Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lufta kundër emrit të Perëndisë

Lufta kundër emrit të Perëndisë

Lufta kundër emrit të Perëndisë

QUHEJ Hananiah ben Teradion. Ishte një studiues jude i shekullit të dytë të erës sonë dhe njihej për organizimin e mbledhjeve publike ku u mësonte njerëzve Sefer Torën, një rrotull që përmban pesë librat e parë të Biblës. Gjithashtu Ben Teradioni ishte i njohur, sepse e përdorte emrin e Perëndisë dhe ua mësonte edhe të tjerëve. Po të kemi parasysh se në pesë librat e parë të Biblës, emri i Perëndisë përmendet më shumë se 1.800 herë, atëherë si mund t’ua mësonte ai Torën njerëzve pa u mësuar emrin e Perëndisë?

Mirëpo koha kur jetoi Ben Teradioni ishte e rrezikshme për studiuesit judenj. Sipas historianëve judenj, perandori romak e kishte shpallur të jashtëligjshëm judaizmin dhe dënonte me vdekje këdo që mësonte ose praktikonte këtë fe. Si pasojë, romakët e arrestuan Ben Teradionin. Kur e arrestuan, kishte në dorë një kopje të Sefer Torës. Ndërsa u përgjigjej akuzuesve, ai e pranoi hapur se duke u mësuar Biblën të tjerëve, thjesht po i bindej një urdhri hyjnor. Gjithsesi, e dënuan me vdekje.

Ditën e ekzekutimit, Ben Teradionin e kishin mbështjellë me po atë rrotull të Biblës që mbante në dorë kur e arrestuan. Pastaj e dogjën në turrën e druve. Sipas Encyclopaedia Judaica, «që t’ia zgjatnin agoninë e të mos vdiste shpejt, mbi zemër i kishin vënë xhufka leshi të lagura në ujë». Si dënim, atij i ekzekutuan edhe gruan, kurse të bijën e shitën në një shtëpi publike.

Ndonëse përgjegjës për ekzekutimin brutal të Ben Teradionit ishin romakët, Talmudi * thotë se «ndëshkimi me djegie ra mbi të sepse shqiptoi Emrin e plotë». Po, për judenjtë, shqiptimi i emrit të Perëndisë ishte një shkelje vërtet e rëndë.

Urdhërimi i tretë

Nga sa duket, gjatë shekullit të parë dhe të dytë të e.s., midis judenjve u krijua një besëtytni lidhur me shqiptimin e emrit të Perëndisë. Mishna (një përmbledhje e shpjegimeve të rabinëve që u bë baza e Talmudit) thotë se «ai që e shqipton të plotë emrin hyjnor» nuk do të jetojë në parajsën e ardhshme tokësore të premtuar nga Perëndia.

Ku e kishte zanafillën ky ndalim? Disa thonë se judenjtë e shihnin emrin e Perëndisë si tepër të shenjtë, aq sa s’mund të shqiptohej nga njerëzit e papërsosur. Si pasojë, njerëzit ngurronin edhe ta shkruanin këtë emër. Sipas një burimi, kjo frikë lindi nga shqetësimi se dokumenti ku ishte shkruar emri më vonë mund të përfundonte në plehra, dhe kjo ishte një përdhosje e emrit hyjnor.

Sipas Encyclopaedia Judaica «shmangia e shqiptimit të emrit JHVH . . . erdhi nga një keqkuptim i urdhërimit të tretë». I treti nga Dhjetë Urdhërimet që Perëndia u dha izraelitëve thotë: «Nuk do ta përdorësh emrin e Zotit, të Perëndisë tënd, kot, sepse Zoti nuk do të Iërë të pandëshkuar atë që përdor kot emrin e tij.» (Eksodi 20:7) Kështu, dekreti i Perëndisë kundër përdorimit të papërshtatshëm të emrit të tij u shtrembërua dhe u kthye në një besëtytni.

