A është zgjidhja pjesë e problemit?

A është zgjidhja pjesë e problemit?

A është zgjidhja pjesë e problemit?

«Poshtërimi dhe ligështimi është mënyra më e keqe për t’i përgatitur të burgosurit për botën jashtë burgut.»—NJË KRYEARTIKULL NË THE ATLANTA CONSTITUTION.

NË SHUMË raste burgjet shërbejnë thjesht si një kufizim, dhe ky vetëm i përkohshëm. Kur një i burgosur lirohet, a ka shpaguar në fakt për krimin e tij? * Ç’mund të themi për viktimat ose njerëzit e tyre të dashur? «Unë jam nëna e një djali të vrarë»,—deklaroi Rita, kur i akuzuari për vrasjen e djalit të saj 16-vjeçar u lirua pasi kreu vetëm 3 vjet burg. «Ju lutem, ndaloni për një moment dhe mendoni. A mund ta imagjinoni dot se çdo të thotë kjo?» Siç tregon rasti i Ritës, shpesh tragjedia mbetet mjaft kohë pasi gjykatat kanë përfunduar punën e tyre dhe është shuar buja e shkaktuar nga ngjarja.

Kjo çështje nuk është me interes vetëm për ata, jeta e të cilëve është prekur nga krimi, por edhe për këdo tjetër. Megjithatë, ajo që ka ndodhur, pra, nëse të burgosurit e liruar janë rehabilituar ose thjesht janë ngurtësuar nga përvoja pas hekurave, lidhet drejtpërdrejt me paqen tuaj mendore, ndoshta dhe me vetë sigurinë tuaj.

Shkolla për kriminelët

Sistemi i burgut, jo gjithmonë e eliminon krejtësisht sjelljen kriminale. «Kur derdhen para për të ndërtuar një tjetër qeli burgu, në vend që të rimëkëmbet imazhi që ka për veten një i burgosur, thjesht kjo gjë shpesh i hap rrugën ndërtimit të më shumë të tjerave—dhe ç’është më e keqja—krimit»,—shkruan Jil Smolou në revistën Time. Piteri, * që ka kaluar 14 vjet pas hekurave, e pranon këtë pohim. «Shumë nga ata që kanë qenë në burg me mua, filluan me krime të vogla, pastaj u ngjitën një shkallë më lart me krimin ndaj pronës dhe së fundi u diplomuan me sulmet serioze ndaj njerëzve të tjerë,—thotë ai.—Për ta, burgjet janë si shkolla kualifikimi. Dalin jashtë tyre më të këqinj.»

Ndonëse burgjet mund t’i heqin kriminelët për pak kohë nga rruga, duket se bëjnë shumë pak—nëse ia dalin të bëjnë diçka—për të penguar krimin për një kohë relativisht të gjatë. Djemtë dhe të rinjtë e qendrës më të populluar të qytetit e shohin shpesh burgimin si një ceremoni pranimi në radhët e të rriturve. Në shumë raste ata bëhen së fundi kriminelë të ngurtë. «Burgu nuk të rehabiliton aspak»,—thotë Lari, të cilit një pjesë e madhe jetës i shkoi hyrë e dil nga burgu. «Këta çuna dalin nga burgu dhe kudo bëjnë sërish të njëjtën gjë.»

Kjo pritje-përcjellje e përsëritur që u bën burgu të njëjtëve persona mund të shpjegojë, sipas një studimi në Shtetet e Bashkuara, përse 50 për qind e të gjitha krimeve të rënda kryhen nga rreth 5 për qind e kriminelëve. «Kur të burgosurit nuk kanë mënyra ndërtuese për të kaluar kohën,—vëren revista Time,—shpesh i mbushin orët duke ndërtuar një depozitë ndjenjash zemërimi, për të mos përmendur krijimin e një koleksioni marifetesh kriminale që . . . do të përdorin sërish kur të dalin nga burgu.»

