Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Predikojmë lajmin e mirë në vende të largëta

Predikojmë lajmin e mirë në vende të largëta

Predikojmë lajmin e mirë në vende të largëta

Treguar nga Helena Xhons

Në fillim të viteve 70, po ecja nëpër një pazar plot njerëz në Bangalur të Indisë. Befas, një buall Indie më goditi me brirë dhe më përplasi përtokë. Për pak do të më shkelte, por një grua indiane më shpëtoi. Por, ç’bëja unë në Indi?

LINDA në Kanada, në vitin 1931 dhe u rrita në qytetin e bukur të Vankuverit. Prindërit e mi ishin njerëz të ndershëm, por nuk shkonin në kishë. Megjithatë, unë kisha dëshirë të zjarrtë të njihja Perëndinë, prandaj, kur isha e vogël, ndiqja shkollën e së dielës dhe klasat biblike verore të Kishës Presbiteriane.

Në vitin 1950, kur isha 19 vjeçe, u martova me Frenk Shilerin, i cili kishte katër fëmijë nga një martesë e mëparshme. Dy vjet më vonë na lindi një djalë. Donim që të bënim pjesë në ndonjë fe, mirëpo, ngaqë Frenku ishte i divorcuar, asnjë kishë ku shkuam nuk na pranoi. Frenku u ndie shumë i fyer, prandaj nuk donte ta zinte më në gojë fenë.

Mësojmë të vërtetën

Më 1954 im vëlla më tha plot entuziazëm se çfarë i kishte treguar nga Bibla një shok i punës, i cili ishte një Dëshmitar i Jehovait. Edhe pse kisha një mal me pyetje dhe e dija se ku i mbanin mbledhjet Dëshmitarët, nuk shkova ngaqë e kisha të qartë ç’mendonte Frenku për fenë. Pas ca kohësh, në derën tonë trokitën dy Dëshmitarë. Doja të dija ç’mësonte feja e tyre për divorcin, dhe ata më treguan me anë të Shkrimeve bazën biblike për divorcin. (Mateu 19:3-9) Gjithashtu, më siguruan se me anë të një studimi biblik mund të merrja përgjigje për të gjitha pyetjet që kisha për Biblën.

Frenku u xhindos, sepse s’donte të kishte të bënte fare me Dëshmitarët. Më 1955 ndoqa Përkujtimin e vdekjes së Krishtit dhe, kur u ktheva në shtëpi, gjithë qejf nisa t’i tregoja Frenkut se ç’kisha mësuar nga Bibla. Ai ngriti zërin: «S’ka mundësi! Po të ma tregosh këtë në Bibël, kam për të ardhur në ato mbledhjet e tua idiote!»

I dhashë Biblën dhe ai e mori me shumë delikatesë e me një respekt të dukshëm. Lexuam shkrimet që kisha mbajtur shënim dhe unë s’fola shumë, por lashë Biblën të fliste. Frenku s’bëri llafe dhe dukej i menduar gjatë gjithë mbrëmjes.

Pas disa kohësh, i kujtova se më kishte premtuar që do të vinte në mbledhje. Ai ma ktheu me ngurrim: «Hajde, po vij një herë sa për të parë se ç’bëhet atje.» Fjalimi biblik fliste për nënshtrimin e grave ndaj burrave. (Efesianëve 5:22, 23, 33) Ky informacion i bëri shumë përshtypje. Rreth asaj kohe, Frenku ndoqi studimin e një artikulli të Kullës së Rojës me temë «Gjej kënaqësi në punë». Meqë ishte njeri punëtor, Frenkut i pëlqeu shumë ky artikull. Pas këtij studimi, ai nuk humbi më asnjë mbledhje. Frenku iu fut menjëherë me zell shërbimit, dhe unë bëra studime biblike me disa njerëz që përparuan deri në pagëzim. Po atë vit, Frenku, unë, mamaja dhe vëllai im, u pagëzuam në shenjë të kushtimit ndaj Perëndisë.

