Një njeri i arsimuar
Një njeri i arsimuar
«SHIKONI thirrjen tuaj, vëllezër, nuk u thirrën shumë të mençur sipas mishit, jo shumë të fuqishëm, jo shumë fisnikë të lindur.» (1. Korintasve 1:26, NW) Ashtu siç tregojnë këto fjalë, është i rrezikshëm animi nga dituria e botës apo nga ndonjë pozitë e lartë shoqërore. Këto gjëra mund të jenë një pengesë në pranimin e lajmit të mirë.—Proverbat 16:5; Marku 10:25.
Megjithatë, në ditët e Pavlit disa që ishin të mençur nga pikëpamja e njerëzve e pranuan të vërtetën dhe njëri prej tyre qe vetë Pavli. I arsimuar dhe me sa duket nga një familje e njohur, Pavli qe një ungjilltar i zellshëm. Ai kështu tregoi se edhe pjesëtarët e privilegjuar të kësaj bote nëse kanë një zemër të drejtë mund t’i shërbejnë Jehovait. Bile mund t’i vënë aftësitë e tyre në shërbim të Jehovait.—Luka 16:9.
Lindur në Tarsë
Pavli lindi në Tarsë, «një qytet jo i panjohur», siç e përcaktoi në vazhdim. (Veprat 21:39, NW) Sigurisht që atje ai fitoi njohuri mbi gjuhët, në veçanti greqishten, gjë që e ndihmoi mjaft në veprën misionare. Duke jetuar në Tarsë, Pavli duhet të njihte jo vetëm zakonet hebreje por edhe kulturën johebreje, një eksperiencë e tillë i qe e dobishme në vitet e mëtejshme kur shërbeu si apostull i kombeve. Dinte si ta shprehte të vërtetën në mënyrë që të gjithë mund ta kuptonin. (1. Korintasve 9:21) Konsideroni për shembull, fjalimin e tij drejtuar athinasve të shkruar në Veprat kreu 17. Në të paraqiti të vërtetën duke përdorur me mjeshtëri disa referime mbi fenë athinase gjithashtu edhe një citim të njërit prej poetëve të tyre.
Nënshtetas romak
Pavli nga pikëpamja e botës kishte edhe një favor tjetër. Ishte qytetar romak dhe këtë e shfrytëzoi për t’i dhënë shtysë lajmit të mirë. Në Filipi atë dhe shokët e tij i rrahën dhe i burgosën pa gjyq. Ishte e paligjshme të trajtohej kështu një qytetar romak dhe kur Pavli e paraqiti këtë fakt përpara autoriteteve, ata e lejuan të qëndronte për t’i shërbyer kongregacionit para se të nisej për në destinacionin tjetër.—Veprat 16:37-40.
Në vazhdim, kur ndodhej përpara guvernatorit Festo, Pavli e përdori nënshtetësinë romake për t’i bërë thirrje Çesarit. Kështu mundi të mbrojë lajmin e mirë përpara autoritetit më të lartë të perandorisë romake.—Veprat 25:11, 12; Filipianëve 1:7.
Pavli mori një stërvitje praktike që më vonë iu bë e dobishme. E kishin mësuar të bënte tenda, ka mundësi i ati. Falë kësaj mundi të qëndronte në shërbim kur rezervat ekonomike ishin të dobta. (Veprat 18:1-3) Mori edhe një arsim të gjërë fetar. U rrit si «farise, bir i farisejve». (Veprat 23:6) Në fakt studioi si mëkëmbës i Gamalielit, një nga mësuesit më të famshëm hebrenj. (Veprat 23:3) Një arsim i tillë, ndoshta i barabartë me arsimin e sotëm universitar, tregon se i përkiste një familjeje të njohur.
Një pikëpamje e përshtatshme
Për ambientin nga i cili vinte dhe për formimin kulturor të tij, Pavli kishte perspektiva të shkëlqyera për të bërë karrierë në Judaizëm. Kishte mundësi të ecte shumë përpara. Megjithatë, pasi e pranoi Jezuin si Mesia, pikësynimet e Pavlit ndryshuan. Duke u shkruar filipianëve, përmendi disa favore që kishte pasur në botë e u tha: «Të gjitha gjërat që për mua ishin fitime, i kam konsideruar si humbje për hir të Krishtit. Bile, nëse është për këtë, në të vërtetë i konsideroj të gjitha gjërat një humbje për hir të vlerës së shkëlqyer të njohurisë të Jezu Krishtit Zotërisë tim.»—Filipianëve 3:7, 8, NW.
Ky njeri i arsimuar nuk hidhërohej për gjërat që kishte lënë prapa, për gjërat që mund të bënte me arsimimin e tij të botës; as nuk e përdori «diturinë e tij të madhe» për t’u dukur para të tjerëve. (Veprat 26:24; 1. Korintasve 2:1-4) Në të kundërtën, duke pasur besim të plotë në Perëndinë Jehova, iu referua perspektivave të tij të një kohe duke thënë: «Duke harruar gjërat që janë pas dhe duke synuar drejt atyre që janë përpara, vazhdoj drejt synimit për çmimin e thirrjes qiellore të Perëndisë nëpërmjet Krishtit Jezu.» (Filipianëve 3:13, 14, NW) Pavli u jepte vlerë gjërave frymore.
Megjithatë Pavli e shfrytëzoi formimin e tij të mëparshëm për t’i shërbyer Jehovait. Kur tha në lidhje me judejasit: «U dëshmoj atyre se kanë zell ndaj Perëndisë», po fliste mbi eksperiencën personale. (Romakëve 10:2, NW) Si farise aktiv, sigurisht kishte pasur zell ndaj Perëndisë dhe Shkrimeve. Pasi u bë i krishterë, zelli i tij qe i drejtpeshuar në njohurinë e saktë, dhe Pavli mundi ta shfrytëzojë për një qëllim të drejtë arsimimin që kishte marrë më parë. Për shembull, në librin e Hebrenjve, për të treguar superioritetin e sistemit të krishterë ai përdori njohurinë e tij të thellë të historisë izraelite dhe të adhurimit të përdorur në tempull.
Edhe sot mes atyre që pranojnë lajmin e mirë ka disa që janë të mençur nga pikëpamja njerëzore. Persona të çdo niveli arsimimi, profesioni dhe zanati kanë pranuar të vërtetën dhe kanë shfrytëzuar formimin e tyre të mëparshëm për t’i shërbyer Jehovait. Pra cilado qoftë shkalla e tyre e arsimimit, të krishterët nuk harrojnë kurrë që kualifikimet që vlejnë më shumë janë ato frymore. Ato janë «gjërat më të rëndësishme», sepse na drejtojnë në jetën e përhershme.—Filipianëve 1:10.