Kjo situatë nuk është vetëm në Shtetet e Bashkuara. Xhon Vatis, mjek në një burg ushtarak në Greqi, pohon: «Burgjet tona janë bërë vende shumë të mira për të prodhuar njerëz që janë të rrezikshëm, të dhunshëm dhe të ligj. Kur lirohen, shumica e të burgosurve duan ‘të hakmerren’ ndaj shoqërisë.»

Kostoja shoqërore

Kriza në lidhje me burgjet ndikon deri edhe në vetë xhepin tuaj. Është llogaritur se në Shtetet e Bashkuara, për shembull, çdo i burgosur u kushton paguesve të taksave rreth 21.000$ çdo vit. Të burgosurit që janë më shumë se 60 vjeç, mund të kushtojnë trefishin e kësaj shume. Në shumë vende, siguria e njerëzve në sistemin penal po bie edhe për arsye të tjera. Ka shqetësime për lirimin e parakohshëm të kriminelëve dhe fajtorëve që së bashku ia dalin t’i shpëtojnë burgut, për shkak të disa teknikave ligjore të zbuluara nga ndonjë avokat i shkathët. Zakonisht, viktimat nuk ndihen të mbrojtura sa duhet ndaj dëmtimeve të mëtejshme nga kriminelët e liruar dhe zor se mund të ndikojnë në procesin gjyqësor.

Rritet shqetësimi i njerëzve

Siguria e njerëzve në sistemin e burgut nuk ndihmohet nga kushtet çnjerëzore të cilave u nënshtrohen të burgosurit, siç përshkruhet në kutinë shoqëruese. Të burgosurit që pësojnë një trajtim të padrejtë ndërkohë që kryejnë dënimin e tyre, vështirë të jenë kandidatë për rehabilitim. Veç kësaj, disa grupe që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, shqetësohen për shpërpjestimin që vihet re në numrat e pjesëtarëve të grupeve minoritare që gjenden në burgje. Ata pyesin nëse kjo është një rastësi, ose pasojë e dallimit racial.

Një raport i vitit 1998 në Associated Press, tërhoqi vëmendjen në gjendjen e ish të burgosurve në Burgun Homsbërg, në Pensilvani, SHBA, të cilët kërkuan dëmshpërblim sepse ishin përdorur gjoja si objekte studimi në eksperimentet kimike kur ishin të burgosur. Veç kësaj, ç’mund të thuhet për rishfaqjen e lidhjes së të burgosurve me zinxhirë në Shtetet e Bashkuara? Amnesty International raporton: «Puna nën zinxhirë zgjat 10-12 orë, shpesh nën diellin e nxehtë, me pushime shumë të shkurtra për ujë dhe një ndërprerje njëorëshe për të ngrënë. . . . E vetmja banjë në dispozicion për të burgosurit e lidhur me zinxhirë është një oturak i lëvizshëm pas një ndarjeje të sajuar në njëfarë mënyre. Të burgosurit qëndrojnë të lidhur së bashku kur e përdorin atë. Kur oturaku është i zënë, të burgosurit detyrohen të ulen për të dalë jashtë në tokë, në sy të të tjerëve.» Sigurisht, jo të gjitha burgjet veprojnë në këtë mënyrë. Megjithatë, mënyra çnjerëzore e të trajtuarit i bën të pashpirt si të burgosurit, ashtu edhe ata që e ushtrojnë atë.

A u shërbehet interesave të shoqërisë?

Natyrisht, shumica e bashkësive ndihen më të sigurta kur kriminelët e rrezikshëm ndodhen pas hekurave. Bashkësi të tjera i pëlqejnë burgjet për arsye të ndryshme. Kur u desh të mbyllej një burg në Kumë, një qytet i vogël australian, njerëzit protestuan. Përse? Sepse burgu i siguronte punë bashkësisë që përpiqej t’ia dilte mbanë nga ana ekonomike.

Kohët e fundit, disa qeveri ua kanë shitur burgjet e tyre ndërmarrjeve private si një masë për të ulur shpenzimet. Të vjen keq ta thuash, por sa më shumë të burgosur të ketë e sa më të gjata të jenë dënimet, aq më mirë është për tregtarët. Kështu, drejtësia mund të përzihet me tregtinë.