Sigurisht, askush s’do të thoshte sot se Perëndia do të donte që dikush të digjej në turrën e druve vetëm se ka shqiptuar emrin hyjnor. Sidoqoftë, besëtytnitë judaike për emrin e Perëndisë vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Shumë veta vazhdojnë ta quajnë Tetragramin si «Emri i patregueshëm» ose «Emri i pashprehshëm». Disa grupe njerëzish shqiptojnë qëllimisht gabim çdo referim për Perëndinë në të gjitha vendet kur përmendet ai, që të mos e shkelin traditën. Për shembull, Jah ose Yah, një shkurtim i emrit të Perëndisë, shqiptohet Kah. Halelujah shqiptohet Halelukah. Madje disa nuk e shkruajnë të plotë fjalën «Perëndi», por në vend të një ose dy shkronjave vënë nga një vizë.

Përpjekje të tjera për të fshehur emrin

Sigurisht judaizmi nuk është e vetmja fe që e shmang shqiptimin e emrit të Perëndisë. Le të marrim rastin e Jeronimit, një prift katolik dhe sekretar i papa Damasit I. Në vitin 405 të e.s., Jeronimi e përfundoi punën për përkthimin e gjithë Biblës në latinisht. Ky përkthim u bë i njohur si Vulgata latine. Jeronimi nuk e përfshiu emrin e Perëndisë në përkthimin e tij. Përkundrazi, duke ndjekur traditën e kohës së tij, ai e zëvendësoi emrin hyjnor me fjalët «Zot» dhe «Perëndi». Vulgata latine u bë përkthimi i parë katolik i autorizuar i Biblës dhe shërbeu si bazë për shumë përkthime në gjuhë të tjera.

Për shembull, Douay Version, një përkthim katolik i vitit 1610, ishte kryesisht një përkthim i Vulgatës latine në anglisht. Prandaj nuk është çudi që në këtë Bibël nuk përmendet në asnjë vend emri i Perëndisë. Por, Douay Version nuk ishte një përkthim i çfarëdoshëm i Biblës. Deri në vitet 40 të shekullit të 20-të mbeti i vetmi version i autorizuar i Biblës për katolikët anglishtfolës. Po, për qindra vjet, emri i Perëndisë mbeti i fshehur për miliona katolikë të devotshëm.

Gjithashtu, shqyrtoni përkthimin King James Version. Më 1604, mbreti i Anglisë, Jakovi I, ngarkoi një grup studiuesish të bënin një përkthim të Biblës në anglisht. Rreth shtatë vjet më vonë, ata nxorën në qarkullim përkthimin King James Version, të njohur ndryshe si Authorized Version.

Por edhe kësaj here, përkthyesit vendosën ta shmangnin emrin hyjnor dhe e përmendën vetëm në pak vargje. Në shumicën e rasteve, Tetragramin, që ishte emri i Perëndisë, e zëvendësuan me fjalët «ZOT» ose «PERËNDI». Ky version u bë Bibla standarde për miliona veta. Sipas World Book Encyclopedia, «për më tepër se 200 vjet pas botimit të përkthimit King James Version, nuk doli asnjë përkthim i rëndësishëm në anglisht i Biblës. Gjatë kësaj kohe, King James Version ishte përkthimi më i përdorur në botën anglishtfolëse».

Këto janë vetëm tri nga përkthimet e shumta të Biblës të botuara gjatë shekujve të kaluar, të cilat e heqin ose ia ulin vlerën emrit të Perëndisë. Pra nuk është për t’u habitur që shumica dërrmuese e atyre që pohojnë se janë të krishterë ngurrojnë ta thonë emrin hyjnor ose nuk e dinë fare atë. Është e vërtetë se gjatë viteve, disa përkthyes të Biblës e kanë vënë emrin e Perëndisë në përkthimet që kanë bërë. Gjithsesi, shumica e këtyre versioneve janë botuar në kohë më të vonshme dhe kanë pasur një ndikim fare të vogël në qëndrimin e përgjithshëm ndaj emrit të Perëndisë.

