Paraqitje kompjuterike e kompleksit që do të ndërtohet në Ramapo

27 PRILL 2022
LAJME NDËRKOMBËTARE

Projekti i Ramapos

Zyrtarët japin lejen për punime në rrugën hyrëse; në pritje të lejes përfundimtare për nisjen e ndërtimit të kompleksit

Zyrtarët japin lejen për punime në rrugën hyrëse; në pritje të lejes përfundimtare për nisjen e ndërtimit të kompleksit

Më 8 mars 2022, Komiteti i Projektit të Ndërtimit (KPN) për projektin e Ramapos mori një leje mjaft të rëndësishme nga Bordi i Planit Urbanistik të Qytetit të Tëksidos. Me këtë leje do të nisë puna për zgjerimin dhe modifikimin e hyrjes për në pronën në Ramapo. Gjithashtu, vëllezërit janë në rrugë të mbarë për të marrë miratimin përfundimtar që të nisin zbatimin e projektit, pra lejen nga Bordi i Planit Urbanistik të Qytetit të Ramapos për të nisur ndërtimin. a

Vëlla Robert Mekredmondi, i cili shërben si koordinator i KPN-së, thotë: «Që në fazat e para të projektit kuptuam se duhej të modifikonim rrugën hyrëse për te prona. Tani që morëm lejen, mund të punësojmë kontraktues që të modifikojnë dhe të zgjerojnë kryqëzimin që lidh rrugën hyrëse me rrugën lokale. Falë kësaj, mjetet do të udhëtojnë më të sigurta në rrugën lokale. Puna do të bëhet nga kontraktuesit dhe do të mbarojë në fund të verës. Ndërkohë vullnetarët po përfundojnë restaurimin e një ure historike prej guri përgjatë rrugës.»

Ura prej guri e restauruar pjesërisht është më pak se 2 kilometra nga hyrja për në kantier

Vëlla Geri Stredovski, i cili shërben në KPN, shprehet: «U emocionuam shumë kur morëm lejen. Po i afrohemi gjithnjë e më tepër synimit për të marrë lejen e ndërtimit për pjesën tjetër të projektit. Njëherë që bordi na jep lejen, kontraktuesit do të nisin pastrimin e vendit dhe fazën përgatitore, me shumë mundësi nga fundi i 2022-shit. Pas kësaj, nga mesi i 2023-shit, vullnetarët mund të vijnë e të punojnë në kantier.»

Na gëzon zemra nga ky përditësim dhe lutemi që fryma e Jehovait të vazhdojë të drejtojë punën për projektin.—Zakaria 4:6.

a Prona në Ramapo shtrihet në qarqet Orinxh dhe Roklend, Nju-Jork, SHBA. Ja pse KPN-ja duhet të marrë leje si nga Bordi i Planit Urbanistik të Qytetit të Tëksidos, edhe nga Bordi i Planit Urbanistik të Qytetit të Ramapos.