Dëshironim të shërbenim më shumë

Në kongresin krahinor të vitit 1957, në Siatëll, Uashington, u mbajt një fjalim që fliste për shërbimin në vendet ku kishte më shumë nevojë për predikues të Mbretërisë. U luta: ‘O Jehova, sa do të doja të shkoja edhe unë. Të lutem, na ndihmo të shkojmë aty ku ka nevojë!’ Mirëpo Frenku ishte në merak se si do të mbante familjen.​—1 Timoteut 5:8.

Pas një viti, si familje ndoqëm kongresin në Nju-Jork, që u mbajt njëkohësisht në stadiumin Jenki dhe Polo Graunds. Gjatë fjalimit publik ishin të pranishëm 253.000 veta. Frenku u prek shumë nga ato që pa e dëgjoi. Prandaj, kur u kthyem në shtëpi, vendosëm të shërbenim në Kenia, Afrikë, ngaqë atje flitej anglisht dhe mund të gjenim shkolla të mira për fëmijët.

Në vitin 1959, shitëm shtëpinë, ngarkuam plaçkat në makinë dhe shkuam në Monreal të Kanadasë. Që atje, i hipëm anijes për në Londër, Angli, dhe nga Londra lundruam me një anije tjetër nëpër detin Mesdhe, Detin e Kuq dhe më pas në Oqeanin Indian. Së fundi, mbërritëm në Mombasa, Kenia, në bregun lindor të Afrikës. Të nesërmen morëm trenin për në Najrobi, kryeqyteti i vendit.

Bekime në Afrikë

Në atë kohë, në Kenia, vepra e predikimit e Dëshmitarëve të Jehovait ishte e ndaluar, prandaj ne predikonim me kujdes. Në Kenia banonin disa çifte nga vende të tjera dhe të huajt lejoheshin të qëndronin. Në mbledhjet që mbanim nuk duhej të kishim më shumë se dhjetë veta. Si rrjedhim, familjet tona, duke përfshirë edhe fëmijët, kishin shumë për të bërë.

Jo shumë kohë pasi mbërritëm në Kenia, gjetëm një vend ku të banonim dhe Frenku gjeti punë. Gruaja e parë që takova në shërbimin nga shtëpia në shtëpi pranoi një studim biblik, dhe u bë pioniere e rregullt, siç quhen Dëshmitarët e Jehovait që shërbejnë në kohë të plotë. Fillova një studim tjetër me një vajzë adoleshente që bënte pjesë në fenë sikiste, të cilën ne e thërritnim Gudi. Ajo qëndroi e vendosur, pavarësisht nga presionet e familjes dhe të pjesëtarëve të fesë së saj të dikurshme. Kur e përzunë nga shtëpia, Gudi shkoi të jetonte me një familje Dëshmitarësh, ia kushtoi jetën Jehovait, u bë pioniere e më pas u diplomua si misionare në shkollën e Galaadit.

Ndërkohë familja jonë kaloi ca sprova. Djali i madh u sëmur me ethet reumatizmale, kurse Frenku pësoi një djegie të rëndë teksa po rregullonte një makinë dhe për pasojë humbi punën. Disa kohë më vonë, gjeti një punë tjetër rreth 1.000 km larg, në Dar-el-Salam, kryeqyteti i Tanganikës (sot Tanzania). Kështu, ngarkuam plaçkat në makinë dhe bëmë udhëtimin e gjatë deri atje. Asokohe, në Dar-el-Salam kishte një kongregacion të vogël që na priti me dashuri.

Ndonëse në atë kohë vepra e predikimit në Tanzani ishte e ndaluar, ligji nuk zbatohej me aq rreptësi. Më 1963, na vizitoi Milton Hensheli, përfaqësues i selisë qendrore të Dëshmitarëve të Jehovait në Shtetet e Bashkuara. Kur ai po mbante një fjalim në Sallën Kurimxhi, që ishte më e bukura në vend, pranë meje u ul një burrë i moshuar që ishte veshur si varfanjak. E përshëndeta dhe gjatë programit e ftova të lexonim bashkë nga Bibla ime dhe të këndonim nga libri i këngëve. Kur programi mbaroi, e ftova që të vinte prapë. Pasi u largua, vëllezërit vendës erdhën me vrap tek unë.

