes sime, e rifilloi studimin. Edhe ai tani ka privilegjin të shërbejë si plak.» Gjithsej, 11 veta janë bërë të krishterë të vërtetë ngaqë Xhejmsi përfitoi nga mundësitë për të dëshmuar në mënyrë joformale në vendin e tij të punës.

Një përfundim shumë mahnitës

Në një fshat të vogël në brigjet e liqenit Viktoria, miq e të afërm u mblodhën në një ceremoni varrimi. Mes të pranishmëve ishte edhe një Dëshmitar i moshuar. Ai iu afrua një mësueseje me emrin Dolli dhe i shpjegoi gjendjen e të vdekurve dhe qëllimin e Jehovait për ta eliminuar përgjithmonë vdekjen. Duke vënë re reagimin e saj pozitiv, ai e siguroi: «Kur të ktheheni në qytetin tuaj, një nga misionarët tanë do t’ju bëjë vizitë e do t’ju mësojë Biblën.»

Qyteti ku banon Dolli është qyteti i tretë më i madh në Kenia. Në atë kohë, atje shërbenin vetëm katër Dëshmitarë misionarë. Në fakt, vëllai i moshuar nuk njoftoi asnjë nga misionarët që t’i bënin vizitë Dollit. Ai vetëm se kishte besim të plotë se do të ndodhte kështu. Dhe ashtu ndodhi! Brenda pak kohësh, një motër misionare takoi Dollin dhe filloi një studim me të. Tani Dolli është e pagëzuar, vajza e saj me moshë të re është regjistruar në Shkollën e Shërbimit Teokratik dhe dy djemtë e saj janë po ashtu të pagëzuar. Madje, ajo ka pasur gëzimin të ndjekë Shkollën e Shërbimit për Pionierë.

Kujdesi për rritjen

Theksi që u vu në dëshminë joformale u ka dhënë mundësi mijëra personave të tjerë të dëgjojnë lajmin e mirë në Kenia. Më shumë se 15.000 lajmëtarë tani janë të zënë në këtë vepër shumë të rëndësishme dhe më shumë se 41.000 veta ndoqën Përkujtimin e vdekjes së Krishtit vitin e kaluar. Në mbarë Kenian, prania në mbledhje është shpesh dyfishi i numrit të lajmëtarëve të Mbretërisë. Kjo ka krijuar një nevojë për më shumë Salla Mbretërie.

Salla Mbretërie po ndërtohen si në qytetet e mëdha, ashtu edhe në zonat e thella. Një prej tyre është një qytet i izoluar në krahinën Samburu, rreth 320 kilometra në verilindje të Najrobit. Në vitin 1934, qytetit i vunë emrin Maralal, që do të thotë «vezullon» në gjuhën samburu, sepse ndërtesa e parë e ngritur atje me çati prej fletësh llamarine shkëlqente në diell. Gjashtëdhjetë e dy vjet më vonë, në Maralal u ngrit një ndërtesë tjetër me çati prej fletësh llamarine. Edhe ajo «shkëlqen» e «shndrit», sepse është vendi lokal i adhurimit të vërtetë.

Të 15 lajmëtarët bënë përpjekje të mrekullueshme për të ndërtuar Sallën e parë të Mbretërisë në këtë zonë të thellë të Kenias. Fondet ishin të kufizuara, prandaj vëllezërve iu desh të mbështeteshin në materialet që gjenin në vend. Muret i bënë me dhe të kuq, të lagur me ujë e të ngjeshur mirë mes shtyllave të vendosura vertikalisht. Muret u lëmuan dhe u suvatuan me një përzierje me bajga lopësh dhe hi, e cila siguron një shtresë të fortë që zgjat për vite të tëra.

Për të gjetur shtyllat për ndërtesën, vëllezërit morën një leje për të prerë pemë. Por, pylli më i afërt gjendej rreth 10 kilometra larg. Vëllezërve e motrave iu desh të shkonin në këmbë deri në pyll, të pritnin pemët, t’u hiqnin degët dhe t’i mbartnin shtyllat deri në kantierin e ndërtimit. Një herë, kur po ktheheshin nga pylli, vëllezërit i ndaloi policia, e cila deklaroi se leja e tyre nuk ishte e vlefshme. Një nga policët i tha një pionieri special se ishte i arrestuar ngaqë priste pemë. Një motër vendëse, e njohur në qytet, si edhe nga policia, tha: «Nëse arrestoni vëllanë tonë, do t’ju duhet të na arrestoni të gjithëve, sepse të gjithë kemi prerë pemë.» Atëherë i lanë të gjithë të iknin.

Në pyll kishte kafshë të egra, kështu që të ecje atje nuk ishte një gjë pa rrezik. Një ditë, një motër preu një pemë dhe e rrëzoi përtokë. Ndërsa pema ra në tokë, ajo pa një kafshë që kërceu dhe iku me vrap. Nga pamja e ngjyrës së kuqërremtë, ajo mendoi se ishte vetëm një impala, por më vonë, nga gjurmët e dalloi se kishte qenë një luan! Me gjithë këto rreziqe, vëllezërit e përfunduan sallën dhe ajo qëndron si një burim «vezullues» lavdie për Jehovain.

Data 1 shkurt 1963 ishte një ditë domethënëse në historinë teokratike të Kenias. Atë ditë, u hap zyra e parë e degës, e cila ishte vetëm një dhomë 7,4 metra katrorë. Data 25 tetor 1997 ishte një moment tjetër historik në historinë teokratike të Kenias, dita e dedikimit për një kompleks të ri të Bethelit prej 7.800 metrash katrorë. Projekti i përfunduar ishte kulmi madhështor i tre vjet pune me përkushtim. Vullnetarë nga 25 vende të ndryshme e kishin transformuar një fushë tërë baltë e barëra të këqija prej 3,2 hektarësh në një mjedis të bukur ngjashëm një kopshti për ndërtesën e re të degës, e cila mban 80 anëtarët e familjes Bethel.

Kemi çdo arsye për t’u gëzuar me atë që ka bërë Jehovai për popullin e tij. Falënderimet i shkojnë atij që ka nxitur zemrën e shërbëtorëve të tij që të zgjerohen e të intensifikojnë kërkimin e atyre që e meritojnë në Kenia, duke e bërë atë një vend me bukuri frymore.

[Shënimi]

^ par. 13 Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.