Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mjalti​—Dhuratë nga bletët

Mjalti​—Dhuratë nga bletët

Mjalti​—Dhuratë nga bletët

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Meksikë

RASTËSISHT, një ushtar i rraskapitur izraelit gjeti mes drurëve një huall plot me mjaltë, ngjeu shkopin dhe e provoi pak. Në çast, «shikimi i tij u bë më i qartë» dhe iu ripërtërinë forcat. (1 Samuelit 14:25-30) Ky tregim nga Bibla dëshmon për një nga vetitë e mjaltit që është në dobi të njeriut. Është një burim i menjëhershëm energjie, sepse përbëhet kryesisht nga karbohidrate, rreth 82 për qind. Është interesante se me energjinë që merr vetëm nga 30 gramë mjaltë, teorikisht një bletë mund t’i bjerë botës kryq e tërthor.

A e prodhojnë mjaltin bletët vetëm për dobi të njeriut? Jo, sepse ato ushqehen vetë me mjaltë. Që të mbijetojnë gjatë dimrit, bletët e një zgjoi me madhësi standarde, kanë nevojë për 10 deri 15 kilogramë mjaltë. Por, kur moti është i mirë, një zgjua mund të prodhojë rreth 25 kilogramë. Kështu që mjalti del e tepron, dhe një pjesë mund të mblidhet e të shijohet si nga njerëzit, ashtu edhe nga kafshët, si për shembull arinjtë dhe rakunët.

Si e prodhojnë mjaltin bletët? Ato enden lule më lule që të mbledhin nektarin, dhe e thithin atë me gjuhën që e kanë si tub. Pastaj, duke e mbajtur në njërin nga stomakët, e çojnë në koshere. Atje, ia kalojnë bletëve të tjera të cilat «e përtypin» për rreth gjysmë ore, dhe e përziejnë me enzima që prodhohen nga disa gjëndra që kanë në gojë. Pastaj e vendosin në hojet e dyllit me formë gjashtëkëndëshe dhe i bëjnë veri me flatrat e tyre, që të thahet. * Kur mbetet më pak se 18 për qind ujë, hojet mbulohen me një cipë të hollë dylli. Mjalti i mbuluar me dyll, pothuajse nuk prishet kurrë. Në varret e faraonëve që datojnë gati 3.000 vjet më parë, është gjetur mjaltë i paprishur që, madje, mund të hahej.

Vlerat kuruese të mjaltit

Përveçse është një ushqim i mrekullueshëm​—një depo e vërtetë me vitamina B, disa minerale dhe antioksidues​—mjalti është edhe një nga ilaçet më të hershme që përdoret ende sot. * Dr. Mei Berënbaum, studiuese insektesh në Universitetin e Ilinoisit, SHBA, thotë: «Shekuj me radhë mjalti është përdorur për të kuruar një numër të madh sëmundjesh si: plagët, djegiet, perdet në sy, ulcerat në lëkurë dhe kruajtjet.»

Në lidhje me interesin e treguar kohët e fundit për vlerën kuruese të mjaltit, kanali televiziv CNN komenton: «Mjalti nuk u përdor më si më parë për të mjekuar plagët, që kur dolën antibiotikët gjatë Luftës II Botërore e më tej. Por, nga kërkimet e reja​—dhe nga fakti që bakteret janë bërë më rezistente ndaj antibiotikëve​—studiuesit kanë dalë në përfundimin se ky ilaç tradicional, që ka ekzistuar prej kohësh, mund të përdoret sërish si mjekim.» Për shembull, një fushë e kërkimeve ka përfshirë trajtimin e djegieve. U vu re se pacientët, kur lyheshin me mjaltë, shëroheshin më shpejt, kishin më pak dhembje dhe kruajtje.

Studimet tregojnë se falë një enzime që bletët ia shtojnë nektarit, mjalti ka veti të forta antibakterore dhe antibiotike. Kjo enzimë stimulon prodhimin e peroksidit të hidrogjenit që vret bakteret e dëmshme. * Përveç kësaj, është parë se, kur vendoset direkt në plagë, mjalti zvogëlon infeksionin dhe nxit ripërtëritjen e indeve të reja. Kështu, biokimisti nga Zelanda e Re, Dr. Piter Molan, thotë: «Nga profesionistët e mjekësisë tradicionale, mjalti po pranohet si një substancë terapeutike shumë e mirë dhe e efektshme.» Në fakt, një qendër terapeutike në Australi, (Australian Therapeutic Goods Administration), e ka miratuar mjaltin si ilaç, dhe në këtë vend mjalti mjekësor tregtohet për të mjekuar plagët.

Sa ushqime të tjera njihni që, përveçse janë ushqyese dhe të shijshme, përdoren edhe si ilaçe? Ja pse në të kaluarën, kishte ligje të veçanta që mbronin bletët dhe rritësit e tyre. Të dëmtoje pemët ku kishte bletë ose kosheret, përbënte një krim që dënohej me gjoba të mëdha, madje edhe me vdekje. Vërtet, mjalti është një dhuratë e çmuar për njeriun dhe njëkohësisht nderon Krijuesin.

[Shënimet]

^ par. 5 Dylli me të cilin bletët ndërtojnë huallin, prodhohet nga disa gjëndra të veçanta që gjenden në trupin e tyre. Forma gjashtëkëndore e hojeve bën që muret e tyre të holla​—një e treta e milimetrit​—të mbajnë një peshë 30 herë më shumë se vetë pesha e hojeve. Një mrekulli e vërtetë inxhinierike!

^ par. 7 Mjalti nuk rekomandohet për foshnjat, sepse ekziston rreziku i shfaqjes së botulizmit foshnjor.

^ par. 9 Meqë enzima shkatërrohet nga nxehtësia dhe ekspozimi në dritë, për qëllime mjekësore përdoret mjaltë që nuk pasterizohet.

[Kutia dhe figura në faqen 16]

Kur gatuajmë me mjaltë

Mjalti është më i ëmbël se sheqeri. Prandaj, kur përdorni mjaltë në vend të tij, hidhni vetëm gjysmën ose treçerekun e masës së sheqerit që do të përdornit. Gjithashtu, meqë mjalti përbëhet nga rreth 18 për qind ujë, zvogëloni sasinë e lëngjeve në recetat tuaja në varësi të sasisë së mjaltit. Nëse nuk do të përdorni lëngje, shtoni dy lugë gjelle miell për një filxhan mjaltë. Nëse përgatitni ndonjë ushqim në furrë, shtoni gjithashtu, një lugë e gjysmë çaji me sodë për një filxhan mjaltë dhe uleni temperaturën me 15 gradë.

[Burimi]

National Honey Board

[Figura në faqen 16]

Bletë që endet lule më lule që të mbledhë nektar

[Figura në faqet 16, 17]

Huall

[Figura në faqen 17]

Një koloni me bletë

[Figura në faqen 17]

Një rritës bletësh kontrollon kornizën e një zgjoi