Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Hoteli me një mijë yje»

«Hoteli me një mijë yje»

«Hoteli me një mijë yje»

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË FRANCË

KA SHUMË njerëz si unë që me kënaqësi do ta këmbenin një natë në një hotel me katër yje me një natë jashtë në shkretëtirë, e të mahnitur do t’ia ngulnin sytë qiellit me yje. Kështu u ndjeva pas udhëtimit në jugun magjepsës të Tunizisë, në Afrikën Veriore. Atje u kënaqa me rehatinë e të ashtuquajturit hotel me një mijë yje: çadra e një bariu nomad të shkretëtirës.

Gjatë historisë së njerëzimit, miliona njerëz që nga stepat e Azisë, Saharaja e deri në Amerikën e Veriut kanë jetuar në këto «hotele me një mijë yje». Ndonëse gjatë shekullit të fundit shumë fise janë detyruar t’i braktisin çadrat, mijëra nomadë vazhdojnë të enden nëpër shkretëtirë. Mikpritja e famshme që tregojnë e bën të paharrueshme një ditë në shoqërinë e tyre.

«Shtëpi prej leshi»

Për të vizituar një kamp nomadësh ose një duar, siç i quajnë në Afrikën e Veriut, unë dhe udhërrëfyesi udhëtojmë përmes shkretëtirës me një xhip të vjetër. Pasi u kemi kërkuar ca barinjve të na orientojnë, më në fund shquajmë nga larg hijet e disa çadrave në ngjyrë kafe të errët. Pasi dalim nga makina, na bën shumë përshtypje heshtja e thellë e shkretëtirës. Beduinët na thonë se kjo heshtje të kthjellon mendjen. Pastaj na përshëndet me ngrohtësi i zoti i «hotelit» që na fton të hyjmë në çadrën e tij. Është afro 12 metra e gjatë, 5 metra e gjerë dhe 2 metra e lartë. Hyjmë në atë pjesë të çadrës që është lënë për burrat e për mysafirët dhe ulemi në ca sixhade të bukura. Ana tjetër e çadrës nuk shihet, se ndahet me një perde kur ka mysafirë. Ajo është lënë për familjen dhe për të gatuar. Ndërkohë që bisedojmë, e zonja e shtëpisë sipas zakonit, na sjell me mirësjellje ca çaj mendre. Kurse vajzat, të cilat kanë ndenjur në pjesën e çadrës ku është kuzhina, zënë brumin që të bëjnë kuleçë me miell gruri. Këta kuleçë të shijshëm piqen në vatër në një tavë balte.

Në bisedë e sipër, e pyes të zotin e çadrës si janë bërë mbulesa e sipërme dhe pjesët anësore. Ma shpjegon me shumë kënaqësi. Në fakt, mbulesa nuk përbëhet nga një copë e tërë, por nga disa rripa rreth 15 metra të gjatë dhe 50 centimetra të gjerë, që janë qepur me njëri-tjetrin. Disa nga çadrat më të mëdha kanë 12 ose 13 rripa. Si bëhen këta rripa pëlhure?

Pasdite, teksa dielli shkëlqen, shoh një nga vajzat e mikpritësit, që ulet në rërë përballë çadrës me një bosht e me furkë në dorë dhe me mjeshtëri tjerr leshin e kafshëve duke bërë një fill të trashë. Ky fill thuret në një vegjë horizontale dhe me të bëhen rripa të gjatë. Copa thuret lirshëm, ndaj siguron ajrim të mirë. Megjithatë, kur bie shi, fijet fryhen, e nga kjo thurja bëhet më e ngjeshur dhe pëlhura bëhet e papërshkueshme nga uji. Pa dyshim, emri i fjalës çadër në arabisht, bait esh-shaar, është i përshtatshëm, se do të thotë «shtëpi prej leshi».

Si mirëmbahet?

Sa kohë rron një çadër? Nomadët kujdesen shumë për shtëpitë e tyre në shkretëtirë. I zoti i çadrës më tregon që gratë në familjen e tij endin të paktën një rrip pëlhure në vit. Në përgjithësi, çdo vit rripi i pëlhurës që është ngrënë më shumë zëvendësohet me një rrip të ri. Kështu që një mbulesë me tetë rripa do të jetë krejt e re brenda tetë vjetësh. Në disa vende, rripat ndahen nga njëri-tjetri dhe kthehen nga ana tjetër, kështu ajo që më parë ishte pjesa e brendshme, e cila është konsumuar më pak, tani shërben si ana e jashtme e çadrës.

Ku mbështetet çadra? Mesi i çadrës mbahet nga katër hunj të gjatë kajsie, ndonëse nganjëherë përdoren edhe dru të tjerë. Dy hunjtë në qendër janë afro 2,5 metra të gjatë. Njëra majë e secilit hu ngulet në tokë, kurse maja tjetër mbërthehet në një tra horizontal prej druri të fortë e të zbukuruar, që është 45-60 centimetra i gjatë. Trau horizontal është paksa i përkulur, duke i dhënë kështu majës së çadrës formën e gungës së devesë. Anët dhe pjesa e pasme e çadrës mbështeten në disa hunj më të vegjël. Për të parë si fiksohet çadra, dalim jashtë. Shohim që për të fiksuar rripat e çadrës në tokë, përdoren disa litarë, të bërë me lesh dhie.

Prapa çadrës, një gardh i trashë me shkurre të thata siguron mbrojtje nga kafshët e egra. Jo larg çadrës, kanë lidhur gomarin pas një kunji. Pikërisht prapa tij, në një vathë në formë rrethi, ka një kope me dhen e me dhi, të cilat i ruajnë me kujdes vajzat e të zotit të çadrës.

Jetë e thjeshtë

Tani kuleçët janë gati dhe, kur ngjyhen në vaj ulliri safi, janë shumë të shijshëm. Hedh sytë përreth dhe shtangem nga thjeshtësia e jetës së nomadëve. Si mobilie kanë vetëm një sënduk druri dhe disa trasta, si dhe sixhade e batanije, të gjitha të endura në vegjë. Vajzat e të zotit të çadrës me krenari më tregojnë pajisjet e tyre të thjeshta për të krehur e për të tjerrë leshin. Por përveç këtyre, kanë shumë pak plaçka të tjera. Kjo më sjell ndër mend thënien e mençur të Davidit, që ishte edhe bari, edhe poet e për ca kohë jetoi në çadra: «Grumbullojnë pasuri pa ditur kush do t’i mbledhë!»​—Psalmi 39:6.

Shumë nomadë, ndoshta të frymëzuar nga mjedisi i tyre, janë poetë dhe u pëlqen shumë të marrin pjesë në gara poezie. Gjithashtu janë shumë të dhënë pas tregimeve dhe proverbave. Mua për vete më pëlqen të përmend disa proverba nga Shkrimet e Shenjta, që janë plot me mençurinë e përsosur të ‘Atij që i shpalos qiejt si një vello dhe i hap si një çadër ku mund të banosh’. (Isaia 40:22) Erdhi koha të ndahem nga miqtë e mi. I falënderoj me ngrohtësi për mikpritjen e tyre dhe pyes veten se kur do të kem përsëri mundësi të kaloj pak kohë në një nga këto çadra të këndshme, «hotele me një mijë yje».

[Figura në faqen 26]

Kuleçë me miell gruri po piqen në vatër

[Burimet e figurave në faqen 26]

Musée du Sahara à Douz, avec l’aimable autorisation de l’Agence de mise en valeur du patrimoine et de promotion culturelle de Tunisie; devetë: ZEFA/ROBERTSTOCK.COM