Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Nuk e dini se ç’do të bëhet nesër me jetën tuaj»

«Nuk e dini se ç’do të bëhet nesër me jetën tuaj»

Jetëshkrim

«Nuk e dini se ç’do të bëhet nesër me jetën tuaj»

TREGUAR NGA HERBERT XHENINGS

«Po kthehesha nga qyteti i Timës për në zyrën e degës së Shoqatës Watch Tower në Ganë dhe ndalova të merrja në makinë një të ri që donte të udhëtonte për në qytet. Përfitova nga rasti për t’i dhënë dëshmi. Mendoja se po e vazhdoja shumë mirë bisedën. Por, kur mbërritëm aty ku duhej të ndalonte i riu, ai kërceu menjëherë jashtë makinës dhe u largua me vrap.»

INCIDENTI i mësipërm ishte një e dhënë që më bëri të kuptoja se në jetën time po ndodhte diçka e pazakontë. Para se t’ju tregoj çfarë ndodhi, më lini t’ju them se si unë, një kanadez, gjendesha në Ganë.

Ishte mesi i dhjetorit në vitin 1949, në periferinë veriore të Torontos, Kanada. Sapo kishim mbaruar së gërmuari rreth një metër në dheun e ngrirë, për të instaluar shërbimin hidraulik në një shtëpi të re. E sfilitur nga i ftohti dhe nga lodhja, skuadra jonë u ul përqark një zjarri me dru, duke pritur që të vinte makina e të na merrte. Papritur, Arnold Lortoni, një nga punëtorët, filloi të thoshte diçka për «luftëra dhe ushtima luftërash», «fundi i kësaj bote» dhe të përdorte shprehje të tjera që ishin krejt të panjohura për mua. Në çast, të gjithë pushuan së foluri, u vunë në siklet e, madje, disa e kundërshtuan ashpër. Më kujtohet që mendova: ‘Ky duhet të ketë shumë guxim! Asnjëri këtu nuk dëshiron të dëgjojë e megjithatë ai vazhdon.’ Por, ajo që po thoshte më bëri përshtypje. Kishin kaluar vetëm disa vjet nga Lufta II Botërore dhe nuk kisha dëgjuar kurrë gjëra të tilla në fenë krishtadelfiane që kishte qenë pjesë e familjes sime për disa breza. Dëgjova me vëmendje, i tërhequr nga shpjegimet e tij.

Nuk prita shumë para se t’i afrohesha Arnoldit për t’i kërkuar informacione të tjera. Duke parë prapa, e kuptoj sa të duruar e mirëdashës ishin ai dhe gruaja e tij, Xhini, me mua që isha një 19-vjeçar pa përvojë. Shpesh u shkoja në shtëpi për të folur me ta, pa i njoftuar e pa qenë i ftuar. Më vunë në rrugën e duhur dhe më ndihmuan të qartësoja konfliktin që po zhvillohej në mendjen time të re për sa u përket normave dhe moralit. Më 22 tetor 1950, dhjetë muaj pas asaj përvoje fillestare përreth zjarrit buzë rrugës, u pagëzova si Dëshmitar i Jehovait. Isha në kongregacionin Uilloudejl në Jorkun e Veriut, që tani është pjesë e Torontos.

Shkoj përpara me bashkadhuruesit

Jeta në shtëpi u bë gjithnjë e më e tensionuar kur babai e kuptoi se isha i vendosur të ndiqja besimin e ri që kisha gjetur. Kohët e fundit, babai kishte qenë viktimë e një përplasjeje ballore me makinë, shkaktuar nga një shofer i dehur, dhe prandaj shpesh nuk ishte e lehtë të merreshe vesh me të. Jeta ishte e vështirë për mamanë, dy vëllezërit dhe dy motrat e mia. Tensioni për shkak të së vërtetës biblike u rrit. Prandaj, m’u duk e matur që të largohesha nga shtëpia për hir të paqes me prindërit dhe për t’u vendosur në ‘udhën e së vërtetës’.​—2 Pjetrit 2:2.

Aty nga fundi i verës së vitit 1951, u vendosa në një kongregacion të vogël në Kolman, Alberta. Atje ishin dy të rinj, Ros Hant dhe Kit Robins, që ishin të zënë me predikimin publik në kohë të plotë, i njohur si shërbimi i pionierit të rregullt. Ata më ndihmuan që të synoja për të njëjtin shërbim vullnetar. Më 1 mars 1952 hyra në radhët e pionierëve të rregullt.