Një praktikë në kundërshtim me vullnetin e Perëndisë

Kjo praktikë e përhapur për ta shmangur përdorimin e emrit të Perëndisë bazohet plotësisht në traditat e njerëzve dhe jo në mësimet e Biblës. «Asgjë e shkruar në Torë nuk e ndalon njeriun të shqiptojë Emrin e Perëndisë. Dhe vërtet, nga shkrimet duket qartë se shqiptimi i Emrit të Perëndisë ishte diçka e zakonshme»,​—shpjegon studiuesi jude Trejsi R. Riç, autor i sitit në Internet Judaizmi 101. Po, në kohët biblike adhuruesit e Perëndisë e thoshin emrin e tij.

Është e qartë se po ta njohim emrin e Perëndisë dhe po ta përmendim atë, jemi më shumë në harmoni me mënyrën e adhurimit që miraton ai, e cila ndiqej në kohët biblike. Ky mund të jetë hapi i parë që të krijojmë një marrëdhënie personale metë. Kjo përfshin shumë më tepër sesa thjesht të dimë se si e ka emrin. Ç’është e vërteta, Perëndia Jehova e fton secilin nga ne që të ketë një marrëdhënie të tillë me të. Ai frymëzoi këtë ftesë të përzemërt: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet juve.» (Jakovi 4:8) Megjithatë, ndoshta mund të pyesni: ‘Si është e mundur që njerëzit e papërsosur të kenë një marrëdhënie kaq të afërt me Perëndinë e Plotfuqishëm?’ Artikulli vijues shpjegon se si mund ta ndërtojmë këtë marrëdhënie me Jehovain.

[Shënimi]

^ par. 5 Talmudi është një përmbledhje e traditës së lashtë judaike dhe shihet si një nga veprat e shkruara më të shenjta dhe më me influencë të fesë judaike.

[Kutia në faqen 6]

Halelujah!

Çfarë ju vjen ndër mend kur dëgjoni fjalën «Halelujah»? Ndoshta ju kujtohet «Mesia» e Hendelit, një kryevepër muzikore e viteve 1700 që përfshin edhe pjesën korale dramatike «Halelujah». Ose ndoshta mendoni për këngën e famshëm patriotike amerikane «Himni i betejës së Republikës» e njohur ndryshe si «Lavdi, Halelujah!». Me siguri do ta keni dëgjuar diku fjalën «Halelujah». Ndoshta edhe ju vetë e thoni herë pas here. Por, a e dini ç’do të thotë?

Halelujah​—Transkriptimi i shprehjes hebraike ha·lelu-Yahʹ, që do të thotë «lëvdoni Jah».

Jah​—Një shkurtim poetik i emrit të Perëndisë, Jehova. Shfaqet më shumë se 50 herë në Bibël, shpesh si pjesë e shprehjes «Halelujah».

[Kutia në faqen 7]

A është emri i Perëndisë në emrin tuaj?

Shumë emra biblikë janë ende mjaft të përhapur sot. Në disa raste, kuptimi origjinal në hebraisht i këtyre emrave përmban edhe emrin e Perëndisë. Këtu kemi disa shembuj të këtyre emrave dhe kuptimin e tyre. Ndoshta njëri prej tyre është edhe emri juaj.

Joana​—«Jehovai ka qenë hirmadh»

Joel​—«Jehovai është Perëndi»

Gjon​—«Jehovai ka treguar hir»

Jonatan​—«Jehovai ka dhënë»

Jozef​—«Jah e shtoftë» *

Josiu​—«Jehovai është shpëtim»

[Shënimi]

^ par. 34 «Jah» është një shkurtim i emrit «Jehova».

