Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ja ç’thonë prindërit

Ja ç’thonë prindërit

Ja ç’thonë prindërit

Ndërsa fëmijët rriten, si mund t’i ndihmosh të mësojnë vlerën e bindjes? Si mund t’u mësosh të bëjnë punë të ndryshme? Vër re çfarë kanë thënë disa prindër nga e gjithë bota.

MARRËDHËNIET SHOQËRORE DHE PUNËT E SHTËPISË

«Kur hamë së bashku dhe flasim për ditën që kemi kaluar, secili prej fëmijëve mëson të dëgjojë. Kur shohin mamin dhe babin që dëgjojnë me durim, nxiten të kenë respekt për njëri-tjetrin dhe për veten.»​—Riçardi, Britani.

«Të bëhet zemra mal kur i sheh fëmijët që e trajtojnë njëri-tjetrin me respekt dhe i zgjidhin mosmarrëveshjet pa ndërhyrjen tonë. Madje, flasin lirshëm edhe me të rriturit.»​—Xhoni, Afrika e Jugut.

«Nuk jam e përsosur dhe ndonjëherë pa dashje i lëndoj fëmijët. Kur ndodh, për mua është mjaft e rëndësishme t’u kërkoj falje për gabimin.»​—Xhanela, Australi.

«I mësojmë fëmijët të bëjnë punë shtëpie. Kur i mëson të punojnë në dobi të të tjerëve, gjërat në familje ecin mirë, në paqe dhe fëmijët provojnë ndjesinë që kanë arritur diçka.»​—Klajvi, Australi.

«Nuk është e lehtë, por është e rëndësishme t’u mësojmë si ta kuptojnë, respektojnë dhe falin njëri-tjetrin.»—Juko, Japoni.

HIGJIENA DHE SHËNDETI

«Kur fëmijët ishin të vegjël, i mësuam të laheshin vetë dhe ua bënim këto momente të këndshme duke përdorur sapunë në formë njeriu, shampo me personazhin e ndonjë filmi vizatimor dhe sfungjerë në forma kafshësh të vogla.»​—Edgari, Meksikë.

«Kur jetonim në shtëpi ku nuk kishte ujë të rrjedhshëm, sigurohesha gjithmonë që të gjenin sapun dhe një enë me ujë në një vend të përshtatshëm që të lanim duart para se të hynim në shtëpi.»​—Endjuranca, Nigeri.

«U japim fëmijëve çdo ditë ushqim të shëndetshëm dhe u shpjegojmë pse është thelbësore të kesh një dietë të ekuilibruar. Fëmijët janë kureshtarë për përbërësit e ndryshëm që përdorim në gjellë, kështu që u them të më ndihmojnë në gatim. Kjo kohë që kalojmë bashkë na jep mundësi edhe të flasim me njëri-tjetrin.»​—Sandra, Britani.

«Fizkultura është e rëndësishme dhe si prindër përpiqemi të lëmë një shembull të mirë. Fëmijëve u pëlqen shumë kur vrapojmë, notojmë, luajmë tenis a basketboll ose kur dalim me biçikleta të gjithë si familje. Kështu mësojnë që fizkultura është jo vetëm e rëndësishme, por edhe argëtuese.»​—Kerëni, Australi.

«Ajo që kanë më shumë nevojë fëmijët, është të kalojnë kohë me prindërit. Asgjë tjetër nuk mund ta zëvendësojë këtë, as paratë, as dhuratat e as udhëtimet. Unë punoj vetëm paradite kur fëmijët janë në shkollë. Kështu që pasditen mund t’ua kushtoj atyre.»​—Romina, Itali.

DISIPLINA

«Kemi parë që nuk ka vetëm një metodë disiplinimi që mund të jetë më e mira; varet nga rrethanat. Ndonjëherë mund të na duhet të bisedojmë hapur me ta dhe herë të tjera mund t’u ndalojmë disa gjëra që i kanë qejf.»​—Ogbiti, Nigeri.

«U themi fëmijëve ta përsëritin atë që u kemi thënë për t’u siguruar që e kuptojnë. Pastaj veprojmë sipas asaj që kemi thënë. Nëse duam që fëmijët të bëhen dëgjues të përgjegjshëm, duhet të bëjmë pjesën tonë që të shohin se cilat janë pasojat e mosbindjes.»​—Klajvi, Australi.

«Më duket e efektshme të përkulem kur i korrigjoj fëmijët që të jem në nivelin e syve të tyre. Kjo ndihmon që të kem vëmendjen e tyre të plotë dhe të përqendrohen te shprehjet e mia të fytyrës, që flasin po aq sa edhe fjalët e mia.»​—Xheniferi, Australi.

«Përpiqemi që të mos u themi fëmijëve «ju nuk dëgjoni kurrë», edhe kur duket se e meritojnë t’ua thuash. Gjithashtu, nuk i kritikojmë në sy të njëri-tjetrit. Ose u pëshpëritim në vesh, ose i marrim mënjanë që t’u flasim vetëm për vetëm.»​—Rudi, Mozambik.