E kujtoj me përzemërsi inkurajimin që mora. Kisha shumë për të mësuar dhe ky ishte vendi i provës për mua. Më vonë, pasi kalova rreth një vit në shërbimin e pionierit në kongregacionin Lethbrixh, Alberta, mora një ftesë të papritur për të shërbyer si mbikëqyrës udhëtues. Do t’u shërbeja kongregacioneve të Dëshmitarëve të Jehovait të shpërndara në bregun lindor të Kanadasë, nga Monktoni, Nju-Brunsuik deri në Gaspé, Kuebek.

Isha vetëm 24 vjeç dhe relativisht i ri në të vërtetën, prandaj ndihesha shumë i papërshtatshëm, sidomos po të krahasohesha me Dëshmitarët e pjekur të cilëve duhej t’u shërbeja. Në muajt që pasuan bëra përpjekje të sinqerta. Më pas erdhi një surprizë tjetër.

Shkolla e Galaadit dhe drejt Bregut të Artë

Në shtator të vitit 1955 më ftuan të bashkohesha me nja njëqind studentë të tjerë për klasën e 26-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit në Lansingun Jugor, Nju-Jork. Pesë muaj stërvitjeje dhe studimi intensiv ishin pikërisht ato që më duheshin. Entuziazmi m’u forcua duke ndenjur me këtë grup vëllezërish e motrash që ishin shumë të motivuar. Gjatë kësaj kohe, ndodhi edhe një gjë tjetër që ma ka pasuruar jetën deri sot e kësaj dite.

Midis studentëve që po përgatiteshin për aktivitetin misionar ishte edhe një motër e re, Ajlin Stabs. Te Ajlini pashë një lloj qëndrueshmërie, një prakticitet realist dhe një prirje për të qenë modeste dhe e gëzuar. Mendoj që e frikësova kur ia deklarova pa takt qëllimet e mia. Gjithsesi, nuk u largua. Të dy ramë dakord që Ajlini të shkonte në caktimin e saj misionar në Kosta-Rikë dhe unë në timin, në Bregun e Artë (tani Gana), në Afrikën Perëndimore.

Një mëngjes, në maj të vitit 1956, isha në zyrën e vëllait Nejthën Nor, në katin e dhjetë në Bruklin, Nju-Jork. Në atë kohë ai ishte presidenti i Shoqatës Watch Tower. Më kishin caktuar si shërbëtor dege për të mbikëqyrur veprën e predikimit në Bregun e Artë, në Togolend (tani Togo), në Bregun e Fildishtë, në Voltën e Sipërme (tani Burkina Faso) dhe në Gambia.

Më kujtohen fjalët e vëllait Nor si të m’i kishte thënë dje. «S’është e thënë të fillosh menjëherë,​—më tha.​—Mos u ngut, mëso nga vëllezërit me përvojë që janë atje. Pastaj, kur të ndihesh gati, duhet të fillosh të shërbesh si shërbëtor dege. . . . Ja ku është letra e emërimit tënd. Do të fillosh shtatë ditë pasi të kesh mbërritur.»

‘Vetëm shtatë ditë?​—mendova.​—Po këshilla «mos u ngut»?’ Dola i shtangur nga ajo intervistë.

Ditët më pas kaluan sa hap e mbyll sytë. Kaloi fare pak kohë dhe ja ku gjendesha në parmakët e një anijeje mallrash, që lundronte përgjatë lumit Ist pranë zyrave të Shoqatës në Bruklin, duke filluar një udhëtim 21-ditor në oqean për në Bregun e Artë.

Unë dhe Ajlini nuk i linim rehat shërbimet postare ndërkontinentale me letrat që shkruanim. U takuam përsëri në vitin 1958 dhe u martuam më 23 gusht të atij viti. Nuk pushoj kurrë së falënderuari Jehovain për një shoqe të tillë të mrekullueshme.

