Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bëni hapa për të përmirësuar shëndetin

Bëni hapa për të përmirësuar shëndetin

A JU kujtohet Rami, i përmendur në artikullin e parë të kësaj serie? Si shumë të tjerë përreth botës, ai s’e kishte idenë se sa ndikojnë te shëndeti ushqimi i duhur dhe zakone të tjera të përditshme. Rami tregon: «Artikulli i Zgjohuni! (maj 2002) ‘Ushqimet me vlera janë brenda mundësive tuaja’ më ndihmoi të kuptoja pse duhet të tregojmë kujdes për ushqimin.»

Pastaj shpjegon: «Si familje, u përpoqëm ta zbatonim atë që mësuam nga artikulli. Pas njëfarë kohe, ndiem se imuniteti na ishte forcuar. Para se t’i kushtonim vëmendje ushqimit, na zinte shumë shpesh gripi, kurse tani na ndodh rrallë e tek. Gjithashtu, mësuam disa mënyra jo të kushtueshme e të kollajshme si të sigurojmë ujë të pijshëm, falë artikullit të Zgjohuni! (22 shtator 2003) ‘Gjashtë mënyra për të mbrojtur shëndetin’.

Edhe një tjetër artikull i Zgjohuni! na ndihmoi të përmirësonim shëndetin si familje. Titullohej “Sapuni​—‘Një vaksinë që mund ta bësh vetë’”, nga numri i 22 nëntorit 2003. Fill pasi e lexuam, u munduam t’i zbatonim sugjerimet. Tani nuk vuajmë më si dikur nga infeksionet në sy.

Në zonën tonë, njerëzit nuk e vrasin mendjen për morinë e mizave dhe mushkonjave që sillen përqark. Mirëpo, si familje, mësuam nga DVD-ja Bibla: Fuqia e saj në jetën tuaj * se duhet t’i mbajmë larg këto insekte. Edhe ky informacion na ndihmon të ruajmë shëndetin.»

Mos u dorëzoni! Çfarëdo ndryshimesh t’ju duhet të bëni, mund t’ju vejë më mbarë po të filloni dalëngadalë dhe të mos i vini vetes synime të paarritshme. Për shembull, mos i hiqni krejtësisht ushqimet jo dhe aq të shëndetshme, por përpiquni t’i hani më pak. Mundohuni të bini për të fjetur pak më herët dhe të bëni pak më shumë fizkulturë. Është më mirë të bëni diçka sesa të mos bëni asgjë. Normalisht duhet kohë​—javë a muaj të tërë—​para se një zakon i mirë të bëhet natyrë e dytë. Ndërkaq, nëse nuk vëreni dobi të menjëhershme nga përpjekjet që bëni, mos u mërzitni. Edhe nëse ndonjëherë ju shkon mundi kot, po të këmbëngulni, ka shumë mundësi që shëndeti t’ju marrë për mirë.

Në këtë botë të papërsosur, askush s’mund të ketë shëndet të përsosur. Sëmundjet mund të mos vijnë nga ndonjë pakujdesi juaja, por nga brishtësia e trashëguar njerëzore. Prandaj, mos lejoni që meraku për shëndetin a për çdo gjë tjetër, t’ju futë stres dhe ankth të tepërt. Jezui pyeti: «Kush nga ju, duke qenë në ankth, mund ta zgjatë sadopak jetën e vet?» (Luka 12:25) Thjesht përpiquni të shmangni gjërat që jua shkurtojnë më kot jetën dhe nuk ju lënë ta shijoni tamam. Kështu mund të gëzoni shëndetin më të mirë të mundshëm deri atë ditë në botën e re të Perëndisë kur «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’»​—Isaia 33:24.

^ par. 5 Prodhuar nga Dëshmitarët e Jehovait.