«Fëmijët ndikohen lehtë dhe u pëlqen të imitojnë të tjerët. Për këtë arsye, përpiqemi të ndreqim ndikimin korruptues të shokëve të shkollës, medias dhe të ambientit shoqëror dhe i ndihmojmë të fitojnë cilësi të mira të bazuara në parime të shëndosha. Një themel i mirë moral i ndihmon t’i thonë jo çdo gjëje të dëmshme.»​—Greguari, Republika Demokratike e Kongos.

«Disiplina duhet të jepet me vendosmëri, me drejtësi dhe me koherencë. Fëmijët duhet të kuptojnë pasojat kur bëjnë gabime dhe ta dinë se e ke me gjithë mend atë që thua.»​—Oueni, Angli.

[Diçitura në faqen 14]

«Mos i pezmatoni fëmijët tuaj, që të mos i lëshojë zemra.»​—Kolosianëve 3:21

[Kutia dhe figura në faqen 15]

PËRVOJË NGA JETA FAMILJARE

Si t’ia dalësh mbanë si një prind i vetëm?

Intervistë me Lusinda Forsterin

Cila është gjëja më e vështirë për ty si prind i vetëm?

Të jesh prind është tepër e vështirë, por si prind i vetëm e kam edhe më të vështirë të organizoj kohën dhe energjitë e mia. Duhet kohë për t’u ngulitur parime e vlera dhe njëkohësisht duhet të gjesh kohë edhe për t’u çlodhur e për të qeshur së bashku. Shpesh më duhet të sakrifikoj kohën time të çlodhjes për të bërë punët e shtëpisë.

Si arrin të mbash komunikim të mirë me vajzat?

Pas një divorci, fëmijët mund të ndihen të pasigurt dhe të zemëruar. Kam parë se kur lindin probleme, është themelore t’i shohësh në sy dhe të flasësh me një ton të qetë. Pres derisa qetësohemi dhe pastaj përpiqem të shpreh shqetësimin tim pa e bërë shumë të madhe. Kërkoj mendimet e tyre, i dëgjoj me shumë vëmendje dhe u tregoj se i vlerësoj vërtet mendimet e tyre. Interesohem si po kalojnë në shkollë dhe i lavdëroj për atë që bëjnë. Hamë gjithnjë bashkë në tavolinë në një atmosferë të qetë dhe çlodhëse. Gjithashtu u them vazhdimisht se sa shumë i dua.

Si ia bën me disiplinimin?

Fëmijët kanë nevojë për kufij të përcaktuar mirë dhe rregullat duhet të jenë njëlloj. Përpiqem të tregohem mirëdashëse, por e vendosur. Më duhet të arsyetoj me to dhe t’u shpjegoj pse është e gabuar një sjellje e caktuar. Gjithashtu përpiqem t’u nxjerr motivet e vërteta para se t’i disiplinoj, për të kuptuar pse u sollën ashtu. Nëse e kam unë gabim, për shembull nëse i kam keqkuptuar, atëherë u kërkoj të falur.

Si i mëson fëmijët t’i respektojnë të tjerët?

U kujtoj atë që na mësoi Jezui: t’i trajtosh të tjerët ashtu si do të doje të të trajtonin. (Luka 6:31) I nxit vajzat t’i zgjidhin problemet që kanë me njëra-tjetrën sa më mirë të jetë e mundur dhe u mësoj vlerën e përgjigjes me butësi dhe dashamirësi kur janë të mërzitura.

Çfarë bëni për t’u çlodhur?

Jo gjithmonë na e mban xhepi të shkojmë me pushime, kështu që shikojmë në gazeta për aktivitete jo të shtrenjta. Shkojmë për piknik ose bëjmë shëtitje për të parë bimët që rriten në serra. Mbjellim erëza në kopshtin tonë dhe kënaqemi kur zgjedhim nga erëzat tona për të gatuar. Të zbavitesh është e rëndësishme, sikur edhe në një park aty afër.

Na trego pak për gëzimet dhe bekimet që keni pasur.

Jeta në një familje me një prind nuk ka qenë e lehtë për ne, por jemi lidhur më tepër me njëra-tjetrën dhe kemi mësuar t’i vlerësojmë bekimet tona. Më pëlqen shumë kur shoh se si po formohet personaliteti i secilës prej vajzave. Në këtë moshë kanë qejf të rrinë me mua, por edhe mua më pëlqen të rri me to. E kuptojnë kur jam e lumtur ose e mërzitur dhe ndonjëherë më përqafojnë thjesht për të më dhënë zemër. Kur më shprehin dashurinë, bëhem me krahë. Ç’është më e rëndësishmja, kemi ndier dashurinë e një Krijuesi të dashur, i cili na ka ndihmuar të kapërcejmë situata mjaft të vështira. Bibla më ka dhënë forcën që të vazhdoj të përpiqem të jem një prind i mirë.—Isaia 41:13.

[Figura]

Lusinda ma vajzat, Brija dhe Sheija