Për 19 vjet e çmova privilegjin për të shërbyer krah për krah misionarëve të tjerë dhe vëllezërve e motrave të mia afrikane në zyrën e degës së Shoqatës. Gjatë asaj periudhe, familja Bethel u rrit nga pak veta në 25 anëtarë. Për ne, ato ishin ditë plot sfida, ngjarje dhe rezultate të mira. Por duhet të jem i sinqertë. Për mua, klima e nxehtë dhe e lagësht ishte një sfidë e veçantë. Më dukej sikur isha gjithnjë i djersitur, me trupin gjithnjë të ftohtë e të lagësht dhe, disa herë, acarohesha shpejt. Megjithatë, ishte një gëzim i vërtetë të shërbeja, ndërsa numrat në Ganë rriteshin nga pak më shumë se 6.000 lajmëtarë të Mbretërisë në vitin 1956 në 21.000 në vitin 1975. Gjithashtu, është dyfish e kënaqshme kur shoh tani 60.000 Dëshmitarë aktivë në atë vend.

Një ‘e nesërme’ që nuk e pritnim

Rreth vitit 1970 fillova të kisha një problem shëndetësor që doli se ishte shumë i vështirë për t’u identifikuar. Bëra analiza të plota mjekësore, vetëm për të më thënë se isha «mirë me shëndet». Atëherë, përse ndihesha gjithnjë kaq i sëmurë, kaq i rraskapitur dhe nuk gjeja rehat? Dy gjëra më bënë të kuptoja përgjigjen dhe më tronditën shumë. Në fakt, siç shkroi Jakovi: «Nuk e dini se ç’do të bëhet nesër me jetën tuaj.»​—Jakovit 4:14.

E para ishte përvoja me të riun, të cilit i dëshmova ndërsa po e shoqëroja me makinë për në qytet. Nuk e kuptova që po flisja pa pushim, duke folur gjithnjë e më shpejt e më me zjarr në çdo moment që kalonte. Kur mbërritëm në vendin ku do të zbriste i riu, u shtanga kur ai kërceu nga makina dhe u largua me vrap. Shumica e ganezëve nga natyra nuk e prishin terezinë, janë të qetë dhe nuk e japin veten kollaj. Reagimi i tij thjesht nuk përputhej me përshkrimin. Ndenja ulur aty duke u menduar. E kuptova se kisha një problem. Cili ishte, nuk e dija. Por me siguri kisha një problem.

Së dyti, pas një bisede veçanërisht zhbiruese, Ajlini sugjeroi: «Epo, nëse ky problem nuk është fizik, duhet të jetë mendor.» Kështu, shkrova me kujdes në një letër të gjitha simptomat që kisha dhe shkova te një psikiatër. Kur i lexova listën, ai u përgjigj: «Ky është një rast tipik. Ju vuani nga psikoza maniako-depresive.»

Mbeta i shtangur! Për disa vjet më pas, ndërsa përpiqesha të luftoja me këtë gjë, më dukej sikur gjendesha në një spirale që zbriste gjithnjë e më poshtë. Vazhdoja të kërkoja një zgjidhje. Por askush nuk dinte në të vërtetë çfarë të bënte. Sa luftë shkurajuese që ishte!

Gjithnjë kishim pasur si qëllim të qëndronim fort pas privilegjit të shërbimit të plotkohor si caktimin tonë në jetë dhe kishte vërtet shumë për të bërë. Ofrova shumë lutje të sinqerta e të zjarrta: «Jehova, nëse ti do, unë ‘do të jetoj e gjithashtu do të bëj këtë’.» (Jakovit 4:15) Por, s’ishte gjë që bëhej. Kështu, duke përballuar realitetin, në qershor të vitit 1975 morëm masa që të largoheshim nga Gana dhe nga miqtë tanë të shumtë të ngushtë e të ktheheshim në Kanada.

Jehovai jep ndihmë nëpërmjet popullit të tij

Shpejt mësova se nuk isha i domosdoshëm dhe as problemi im nuk ishte unik. Fjalët e 1 Pjetrit 5:9 morën domethënie për mua: «[Dijeni] se të njëjtat gjëra për sa u përket vuajtjeve po ndodhin në gjithë vëllazërinë tuaj nëpër botë.» Pasi kisha kuptuar këtë, fillova ta dalloja se si Jehovai në të vërtetë na mbështeti të dyve, pavarësisht nga ky ndryshim i papëlqyer. Sa mirë na erdhi në ndihmë ‘vëllazëria’ në një shumëllojshmëri mënyrash!

