1 Samuelit 30:1-31
30 Ditën e tretë, kur Davidi dhe njerëzit e tij po shkonin në Ziklag,+ amalekitët+ mësynë në jug dhe në Ziklag. Ata e goditën Ziklagun dhe i vunë zjarrin.
2 Morën rob gratë+ dhe të gjithë ata që gjendeshin atje, të madh e të vogël. Nuk vranë asnjë, por i vunë përpara dhe vazhduan udhën.
3 Kur Davidi erdhi në qytet bashkë me njerëzit e tij, pa që e kishin djegur, kurse gratë, bijtë dhe bijat e tyre i kishin marrë rob.
4 Davidi dhe populli që ishte me të qanë me të madhe,+ derisa nuk patën më fuqi.
5 Dy gratë e Davidit, jezreliten Ahinoami+ dhe karmeliten Abigaila,+ gruan e Nabalit, i kishin marrë robinja.
6 Davidi ishte shumë i brengosur,+ sepse populli thoshte që të vritej me gurë+ ngaqë të gjithëve u ishte hidhëruar shpirti+ për bijtë dhe bijat e veta. Por Davidi filloi të merrte forcë me anë të Jehovait, Perëndisë së tij.+
7 Prandaj Davidi i tha priftit Abiatar,+ birit të Ahimelekut: «Të lutem, ma sill këtu efodin.»+ Dhe Abiatari ia çoi efodin Davidit.
8 Atëherë Davidi filloi ta pyeste Jehovain:+ «A duhet t’i shkoj pas kësaj bande kusarësh? A do t’i arrij?» Ai iu përgjigj:+ «Bjeru pas, sepse ke për t’i arritur dhe ke për të sjellë çlirim.»+
9 Menjëherë Davidi u vu në udhë bashkë me gjashtëqind burrat+ që ishin me të. Këta shkuan deri te lugina e përroit të Besorit, kurse ata që mbetën prapa u ndalën.
10 Davidi me katërqind burra vazhduan t’i ndiqnin nga pas,+ por dyqind burra që ishin tepër të lodhur për të kaluar luginën e përroit të Besorit+ u ndalën.
11 Ata gjetën në fushë një egjiptian.+ E çuan te Davidi dhe i dhanë të hante bukë e të pinte ujë.
12 Veç këtyre i dhanë një copë bukëfiqe dhe dy kuleç prej rrushi të thatë.+ Pastaj ai hëngri dhe i erdhi fryma+ në vend, sepse për tri ditë e tri net nuk kishte ngrënë bukë dhe nuk kishte pirë ujë.
13 Davidi e pyeti: «I kujt je dhe nga je?» Ai iu përgjigj: «Jam një shërbëtor egjiptian, skllav i një amalekiti, por zotëria im më la, sepse tri ditë më parë u sëmura.+
14 Ne ishim ata që mësynë në jug të keretitëve,+ në pjesën që i përket Judës dhe në jug të Kalebit,+ kurse Ziklagut i vumë zjarrin.»
15 Atëherë Davidi e pyeti: «A do të më çosh te kjo bandë kusarësh?» Ai ia ktheu: «M’u beto+ për Perëndinë se nuk do të më vrasësh dhe se nuk do të më dorëzosh në duart e zotërisë tim+ e unë kam për të të çuar te kjo bandë kusarësh.»
16 Kur i çoi atje,+ ata ishin hallakatur nëpër tërë vendin. Hanin, pinin dhe festonin+ për gjithë plaçkën e madhe që kishin marrë nga vendi i filistinëve dhe nga ai i Judës.+
17 Davidi i goditi ata që ndaj të gdhirë e gjer në mbrëmje, që t’i shfaroste. Nuk shpëtoi asnjë burrë prej tyre, përveç katërqind të rinjve që u hipën deveve dhe ia mbathën.+
18 Davidi arriti të merrte gjithçka që i kishin marrë amalekitët.+ Ai çliroi edhe dy gratë e veta.
19 Nuk la asgjë, nga më i vogli te më i madhi, nga bijtë e nga bijat dhe nga plaçka, madje edhe nga ato që kishin marrë për vete.+ Davidi i mori prapë të gjitha.
20 Kështu Davidi mori gjithë kopetë dhe tufat, të cilat i vunë të ecnin para bagëtisë tjetër. Pastaj thanë: «Kjo është plaçka e Davidit.»+
21 Në fund Davidi erdhi te dyqind burrat+ që kishin qenë tepër të lodhur për të shkuar bashkë me të dhe që i kishin lënë të rrinin pranë luginës së përroit të Besorit. Ata u nisën për t’i dalë përpara Davidit dhe njerëzve që ishin me të. Kur iu afrua Davidi filloi t’i pyeste se si ishin.
22 Por, nga njerëzit që kishin shkuar me Davidin, të gjithë burrat e këqinj e të pavlerë+ thanë: «Meqë ata nuk erdhën me ne nuk kemi për t’u dhënë asgjë nga plaçka që morëm, përveçse secilit gruan dhe bijtë e vet. Le t’i marrin e të shkojnë.»
23 Por Davidi tha: «Vëllezërit e mi, mos bëni kështu me atë që na ka dhënë Jehovai,+ sepse ai na ruajti+ dhe na e dha në dorë+ bandën e kusarëve që erdhi kundër nesh.
24 E kush do t’ju dëgjojë për këtë që thoni? Sepse pjesa e atij që zbriti në betejë do të jetë ashtu si pjesa e atij që ndenji pranë plaçkave.+ Të gjithë do të kemi pjesën tonë.»+
25 Që nga ajo ditë ai e mbajti këtë si rregull dhe si vendim gjyqësor+ për Izraelin deri sot e kësaj dite.
26 Kur mbërriti në Ziklag, Davidi ua dërgoi një pjesë të plaçkës pleqve të Judës, miqve të tij,+ duke u thënë: «Kjo është një dhuratë+ si bekim për ju nga plaçka e armiqve të Jehovait.»
27 Ua dërgoi atyre që ishin në Bethel,+ atyre në Ramotin+ e jugut, atyre në Jatir,+
28 atyre në Aroer, atyre në Sifmot, atyre në Eshtemoa,+
29 atyre në Rakal, atyre në qytetet e jerahmelitëve,+ atyre në qytetet e kenitëve,+
30 atyre në Hormah,+ atyre në Borashan,+ atyre në Atak,
31 atyre në Hebron+ dhe të gjitha vendeve ku kishte shkelur Davidi me njerëzit e tij.

