Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Shpirti bujar do të majmet»

«Shpirti bujar do të majmet»

FLIJIMET kanë qenë prej kohësh pjesë e rëndësishme e adhurimit të vërtetë. Izraelitët ofronin flijime në kafshë, dhe të krishterët kanë qenë gjithmonë të njohur për ‘flijimin e tyre të lëvdimit’. Mirëpo, ka edhe flijime të tjera me të cilat Perëndia kënaqet. (Hebr. 13:15, 16) Këto flijime janë burim gëzimi e bekimesh, siç e tregojnë edhe shembujt vijues.

Hanës, një shërbëtoreje besnike të lashtësisë, i digjej shpirti për një djalë, por nuk lindte dot fëmijë. Në lutje ajo u zotua para Jehovait se po të lindte një djalë, ‘do t’ia jepte Jehovait, derisa të kishte jetë’. (1 Sam. 1:10, 11) Më vonë, Hana mbeti shtatzënë dhe lindi një djalë që ia vuri emrin Samuel. Kur ia hoqi gjirin, Hana e çoi Samuelin në tabernakull, tamam siç ishte zotuar. Jehovai e bekoi Hanën për frymën e saj vetëmohuese. Ajo pati privilegjin të kishte edhe pesë fëmijë të tjerë, dhe Samueli u bë profet e një nga shkrimtarët e Biblës.​—1 Sam. 2:21.

Ashtu si Hana e Samueli, shërbëtorët e Perëndisë sot kanë privilegjin ta përdorin jetën për t’i shërbyer me përkushtim Krijuesit të tyre. Jezui premtoi se për çdo sakrificë që bëjmë për të adhuruar Jehovain, do të korrim shpërblim të madh.​—Mar. 10:28-30.

Në shekullin e parë, një e krishterë që quhej Dorka njihej për ‘veprat e mira dhe lëmoshën’ që jepte​—flijime ose sakrifica që bënte për të ndihmuar të tjerët. Mirëpo mjerisht «u sëmur dhe vdiq». Kjo i pikëlloi të gjithë në kongregacion. Kur dishepujt dëgjuan që Pjetri ishte në atë zonë, iu përgjëruan të vinte menjëherë. Imagjinoni sa u gëzuan kur Pjetri erdhi dhe e solli sërish në jetë Dorkën​—ringjallja e parë nga një apostull që është dokumentuar në Bibël! (Vep. 9:36-41) Perëndia nuk i kishte harruar flijimet e Dorkës. (Hebr. 6:10) Bujaria e saj është dokumentuar dhe ruajtur në Fjalën e Perëndisë si një shembull i shkëlqyer që ta imitojmë.

Edhe apostulli Pavël la një shembull të jashtëzakonshëm të një njeriu që dha me bujari kohën dhe vëmendjen e tij. Kur u shkroi vëllezërve në Korint, Pavli tha: «Unë do të shpenzoj me gëzim të madh dhe do të shpenzohem deri në fund për shpirtrat tuaj.» (2 Kor. 12:15) Pavli e mësoi nga përvoja e vet se kur bëjmë sakrifica për të tjerët, kjo na sjell jo vetëm kënaqësi por, ç’është më e rëndësishmja, edhe bekimin e miratimin e Jehovait.​—Vep. 20:24, 35.

Është e qartë se Jehovai kënaqet kur i përdorim kohën dhe energjitë për të çuar para veprën e Mbretërisë dhe për të ndihmuar bashkëbesimtarët. Por, a ka edhe mënyra të tjera si të mbështetim veprën e predikimit për Mbretërinë? Po! Përveç veprave tona të dashurisë, mund ta nderojmë Perëndinë me anë të kontributeve vullnetare. Ato përdoren për të çuar para veprën mbarëbotërore të predikimit, që përfshin mbështetjen për misionarët dhe për ata që shërbejnë në një formë speciale të shërbimit të plotkohor. Gjithashtu, përgatitja dhe përkthimi i botimeve të shtypura dhe videove, ndihma që jepet në raste katastrofash dhe ndërtimi i Sallave të reja të Mbretërisë arrihen të gjitha falë kontributeve vullnetare. Mund të jemi të sigurt se «shpirti bujar do të majmet». Për më tepër, kur i japim Jehovait gjërat tona me vlerë, e nderojmë.​—Prov. 3:9; 11:25.