Ndonëse nuk kishim shumë nga ana materiale, Jehovai nuk na braktisi. Ai i nxiti miqtë tanë në Ganë që të na vinin në ndihmë materialisht, si edhe në mënyra të tjera. Me ndjenja të trazuara shumë, lamë pas ata që i kishim dashur kaq shumë dhe u përgatitëm të përballonim këtë ‘të nesërme’ që s’e kishim pritur.

Me dashamirësi, motra e Ajlinit, Lenora, dhe i shoqi, Alvin Frizen, na strehuan në shtëpinë e tyre, duke u kujdesur me bujari për nevojat tona gjatë disa muajve. Një psikiatër i shquar bëri parashikimin e sigurt: «Do të rikthehesh në gjendjen e mëparshme për gjashtë muaj.» Ndoshta e tha këtë për të më nxitur besimin, por parashikimi nuk u përmbush as pas gjashtë vjetësh. Edhe sot e kësaj dite përballoj atë që tani në mënyrë të mirësjellshme quhet çrregullim bipolar i humorit. Patjetër ky është një emër dashamirës, por, siç e dinë mirë ata që vuajnë prej saj, një emër dashamirës nuk i lehtëson në asnjë mënyrë simptomat dërrmuese të sëmundjes.

Në atë kohë, vëllai Nor tashmë po vuante nga një sëmundje që në fund çoi në vdekjen e tij në qershor të vitit 1977. Gjithsesi, e gjeti kohën dhe energjitë për të më shkruar letra të gjata inkurajuese me fjalë ngushëlluese e me këshilla. I ruaj ende me kujdes ato letra. Fjalët e tij bënë shumë për të qetësuar ndjenjat e paarsyeshme të dështimit që vazhdonin të nxirrnin krye.

Në fund të vitit 1975 na u desh të hiqnim dorë nga privilegjet e çmuara të shërbimit të plotkohor dhe të përqendroheshim për të stabilizuar shëndetin tim. Drita normale e ditës m’i vriste sytë. Tingujt e papritur të mprehtë më ushtonin si të shtëna arme. Lëvizja e zhurmshme e turmave më mbyste. Ishte një luftë e vërtetë edhe të ndiqja mbledhjet e krishtere. Megjithatë, isha plotësisht i bindur për vlerën e shoqërisë frymore. Për ta përballuar këtë, zakonisht hyja në Sallën e Mbretërisë pasi të pranishmit ishin ulur dhe dilja prej saj para se të fillonin të gjallëroheshin në fund të programit.

Pjesëmarrja në shërbimin publik paraqiste një sfidë tjetër të madhe. Disa herë, edhe pasi mbërrija te një shtëpi, nuk arrija dot të mblidhja veten për t’i rënë ziles. Megjithatë, nuk hiqja dorë, sepse e kuptoja që shërbimi ynë do të thotë shpëtim për ne dhe për ata që reagojnë në mënyrë të favorshme. (1 Timoteut 4:16) Pas pak minutash, arrija t’i sillja nën kontroll ndjenjat, kaloja në derën tjetër dhe përpiqesha prapë. Duke vazhduar të merrja pjesë në shërbim, mbajta një shëndet të arsyeshëm frymor, dhe kjo ma shtoi aftësinë për të përballuar situatën.

Për shkak të natyrës kronike të çrregullimit bipolar të humorit, kam arritur të kuptoj se kjo sëmundje ka shumë të ngjarë të jetë pjesë e jetës sime gjatë sistemit të tanishëm. Në vitin 1981, në revistën Zgjohuni! doli një seri e shkëlqyer artikujsh. * Me anë të tyre, fillova ta kuptoj më mirë natyrën e kësaj sëmundjeje dhe të mësoja metoda më të efektshme për ta përballuar atë.

