Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Këshilla të mençura të një nëne

Këshilla të mençura të një nëne

Këshilla të mençura të një nëne

«Dëgjo, o biri im, mësimet e atit tënd dhe mos i lër pas dore mësimet e nënës sate.»​—Proverbat 1:8.

PRINDËRIT tanë, babai dhe mamaja, mund të jenë një burim i vlefshëm inkurajimi, mbështetjeje dhe këshillash. Libri biblik i Proverbave (Fjalët e urta) flet për një mbret të ri në moshë, Lemuelin, të cilit e ëma i dha një ‘mesazh me peshë’ për ‘korrigjim’. Këto fjalë gjenden në kapitullin 31 të Proverbave dhe nga këshillat e mençura të kësaj nëne mund të nxjerrim dobi edhe ne.​—Proverbat 31:1, BR.

Këshilla të përshtatshme për një mbret

Mamaja e Lemuelit fillon me disa pyetje që na e shtojnë interesin: «Çfarë të të them, biri im? Çfarë të të them, biri i barkut tim? Çfarë të të them, biri i zotimeve të mia?» Kërkesa e saj e përsëritur tri herë tregon merakun e madh që ka ajo nëse djali do t’u kushtojë vëmendje fjalëve të saj. (Fjalët e urta 31:2) Meraku i saj për mirëqenien frymore të të birit lë një shembull të mirë për prindërit e krishterë sot.

Për sa i përket mirëqenies së të birit, çfarë mund ta shqetësojë më shumë një mama, sesa shthurjet dhe ahengjet e shfrenuara me verë, gra dhe këngë? Mamaja e Lemuelit hyn drejt e në temë: «Mos ua jep forcën tënde grave.» Ajo e cilëson këtë sjellje të shthurur si ‘ajo që shkatërron mbretërit’.​—Fjalët e urta 31:3.

Nuk duhet shpërfillur as pirja e tepruar. «Nuk u shkon mbretërve, o Lemuel, nuk u shkon mbretërve të pinë verë»,​—paralajmëron ajo. Si do të japë një mbret gjykime të shëndosha e me mendje të kthjellët dhe të ‘mos harrojë ligjin e të mos shtrembërojë të drejtën e të pikëlluarve’, kur është vazhdimisht i dehur?​—Fjalët e urta 31:4-7.

Përkundrazi, duke qëndruar larg këtyre veseve, mbreti do të jetë në gjendje të ‘gjykojë me drejtësi dhe të mbrojë çështjen e të mjerit dhe të nevojtarit’.​—Fjalët e urta 31:8, 9.

Edhe pse sot të rinjtë e krishterë mund të mos jenë «mbretër», këshillat e mençura të nënës së Lemuelit janë po kaq të përshtatshme, në mos më shumë. Abuzimi me alkoolin, përdorimi i duhanit dhe imoraliteti seksual janë mbizotërues midis të rinjve të sotëm dhe është jetësore që të rinjtë e krishterë të kushtojnë vëmendje kur prindërit u ofrojnë ‘mesazhe me peshë’.

Një grua e aftë

Nënat merakosen me të drejtë për bashkëshortet e mundshme të bijve të tyre, të cilët po i afrohen moshës së rritur. Prandaj, më tej mamaja e Lemuelit e kthen vëmendjen nga cilësitë që duhet të ketë një grua ideale. Pa dyshim, djemtë e rinj do të nxjerrin shumë dobi duke shqyrtuar pikëpamjen e një gruaje për këtë çështje të rëndësishme.

vargun 10, «një grua e aftë» krahasohet me koralet e rralla e me vlerë të madhe, që në kohët biblike i fitonin vetëm me përpjekje të mëdha. Në mënyrë të ngjashme, të gjesh një grua të aftë kërkon përpjekje. Në vend që të nxitohet nga ankthi për t’u martuar, një djalë i ri do të bëjë mirë të lërë mënjanë kohë të mjaftueshme për të zgjedhur. Atëherë, do të ketë më tepër të ngjarë ta vlerësojë shumë gjënë e çmuar që ka gjetur.

