Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 PORTRETE NGA E KALUARA

Uilliam Uistoni

Uilliam Uistoni

Uilliam Uistoni ishte shkencëtar, matematikan, klerik, shkrimtar frytdhënës dhe koleg i fizikanit dhe matematikanit anglez sër Isak Njuton. Në vitin 1702, Uistoni pasoi Njutonin si profesor i katedrës lukasiane të matematikës pranë universitetit të Kembrixhit në Angli. Në këtë pozicion kishin qenë disa mendje të mëdha të shkencës dhe të teknologjisë.

UISTONI njihet, sidomos nga studentët e Biblës, edhe për përkthimin në anglisht të shkrimeve të historianit jude të shekullit të parë Jozef Flavit. Libri Veprat e Jozefit hodhi dritë të qartë mbi historinë judaike dhe botën e të krishterëve të hershëm.

ÇFARË BESONTE UISTONI?

Uistoni ishte shumë i mprehtë dhe studioi shumë fusha, sidomos shkencën dhe fenë. Ai besonte se tregimi biblik i krijimit është i saktë dhe projektimi, eleganca e rregulli që duken qartë në natyrë, dëshmojnë se ka një Arkitekt hyjnor.

Përveç kësaj, besonte se kishat e krishterimit ishin segmentuar në shumë grupe fetare sepse kleri kishte devijuar nga mësimet e Biblës, duke preferuar mësimet e traditat jobiblike të nxjerra nga këshillat e kishës dhe nga të ashtuquajturit etër të kishës.

Ngaqë Uistoni e konsideronte Biblën një libër që zbulon të vërtetën për Perëndinë, ai hodhi poshtë idenë e mundimit të përjetshëm në ferr. E shihte doktrinën e ferrit si absurde e mizore, si edhe fyerje për Perëndinë. Por ajo që e futi më tepër në konflikt me autoritetet e kishës, ishte mohimi që ai i bëri Trinitetit, doktrinë që e përkufizon Perëndinë si tre persona njësoj të barabartë dhe të përjetshëm—Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë. Por ende sot, kjo doktrinë thotë se nuk ka tre perëndi, por vetëm një.

 «NGA AKADEMIK I SHQUAR U BË NJË I DËBUAR»

Pas studimeve të kujdesshme, Uistoni arriti në përfundimin se Triniteti nuk doli si mësim nga të krishterët e hershëm, por doli më vonë kur filozofitë pagane depërtuan në krishterim. * Miqtë e paralajmëruan se çfarë rrezikonte po të botonte zbulimet e tij, por ai nuk mund ta shpërfillte atë që kishte kuptuar se ishte një keqinterpretim i natyrës së vërtetë të Jezuit si Biri i Perëndisë dhe qenie e krijuar.

Universiteti i Kembrixhit shkarkonte nga detyra çdokënd që nxirrte ide që binin në kundërshtim me doktrinat anglikane, dhe kjo nënkuptonte që Uistoni mund të humbiste vendin e punës. Megjithatë, nuk heshti, ndryshe nga Njutoni që po ashtu e konsideronte Trinitetin një mësim të rremë, por që nuk i shprehu hapur pikëpamjet e tij. Uistoni shkroi: «Nuk ka asnjë arsye në botë . . . që të më bëjë të hesht.»

Ngaqë nuk pranoi të hiqte dorë nga bindjet e tij, Uistoni «nga akademik i shquar u bë një i dëbuar»

Në vitin 1710, ai u dëbua nga Kembrixhi. Ngaqë nuk pranoi të hiqte dorë nga bindjet e tij, «nga akademik i shquar u bë një i dëbuar». Prapëseprapë, ai nuk u spraps. Në fakt, ndërsa e akuzonin për herezi, shkroi serinë e eseve me titull Rigjallërimi i krishterimit primitiv—«primitiv» në kuptimin e krishterimit fillestar që praktikohej nga dishepujt e hershëm të Jezuit. Më vonë, themeloi Shoqërinë për Nxitjen e Krishterimit Primitiv, që mblidhej në shtëpinë e tij në Londër.

Megjithëse humbi punën si profesor dhe vuajti financiarisht për ca kohë, ai vazhdoi të shkruante dhe të jepte leksione nëpër kafene në Londër. Më 1737, për të dhënë kontributin e tij për kuptueshmërinë e kontekstit historik të krishterimit të hershëm, përktheu dhe botoi shkrimet e Jozefit. Ato botohen edhe sot e kësaj dite.

Për shkak të qëndrimit të tij të guximshëm, por që nuk u prit mirë, Uistoni konsiderohet nga shumë njerëz sot si «një figurë e çuditshme», siç e cilësoi edhe autori Xhejms E. Fors. Por të tjerë e admirojnë si studiues biblik, si kërkues i sinqertë i së vërtetës fetare dhe si njeri i vendosur për të jetuar sipas asaj që besonte.

^ par. 10 Bibla e shpjegon qartë natyrën e Perëndisë. Për më shumë informacion, vizito jw.org/sq. Shih te MËSIME BIBLIKE > PËRGJIGJE PËR PYETJE BIBLIKE.