Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mozaikë të gjallë në Monreal

Mozaikë të gjallë në Monreal

Mozaikë të gjallë në Monreal

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË KANADA

NGA 19 qershori deri më 9 tetor 2000, qyteti tërheqës i Monrealit në Kanada ishte mikpritësi i Ndërkombëtares së Mozaiko-kulturës Monreal 2000 (MIM 2000), e para ekspozitë ndërkombëtare skulpturash me lule. Nën temën «Planeti është një mozaik», artistë nga 14 vende u ftuan të skiconin e të krijonin rreth njëqind punime me lule.

Mozaikët dypërmasorë me lule, në të cilët përdoren bimë për të krijuar një pikturë, kanë zbukuruar kopshtet publike për shekuj të tërë. Mirëpo gjatë 50 vjetëve të kaluar, kopshtarë në Kinë, në Evropë e gjetkë kanë krijuar skulptura tripërmasore, duke mbuluar disa struktura metalike me një përzgjedhje të kujdesshme bimësh. Duke i bashkuar të dyja llojet e mozaikëve në një ekspozitë, organizatorët e MIM-it 2000 rigjallëruan termin «mozaiko-kulturë»—i përdorur fillimisht për të përshkruar lehet me lule në Francë—dhe ia aplikuan qoftë skulpturave tripërmasore me lule, qoftë atyre dypërmasore. Për MIM-in 2000 u përdorën gjithsej rreth tre milionë bimë të zgjedhura posaçërisht. Që të ujiteshin dhe të mirëmbaheshin mozaiko-kulturat e gjalla u desh talenti i 68 kopshtarëve.

Mozaikët kinezë qenë veçanërisht magjepsës, pasi krijuesit e tyre ndërthurnin një përzierje argjile, plehu kuajsh dhe kashte orizi me strukturën metalike të një skulpture tripërmasore. Gjithashtu, përdornin bimë të vockla me rrënjë të vogla që duan fare pak dhe.

Çdonjëri nga artistët që kishte hyrë në MIM-in 2000 shpresonte të fitonte. Kurse shumica e vizitorëve kënaqeshin thjesht duke admiruar projektimin novator dhe bukurinë mbresëlënëse të çdo mozaiku. «Këto janë vërtet vepra arti,—komentoi Lin Dyransó, drejtues i konkursit ndërkombëtar.—Është si një muze i vogël. Jemi shumë krenarë për këtë arritje.»

[Figurat në faqet 24, 25]

Lart: Skulpturë e pandës, nga Kina

Në qendër: Pallat i lashtë, nga Tajlanda, së bashku me fluturën, nga Kina

Poshtë: Pata të egra, nga Kuebeku, Kanada

[Figurat në faqen 25]

Lart: Skulpturë me lule e një pikture të Vincent van Gog, nga Kanadaja; pallua, nga Franca