Më pyetën: «A e di kush ishte ai? Ishte kryetari i bashkisë së Dar-el-Salamit!» Ai i kishte kërcënuar se do ta ndërpriste asamblenë. Me sa duket, kishte menduar se unë do ta trajtoja keq ngaqë ishte «varfanjak» dhe sjelljen time do ta përdorte si pretekst për të ndërprerë asamblenë. Mirëpo, i bëri kaq përshtypje mirësjellja dhe interesimi që iu tregua, sa lejoi që asambleja të vazhdonte. Në atë rast ishin 274 të pranishëm dhe u pagëzuan 16 veta.

Gjatë kohës që ishim në Tanzani, vendi fitoi pavarësinë. Pas kësaj, punëdhënësit parapëlqenin të punësonin më shumë vendësit se të huajt. Edhe pse shumica e të huajve u larguan nga vendi, këmbëngulja e Frenkut për të gjetur punë më në fund u shpërblye, kur i thanë se kishin nevojë për një mekanik të aftë që të mirëmbante ca lokomotiva me naftë. Kjo na dha mundësi të rrinim edhe katër vjet të tjerë. Kur Frenkut i mbaroi kontrata, u kthyem në Kanada, dhe qëndruam derisa fëmija ynë i fundit u rrit e u martua. Ndiheshim ende të rinj dhe plot dëshirë për të shërbyer më shumë.

Shkojmë në Indi

Në vitin 1970, me rekomandimin e zyrës së degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Bombei (tani Mumbai), shkuam në Bangalur, qytet që në atë kohë kishte rreth 1,6 milionë banorë. Këtu shpëtova për një fije nga brirët e buallit. Në këtë qytet kishte një kongregacion në gjuhën angleze me 40 lajmëtarë dhe një grup të izoluar në gjuhën tamile. Frenku studioi me disa burra që morën njohuri për Biblën dhe më vonë përparuan e u bënë pleq kongregacioni. Edhe unë drejtova disa studime me familje që tani i shërbejnë Jehovait.

Në një zonë të varfër të qytetit, jetonte një zonjë me emrin Gloria. Kur i predikova për herë të parë, më ftoi brenda. Meqë s’kishte ku të uleshim, u ulëm në dysheme. I lashë një revistë Kulla e Rojës, nga e cila ajo preu një pjesë ku citohej Zbulesa 4:11 dhe e ngjiti në mur që ta shihte përditë. Aty shkruhej: «Ti je i denjë, o Jehova», që për të ishte një shprehje shumë e bukur. Pas një viti ajo u pagëzua.

Frenkun e ftuan të punonte një vit në zyrën e degës në Bombei dhe të mbikëqyrte ndërtimin e Sallës së parë të Asambleve në Indi. Salla e Asambleve u bë thjesht duke shtuar një kat mbi ndërtesën ekzistuese të zyrës së degës. Në gjithë Indinë kishte pak më shumë se 3.000 Dëshmitarë dhe në zyrën e degës shërbenin më pak se 10 veta. Më 1975, kur na mbaruan paratë, me trishtim, u ndamë me miqtë që i donim kaq shumë.

Përsëri në Afrikë

Kaluan dhjetë vjet, dhe Frenkut i erdhi mosha e pensionit. Prandaj, dolëm vullnetarë për të shërbyer në një program ndërkombëtar për ndërtimin e zyrave të degëve. Morëm një letër ku na kërkohej të shkonim në Igieduma, Nigeri, ku kishte filluar ndërtimi i degës. Atje Frenku studioi Biblën me një burrë që jetonte në një fshat aty afër, i cili më vonë u bë pjesëtar i zyrës së degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Nigeri.

Më vonë, shkuam në Zaire që të punonim në ndërtimin e degës. S’kaloi shumë dhe vepra e predikimit u ndalua e neve na konfiskuan pasaportat. Në këtë kohë, Frenku pësoi infarkt në punë, por e mori veten. Më vonë, të gjithë vëllezërve të huaj që punonin në ndërtimin e degës iu desh të largoheshin, dhe ne na dërguan në Liberi. Në zyrën e degës në Monrovi, Frenkut i kërkuan të rregullonte gjeneratorin. Në vitin 1986, kur na skaduan vizat, na u desh të ktheheshim përsëri në Kanada.