Lidhur me një grua të aftë, Lemuelit i thuhet: «Zemra e burrit të saj ka besim tek ajo.» (Vargu 11) Me fjalë të tjera, ai nuk duhet të ngulë këmbë që gruaja të kërkojë miratimin e tij për çdo gjë. Sigurisht, bashkëshortët duhet të konsultohen me njëri-tjetrin para se të marrin vendime të mëdha, si ato që kanë të bëjnë me blerje gjërash të kushtueshme ose me rritjen e fëmijëve. Komunikimi në këto fusha i kontribuon një lidhjeje të ngushtë ndërmjet tyre.

Patjetër që një grua e aftë ka shumë gjëra për të bërë. Nga vargu 13 deri në vargun 27 renditen këshilla dhe parime, të cilat gra të çdo moshe mund t’i përdorin për dobinë e familjeve të tyre. Për shembull, me rritjen e kostos së veshjeve e të orendive, një grua e aftë do të mësojë të jetë praktike dhe kursimtare, kështu që familja e saj të jetë e veshur siç duhet dhe hijshëm. (Vargjet 13, 19, 21, 22) Për të zvogëluar shpenzimet që familja bën për ushqime, ajo kultivon çfarë të mundë dhe e bën pazarin me kujdes.​—Vargjet 14, 16.

Qartë, kjo grua nuk ha «bukën e përtacisë». Ajo punon shumë dhe i rregullon në mënyrë të efektshme punët e saj të shtëpisë. (Vargu 27) Ajo i ngjesh «me forcë ijet», gjë që do të thotë se përgatitet për t’ju futur punëve të lodhshme fizikisht. (Vargu 17) Ajo ngrihet para se të lindë dielli, për të filluar ditën e punës dhe punon pa u lodhur deri natën. Është sikur llamba që ndriçon punën e saj të mos fiket kurrë.​—Vargjet 15, 18.

Mbi të gjitha, gruaja e aftë është një person frymor. Ajo i druhet Perëndisë dhe e adhuron atë me respekt të thellë e me frikë përnderuese. (Vargu 30) Në mënyrë të ngjashme, ajo e ndihmon të shoqin për të stërvitur fëmijët që edhe ata të bëjnë të njëjtën gjë. Te vargu 26 thuhet: «Me dituri» i mëson fëmijët e saj dhe «mbi gjuhën e saj është ligji i mirësisë».

Një burrë i aftë

Për të bërë për vete një grua të aftë, Lemuelit do t’i duhej të përmbushte përgjegjësitë e një burri të aftë. Nëna i kujton Lemuelit disa prej këtyre përgjegjësive.

Një burrë i aftë do të ketë reputacion të mirë nga «pleqtë e vendit». (Fjalët e urta 31:23) Kjo do të thotë se ai do të jetë një person që është i aftë, i ndershëm, i denjë për besim dhe që i druhet Perëndisë. (Eksodi [Dalja] 18:21; Ligji i përtërirë 16:18-20) Si i tillë, ai do të jetë «i njohur te portat» ku mblidhen njerëzit e shquar për të drejtuar çështjet e qytetit. Për t’u «njohur» si njeri që i druhet Perëndisë, ai duhet të jetë i arsyeshëm e të punojë në harmoni me pleqtë e «vendit», që ndoshta ka kuptimin krahinë ose rajon.

Sigurisht duke folur nga përvoja e vet, mamaja e Lemuelit i kujton birit të saj se sa e rëndësishme është të tregojë çmueshmëri për gruan e tij të ardhshme. Asnjë person tjetër në tokë nuk do të jetë më i afërt për të. Prandaj, imagjino emocionet e thella që ndihen në zërin e tij, kur të pranojë para të gjithëve: «Shumë bija kanë bërë gjëra të mëdha, por ti i kalon të gjitha ato.»​—Fjalët e urta 31:29.

Është e qartë se Lemueli i çmoi këshillat e mençura të nënës së tij. Për shembull, vërejmë se në vargun 1, ai u referohet fjalëve të nënës së tij sikur të ishin të tijat. Prandaj, ai e mori për zemër «korrigjimin» e saj dhe nxori dobi nga këshillat që i dha ajo. Le të nxjerrim edhe ne dobi nga ky «mesazh me peshë», duke i zbatuar parimet e tij në jetën tonë!

[Figurat në faqen 31]

Një grua e aftë nuk ha «bukën e përtacisë»