Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kapela e vërtetë panameze: E bërë në Ekuador?

Kapela e vërtetë panameze: E bërë në Ekuador?

Kapela e vërtetë panameze: E bërë në Ekuador?

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË EKUADOR

MOS ia hodhën gjë blerësit? Për një vëzhgues mund të jetë dukur se po. E pra, blerësi pagoi 300$ për një kapelë të vërtetë panameze. Por shitësi e nxori atë nga një kuti që kishte një stampë ku shkruhej qartë «E bërë në Ekuador»! Një mashtrim? Aspak. Kapela e vërtetë panameze bëhet me të vërtetë në Ekuador. Por nga erdhi ky emërtim i gabuar dhe përse do t’ia vlenin qindra dollarë për një kapelë të tillë?

Nga mesi i viteve 1800, kërkuesit e arit u turrën drejt Kalifornisë nëpërmjet rripit të ngushtë të Panamasë. Atje blenë kapela të importuara nga Ekuadori. Me kalimin e kohës, kapelat filluan të njiheshin me emrin e vendit ku bliheshin e jo me atë të vendit ku prodhoheshin. Sidoqoftë, kapela panameze u bë shumë e njohur. Për shembull, në vitin 1849, Ekuadori eksportoi më shumë se 220.000 copë të tilla. Më pas, në vitin 1955, një francez që jetonte në Panama, i futi kapelat në ekspozitën ndërkombëtare, në Paris. Francezëve, të cilët merrnin vesh nga moda, u bëri përshtypje materiali delikat e disa, madje, e përshkruan si «pëlhurë kashte». Shpejt u bë e vështirë të imagjinohej të mbahej ndonjë stil tjetër kapelash.

Kapela panameze fitoi një popullaritet më të madh në fillim të shekullit të 20-të, kur në shtypin botëror u paraqit një fotografi e presidentit të SHBA-së Teodor Ruzveltit, në të cilën krenohej me një fino, të thurur shumë imët. Kërkesat për këtë kapelë elegante dhe plot stil u rritën. Shoqëri të shquara përreth globit filluan shpërndarjen e tyre. Në Turqi, në vitin 1925, ligjet e modernizuara e ndaluan festen, kapelën e tyre tradicionale, dhe urdhëruan përdorimin e kapelës panameze. Aty nga viti 1944, kapela panameze u bë malli kryesor që eksportohej nga Ekuadori.

Nga gjysma e dytë e shekullit të 20-të, popullariteti i kapelave ra. Megjithatë, kapelat panameze me thurje shumë të imët që vinin nga Ekuadori mbetën po aq magjepsëse. Në të vërtetë, mjeshtër kapelabërës nga e gjithë bota u përpoqën të vënë në dispozicion tipa të cilësisë më të lartë. Njerëz të famshëm, si të kohëve të shkuara ashtu edhe të ditëve tona, janë magjepsur nga eleganca e kapelës panameze. Ajo ka zbukuruar kokën e Uinston Çërçillit, Nikita Hrushovit, Hamfri Bogartit dhe Majkëll Xhordanit, për të përmendur vetëm disa.

Sigurisht, ka imitime të kapelës së vërtetë panameze që janë prodhuar në masë e që kushtojnë lirë. Megjithatë, shumë prej tyre shthuren, të tjera nuk lejojnë kalimin e ajrit. Ndryshe nga këto, kapela e vërtetë panameze është e lehtë, lejon kalimin e ajrit e rron shumë gjatë. Secila nga ato është e thurur me dorë, prandaj është e pashoqe. Çmimet lëvizin nga disa dollarë për kapelat me thurje jo të ngjeshur deri në më shumë se 1.000$ për llojet më të rralla, superfinot e Montekristos. Cilësia përcaktohet nga imtësia dhe njëtrajtshmëria e thurjes, si edhe nga njëjtësia e ngjyrës. Por kujtoni gjithmonë këtë: Një kapelë e vërtetë panameze bëhet vetëm në Ekuador.

[Kutia dhe figurat në faqet 26, 27]

Prodhimi i kapelës panameze

Si bëhet një kapelë panameze? Një bimë ngjashëm palmës siguron fibrën e përkulshme, por rezistente që quhet tokija. Ultësirat bregdetare të Ekuadorit sigurojnë kushte ideale për rritjen dhe rigjenerimin e kësaj bime. Artizanët ekuadorianë të kapelës vlerësohen se janë ndër mjeshtërit më të mirë të botës përsa i përket thurjes. Dhe ç’punë tejet të kujdesshme që bëjnë! Mund t’u duhen gjashtë ose më shumë muaj për të thurur superfinon me cilësi të lartë të Montekristos. Gjatësia e çdo fibre në kapelë është mjaft e shkurtër. Megjithatë, në një kapelë të vërtetë panameze vështirë të gjesh se ku përfundon një fibër e ku fillon një tjetër. Për më tepër, fibrat janë thurur në një mënyrë kaq të ngjeshur, sa as uji nuk mund të kalojë nëpër to!

Qyteti i Montekristos është mjaft i njohur për kapelat e tij të mrekullueshme të thurura me dorë. Mjeshtrat në zonën e Montekristos thurin herët në mëngjes ose pasdite vonë, me qëllim që nxehtësia ekuatoriale të mos ndikojë në përkulshmërinë e fibrës. Ata fillojnë me rrethin e kapelës duke thurur me shumë kujdes rreth pas rrethi fibrat e ndërthurura në mënyrë të ngatërruar derisa arrihet diametri i dëshirueshëm. Më pas, rrethi vendoset mbi një formë druri cilindrike, në mënyrë që duart e artizanit të lëvizin me shkathtësi në formë spirale nga lart poshtë, ndërsa thur anët. Pas shumë javë pune për të thurur anët, thurja vazhdon në një qoshe në anën e djathtë, për të formuar buzën ose strehën e kapelës. Prerja për të pastruar pjesët e tepërta, larja dhe zbardhja e plotë, e shoqëruar me teknika të ndryshme për përfundimin e punës, prodhojnë kapelën e famshme panameze.

[Figurat]

Fibrat ngjashëm kashtës që nxirren nga gjethet, lihen të ziejnë e të thahen përpara se të thuren

[Figura në faqen 27]

Uinston Çërçilli është një nga shumë njerëzit e mirënjohur që kanë mbajtur kapelën panameze

[Burimi]

SHBA Foto nga arshiva kombëtare