Si përfundim, mbetet kjo pyetje themelore: A i rehabiliton burgu kriminelët? Edhe pse përgjigjja është shpesh negative, mund të habiteni po të mësoni se disa të burgosur janë ndihmuar për të ndryshuar. Le të shohim se në ç’mënyrë.

[Shënimet]

^ par. 3 Megjithëse u referohemi të burgosurve në gjininë mashkullore, parimet e diskutuara në përgjithësi u referohen si meshkujve, edhe femrave.

^ par. 6 Disa emra në këtë artikull janë ndryshuar.

[Kutia dhe figura në faqet 6, 7]

Një vështrim i shkurtër pas hekurave

MBIPOPULLIMI: Burgjet në Britani kanë një problem të ngutshëm lidhur me mbipopullimin dhe s’është për t’u habitur. Ky vend është i dyti për numrin më të lartë të të burgosurve për person në të gjithë Evropën Perëndimore, me 125 të burgosur për çdo 100.000 banorë. Burgu më i madh në Sàn-Paulo, Brazil, është ndërtuar për të mbajtur 500 të burgosur, por strehon 6.000 të tillë. Në Rusi, qelitë që duhet të mbajnë 28 të burgosur, strehojnë 90 deri 110 të tillë. Problemi është kaq i rëndë, saqë të burgosurve u duhet të flenë me radhë. Në një vend aziatik, janë futur 13 ose 14 të burgosur në një qeli vetëm 3 metra katrorë. Ndërkohë, në Australinë Perëndimore, nëpunësit kanë ndeshur problemin e mungesës së vendit për të strehuar të burgosurit dhe kanë përdorur kontejnerë transporti për këtë qëllim.

DHUNA: Gazeta gjermane Der Spiegel raporton se në burgjet gjermane, të burgosurit e dhunshëm vrasin dhe torturojnë për shkak të «luftës së klikave konkurruese për tregti të paligjshme të pijeve alkoolike dhe drogave, për seks dhe fajde». Tensionet etnike, shpesh, u fryjnë flakëve të dhunës brenda burgjeve. «Ka të dënuar nga 72 vende,—vëren Der Spiegel. —Fërkimet dhe konfliktet që çojnë drejt dhunës janë të pamënjanueshme.» Nëpunësit në një burg në Amerikën e Jugut, thanë se vriteshin mesatarisht 12 të burgosur çdo muaj. «Të burgosurit thanë se numri ishte dy herë më i lartë»,—raportoi Financial Times e Londrës.

ABUZIMI SEKSUAL: Në artikullin «Krizat e dhunimit pas hekurave», The New York Times pohon se sipas një përllogaritjeje të kujdesshme në Shtetet e Bashkuara, «më shumë se 290.000 meshkuj sulmohen seksualisht pas hekurave çdo vit». Raporti vazhdon: «Përvoja katastrofike e dhunës seksuale, zakonisht, nuk kufizohet thjesht në një ndodhi të vetme, shpesh ajo bëhet një dhunë që ndodh çdo ditë.» Një organizatë llogarit se në burgjet në SHBA ndodhin çdo ditë gati 60.000 sulme të padëshirueshme seksuale.

SHËNDETI DHE HIGJIENA: Përhapja e sëmundjeve të transmetuara seksualisht mes popullsisë së burgut është më se e dokumentuar. Turbekulozi mes të burgosurve në Rusi dhe në disa vende afrikane tërheq vëmendjen mbarëbotërore, sikurse edhe lënia pas dore e gjërave në fushën e trajtimit mjekësor, në fushën e higjienës dhe në atë të të ushqyerit në shumë burgje përreth botës.

[Figura]

Një burg i mbipopulluar në Sàn-Paulo, Brazil

[Burimi]

Foto e AP-së/Dario Lopez-Mills

[Figura në faqet 4, 5]

Burgu i sigurisë së lartë La Santè, në Paris, Francë

[Burimi]

Foto e AP-së/Francois Mori

[Figura në faqen 6]

Gra në burgun në Managua, Nikaragua

[Burimi]

Foto e AP-së/Javier Galeano