Përfundimisht në Ekuador

Pak kohë më vonë, morëm vesh se Endi Kidi, një miku ynë i dashur, ishte transferuar në Ekuador dhe po kënaqej në veprën e predikimit. Endi ishte i vetmi plak në kongregacionin ku shërbente, kështu që shpesh i duhej të mbante shumicën e pjesëve në mbledhje. Në vitin 1988, ai na ftoi të vizitonim zyrën e degës në Ekuador, ku na pritën shumë mirë.

Gjetëm një shtëpi të rehatshme, por duhej të mësonim spanjishten, dhe Frenku ishte 71 vjeç. Për dy vjet, edhe pse me një spanjishte të kufizuar, arritëm të ndihmonim 12 veta që të pagëzoheshin. Frenkut i kërkuan të punonte për ndërtimin e zyrës së degës të Ekuadorit. Gjithashtu, ai studioi me burrin e njërës prej Dëshmitareve të para në Guajakuil. Ky burrë, që kishte qenë kundërshtar për 46 vjet, u bë miku ynë dhe vëlla në besim.

Një humbje e madhe

U vendosëm me banim pranë qytezës së Ankonit, buzë Oqeanit Paqësor, ku ndihmuam në ndërtimin e një Salle të re Mbretërie. Mjerisht, më 4 nëntor 1998, pasi bëri fjalimin e fundit në Mbledhjen e Shërbimit, Frenku pësoi një infarkt dhe vdiq po atë mbrëmje. Vëllezërit dhe motrat më mbështetën shumë. Të nesërmen Frenku u varros në varrezat që ndodheshin në anën tjetër të rrugës së Sallës së Mbretërisë. S’ka fjalë për të përshkruar dhembjen që të shkakton vdekja e një njeriu të dashur.

Përsëri m’u desh të kthehesha në Kanada, por këtë radhë vetëm, që të merresha me familjen dhe me ca çështje ligjore. Ndonëse isha e pikëlluar, Jehovai nuk më harroi. Mora një letër nga dega në Ekuador ku më thoshin se isha e mirëpritur të kthehesha. Kështu që u ktheva dhe më dhanë një apartament të vogël pranë zyrës së degës. Edhe pse puna në zyrën e degës dhe shërbimi më ndihmuan të përballoja dhembjen e vdekjes së Frenkut, prapëseprapë ndihesha shumë e vetmuar.

Vazhdoj e vendosur

Pas ca kohësh u njoha me Xhunior Xhonsin. Në vitin 1997, ai kishte ardhur nga Shtetet e Bashkuara për të shërbyer si pionier në Ekuador. Kishim të njëjtat synime dhe na pëlqenin të njëjtat gjëra. U martuam në tetor të vitit 2000. Xhuniori kishte përvojë në ndërtim, prandaj na ftuan të ndihmonim në përfundimin e punimeve për Sallën e Asambleve në Kuenka, një qytet në majë të Andeve. Më 30 prill 2006, nga Nju-Jorku erdhi Xhefri Xhekson, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait. Në fjalimin e kushtimit që mbajti, ishin 6.554 të pranishëm.

Kush mund ta kishte imagjinuar se në vende të largëta​—Afrika, India dhe Amerika e Jugut​—vepra e predikimit të Mbretërisë do të ishte rritur në mënyrë kaq të mrekullueshme?! Xhuniori dhe unë as kemi ndër mend të ngadalësojmë në shërbim. Këto 50 e ca vjet në shërbim të Jehovait kanë kaluar kaq shpejt, sa më duket sikur fillova dje. E di se kur të vijë bota e re, koha që po jetojmë do të duket sikur ka kaluar po kaq shpejt.​—Zbulesa 21:3-5; 22:20.

[Harta dhe figura në faqen 15]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Vende ku kemi shërbyer

KANADA → ANGLI → KENIA → TANZANIA

KANADA → INDI

KANADA → NIGERI → REP. DEM. E KONGOS (ZAIRE) → LIBERI

KANADA → EKUADOR

[Vende të tjera]

SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS

[Figura]

Me Frenkun në Indi duke shkuar në një asamble

[Figura në faqen 15]

Me tim shoq, Xhunior Xhonsin