[Kutia në faqen 8]

Terma biblikë për Perëndinë

Në tekstin në hebraisht të Shkrimeve të Shenjta përdoren terma të shumtë për Perëndinë, si për shembull, I Plotfuqishmi, Krijues, At, dhe Zotëri. Megjithatë, rastet ku Perëndia përmendet me emër janë shumë më tepër se të gjitha termat e tjerë të marrë së bashku. Duket qartë se është vullneti i Perëndisë që ne ta përdorim emrin e tij. Shqyrtoni listën e mëposhtme që tregon se sa herë përmenden në Shkrimet Hebraike fjalët në vijim. *

Jehova​—6.973 herë

Perëndi​—2.605 herë

I Plotfuqishmi​—48 herë

Zotëri​—40 herë

Bërës​—25 herë

Krijues​—7 herë

At​—7 herë

I Lashti i Ditëve​—3 herë

Mësuesi i Madh​—2 herë

[Shënimi]

^ par. 40 Numri i përafërt i rasteve sipas përkthimit Shkrimet e Shenjta​—Përkthimi Bota e Re, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Kutia në faqen 9]

Një Perëndi që i bën gjërat të ndodhin

Studiuesit nuk janë plotësisht në një mendje për kuptimin e emrit të Perëndisë, Jehova. Megjithatë, pas shumë kërkimeve për këtë çështje, shumë prej tyre mendojnë se emri është një formë e foljes hebraike ha·wahʹ (bëhet), që do të thotë «Ai shkakton të bëhet».

Prandaj, në Shkrimet e Shenjta​Përkthimi Bota e Re, * tregimi i Eksodit 3:14 ku Moisiu e pyeti Perëndinë për emrin e Tij është përkthyer kështu: «Atëherë Perëndia i tha Moisiut: ‘Unë do të tregoj se jam çdo gjë që do të tregoj se jam.’ Dhe shtoi: ‘Këtë do t’u thuash bijve të Izraelit: ‘Unë do të tregoj se jam më ka dërguar te ju.’»

Ky përkthim është i përshtatshëm, sepse Perëndia është në gjendje të bëhet çfarëdo që ka nevojë të bëhet. Asgjë nuk mund ta pengojë atë të vihet në çfarëdo roli që është i nevojshëm për të plotësuar vullnetin e tij. Qëllimet dhe premtimet e tij realizohen gjithnjë. Është e qartë që Perëndia ka dhënë prova se është Krijuesi, i vetmi që ka aftësi të pakufizuar për t’i bërë gjërat të ndodhin. Ai bëri që të ekzistonte universi fizik. Ai krijoi edhe një mori krijesash frymore. Vërtet, ai është një Perëndi që i bën gjërat të ndodhin!

[Shënimi]

^ par. 55 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figura në faqen 5]

Punim në reliev ku tregohet ekzekutimi i Hananiah ben Teradionit

[Figurat në faqet 8, 9]

Vende ku emri i Perëndisë bie në sy:

1. Një kishë në Lomborg, Danimarkë, shekulli i 17-të

2. Dritare me xhama shumëngjyrësh në katedralen e Bernës, Zvicër

3. Rrotull e Detit të Vdekur, e shkruar në hebraishten e vjetër, Izrael, rreth viteve 30-50 të e.s.

[Burimi]

Shenjtërorja e librit, Muzeu i Izraelit, Jerusalem

4. Monedhë suedeze, viti 1600

[Burimi]

Kungl. Myntkabinettet, Sveriges Ekonomiska Museum

5. Një libër lutjesh në gjermanisht, viti 1770

[Burimi]

Nga libri Die Lust der Heiligen an Jehova. Oder: Gebaet-Buch, 1770

6. Mbishkrim në gur, Bavari, Gjermani

7. Gur moabit, Paris, Francë, viti 830 p.e.s.

[Burimi]

Musée du Louvre, Paris

8. Pikturë në kubenë e një kishe, Olten, Zvicër