Mësoj të përballoj situatën

E gjithë kjo nuk ka ardhur pa sakrifica dhe rregullime nga ana e sime shoqeje. Nëse jeni një person që kujdeseni për një të sëmurë në rrethana të ngjashme, ndoshta do t’i vlerësoni vërejtjet e saj:

«Një çrregullim i humorit duket se sjell një ndryshim të menjëhershëm në personalitet. Brenda pak orësh, i sëmuri mund të ndryshojë nga një individ i gjallë e inkurajues, me plane dhe ide të reja në një person të sfilitur, negativ, madje edhe të inatosur. Nëse nuk pranohet si një sëmundje, kjo mund të provokojë te të tjerët ndjenja acarimi dhe pështjellimi. Sigurisht, planet duhen ndryshuar me të shpejtë, dhe kështu fillon një luftë personale kundër ndjenjave të zhgënjimit ose të refuzimit.»

Sa për mua, kur ndihem tepër mirë filloj të frikësohem. Instinktivisht e di se ajo që ndjek një periudhë «euforie» është plandosja në një «rënie» të humorit. Në rastin tim, «rënia» është më e parapëlqyer se «euforia», pasi rënia zakonisht më bllokon për disa ditë dhe nuk kam mundësi të përfshihem në ndonjë gjë të paekuilibruar. Ajlini më ndihmon shumë duke më paralajmëruar kur jam tepër energjik dhe duke më ngushëlluar e duke më mbështetur kur më pushton një frymë trishtimi.

Kur sëmundja është në fazën më aktive, ekziston një rrezik shumë real i përqendrimit te vetja, duke lënë jashtë çdo gjë tjetër. Një person mund të izolohet plotësisht kur është në gjendje depresive ose mund të mos arrijë të kuptojë ndjenjat dhe reagimet e të tjerëve gjatë një faze hiperaktiviteti. Në të kaluarën, e kisha të vështirë t’i pranoja faktet që dëshmonin për problemin tim mendor dhe emocional. Më është dashur të luftoja me mendimet se diçka e jashtme, si një projekt i pasuksesshëm ose ndonjë person tjetër ishte problemi. Shpesh më është dashur t’i kujtoj vetes: ‘Nuk ka ndryshuar asgjë përreth meje. Problemi është i brendshëm, jo i jashtëm.’ Gradualisht, mënyra ime e të menduarit është ndrequr.

Gjatë viteve, që të dy kemi mësuar të jemi të sinqertë dhe të ndershëm me veten dhe me të tjerët, lidhur me gjendjen time. Përpiqemi të mbajmë një qëndrim optimist dhe të mos e lejojmë sëmundjen të na zotërojë jetën.

Një ‘e nesërme’ më e mirë

Nëpërmjet lutjeve të zjarrta dhe shumë përpjekjeve, kemi nxjerr dobi nga bekimi dhe mbështetja e Jehovait. Që të dy tani jemi të shkuar në moshë. Jam nën mbikëqyrje të rregullt mjekësore, me një sasi të përkorë, por të vazhdueshme ilaçesh dhe jam pak a shumë i qëndrueshëm në shëndet. Çmojmë çdo privilegj shërbimi që kemi. Unë vazhdoj të shërbej si plak kongregacioni. Përpiqemi t’i mbështetim gjithnjë të tjerët në besim.

Vërtet, siç thuhet te Jakovit 4:14: «Nuk e dini se ç’do të bëhet nesër me jetën tuaj.» Do të jetë kështu për sa kohë të vazhdojë të ekzistojë ky sistem. Megjithatë, edhe fjalët e Jakovit 1:12 janë të vërteta: «Lum njeriu që vazhdon të qëndrojë në sprovë, sepse kur të miratohet, do të marrë kurorën e jetës, të cilën Jehovai ua premtoi atyre që vazhdojnë ta duan!» Le të qëndrojmë që të gjithë të patundur sot dhe të kuptojmë bekimet që rezervon Jehovai për të nesërmen!

[Shënimi]

^ par. 35 Shih artikujt «Mund ta përballoni jetën», në revistën Zgjohuni!, 8 gusht 1981, anglisht; «Si mund ta luftoni depresionin?», në numrin e 8 shtatorit 1981, anglisht dhe «Të sulmojmë depresionin e rëndë» në numrin e 22 tetorit 1981, anglisht.

[Figura në faqen 26]

Në çaste vetmie, në studion time të artit

[Figura në faqen 26]

Me gruan, Ajlinin

[Figura në faqen 28]

Në Asamblenë «Lajmi i mirë i përhershëm» të mbajtur në Timë, Ganë, në vitin 1963